Shqipëria nuk mbështet korigjimin e kufijve Kosovë – Serbi

Në debatin pro & con lidhur me idenë e korigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, qeveria e Tiranës ka zgjedhur gjuhën diplomatike dhe maturinë. Por lë të kuptohet që nuk e mbështet këtë ide.

Ky qëndrim konseguent karakterizoi edhe takimin që u zhvillua të enjten, (23.08) në Tiranë mes Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati dhe përfaqësuesve të faktorit politik shqiptar në Luginën e Preshevës, që kërkojnë mbështetjen e Shqipërisë që ky rajon t’i bashkohet territorit të Kosovës.

Kundër bashkimit me Kosovën, Serbia të përmbushë të drejtat e shqiptarëve

Përgjigja e Bushatit është e qartë dhe pa ekuivoke: Shqipëria nuk e mbështet idenë e korrrigjimit të kufijve dhe kalimin e Luginës së Preshevës si pjesë e territorit të Kosovës. Ajo e sheh këtë Luginë edhe në të ardhmen si pjesë të territorit të Serbisë. Pra, as korigjim të kufijve, as shkëmbim të Luginës së Preshevës me dhënien e Veriut të Kosovës Serbisë.

Mosmbështetjen e idesë së korigjimit të kufijve, Shqipëria e bazon, sipas ministrit Bushati: “në respektimin e gjithë përpjekjeve të bëra në Ballkan në tri dekadat e fundit, të frymës së Aktit Final të Helsinkit dhe dokumentave të tjera ndërkombëtare me vlerë ligjore”.

Por ka edhe një arësye tjetër madhore: Shqipëria e sheh si një precedent për një efekt domino në rajon ose siç shprehet ministri Bushati për mundësinë e “hapjes së Kutisë së Pandorës”, me pak fjalë ndryshimin e kufijve edhe nga vende të tjera të rajonit ku Bosnjë-Herzegovina me Republika Srpska është në krye. Zhvillime potenciale që rrezikojnë seriozisht paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Në këtë qëndrim qeveria e Tiranës është në një linjë me kancelaren Merkel, e cila në mes të këtij muaji, në Berlin, deklaroi se: “Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit Perëndimor është i përcaktuar dhe i paprekshëm”

Të drejta tërësore nga Serbia për shqiptarët e Luginës

Por mbështetja e Shqipërisë ndaj shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës nuk do të mungojë. Ajo do të vazhdojë të jetë, sikurse theksohet në deklaratën e Ministrit Bushati, “për të kërkuar nga Serbia atë që u takon shqiptarëvet të  Luginës: më shumë mirëqënie, më shumë respekt dhe më shumë përfshirje në proceset integruese të Serbisë”.

“Është detyrim i drejtpërdrejtë i autoriteteve serbe të sigurojnë përmbushjen tërësore të të drejtave për popullsinë shqiptare në Serbi në respekt të angazhimeve që burojnë nga procesi i negocimit me Bashkimin Evropian dhe të normave të gjithëpranuara ndërkombëtare. Ajo çka kërkojmë për ju nga Serbia është të sigurojë as më shumë e as më pak sesa të drejtat që gëzojnë serbët në Kosovë”, tha në takim ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.

Shtatori dhe rezultati i dialogut  Kosovë-Serbi

Shtatori i rifillimit të këtij dialogu në Bruksel është në prag. Palët duhet të arrijnë një rezultat. Që Serbia të avancojë në procesin integrues në BE, ajo duhet të njohë shtetin e Kosovës dhe të zgjidhë ngërçin 10 vjeçar me Kosovën, të gjeneruar nga mosnjohja prej Serbisë si shtet i pavarur. Presidenti serb Alaksander Vuçiç ka paralajmëruar se më 8 shtator do të vizitojë serbët e Kosovës. Ka paralajmëruar edhe se në fjalën e rastit që e ka quajtur “më të rëndësishmen në jetën e tij” do të zbulojë propozimin e tij për stabilizimin e marrdhënieve Serbi- Kosovë. Pritet të shihet nëse ky propozim do të jetë korigjimi i kufijve, shkëmbimi i territoreve apo një ide tjetër. Në këto rrethana, Shqipëria pret njohje të ndërsjelltë mes dy vendeve.

“Ne i qendrojmë bindjes tonë se procesi i dialogut duhet të përmbyllet me një marrëveshje për njohje të ndërsjellë mes dy vendeve, që do të sillte jo vetëm normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes tyre, por edhe do të ishte një garanci e fortë për stabilitetin demokratik të të gjithë rajonit”, tha ministri Bushati në takimin me përfaqësuesit e faktorit politik shqiptar në Luginën e Preshevës.

Opozita, diplomatë dhe intelektualë të Tiranës

Opozita në Tiranë është kundër opsionit të korigjimit të kufijve. Sipas liderit të saj historik, Sali Berisha, korrigjimi i kufijve do të thotë “të ndihmohet krijimi i Serbisë së Madhe në kurriz të Kosovës”. Në mendimin e politologëve mbizotëron ideja se kushti kryesor për normalizimin real të marrdhënieve mes dy vendeve dhe zgjidhja e qëndrueshme, afatgjatë është njohja e shtetit të Kosovës pa asnjë kusht nga Serbia. Por ka edhe zëra që flasin për kompromis politik, për marrveshje dhe për të mos konsideruar tabu asnjë çështje politike. Sipas tyre palët mund të arrijnë një marrveshje por në themel të saj duhet të jetë moscënimi i interest kombëtar të shqiptarëve të Kosovës, respektimi i normave të së drejtës ndërkombëtare dhe marrja në konsideratë e përvojave të ngjashme në marrdhëniet dypalëshe mes dy vendeve. /Ani Ruci/ D.W./