Komisioneri europian për Zgjerimin Johannes Hahn shmangu sot komentet e drejtëpërdrejta lidhur me një marrëveshje që do të çonte në një korrigjim apo rishikim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, por saktësoi se “për ne ka vlerë stabiliteti në rajon dhe duhet të mbajmë parasysh se çdo lloj marrëveshje dypalëshe nuk duhet të rrezikojë stabilitetin e rajonit, por duhet të kontribuojë për më shumë stabilitet. Cilido qoftë objektivi përfundimtar, ky duhet të jetë objektivi kyç, sa më shumë stabilitet për rajonin, duke zgjidhur mirëfilli konfliktet dypalëshe”, tha zoti Hahn, ndërsa kujtoi se siç parashikon dhe strategjia e Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor “nuk do të pranohet asnjë anëtar i ri nëse nuk janë zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe”.
Komentet e tij, Komisioneri Hahn i bëri në përfundim të takimit formal të krerëve të qeverive të vendeve të Ballkanit, i cili u zhvillua sot në Durrës. I pranishëm në këtë takim, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ritheksoi qëndrimin e tij të kundërt me idenë e hedhur që po mbështet presidenti i Kosovës Hashim Thaçi për një “korrigjim të kufijve”. Sipas zotit Haradinaj “Kosova i ka kufijtë e vet, me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Serbinë. Ne i respektojmë këto kufij dhe nuk mendoj se duhet ndonjë kreativitet i ri për rishikim të tyre, por duhet të respektojmë kufijtë që kemi”.
Autoritetet shqiptare, i kanë qëndruar larg debatit për kufijtë, duke shmangur komentet apo deklarata. Edhe sot kryeministri Edi Rama evitoi t’i përgjigjej drejtpërdrejt pyetjes se cili ishte pozicioni i Tiranës duke u shprehur se mbështeste vlerësimet që bëri për këtë çështje Komisioneri Hahn.