Çka më pa thënë ish Kryeministri serb, Zoran Gjingjiq, për zgjidhjen e “problemit” të Kosovës

Nga Fahri Musliu – gazetar, publicist, analist

Meqë këto ditë është bërë aktuale ndarja përkufizimi apo korigjimi i kufinjve të Kosovës me Serbinë, meç rast mediat serbe por edhe ato kosovare publikuan një plan të ish kryeministrit të ndjerë Zoran Gjingjiq,ku ka interpretime të ndryshme, lexudesve shqiptar po u sjelli INTERVISTËN e zhvilluar me Z. Gjingjiq për ZËRIN E AMERIKËS, më 07 dhe emetuar më 14 Shkurt të vitit 2003 (jo plotë një muaj para vrasjes) ku ai jep sqarime të qarta dhe adreson mesazh për politikanët dhe popullin e KOsovës.
Intervistën po e publikoj ashtu sç është emetuar në VOA (në kohëzgajtje 8 minuta)
………..
1.Zoti kryeministër, kohët e fundit jeni në ofensivë me disa kërkesa për
zgjidhjen e problemit të Kosovës. Është miratuar edhe Karta kushtetuese e Bashkësisë Serbia Mali i Zi, ku Kosova trajtohet si pjesë e Serbisë, për çka nuk janë pyetur shqiptarët. A mund të thoni se çka është qëllimi i këtyre nismave, si i komentoni reagimet e qarqeve ndërkombëtare e shqiptare, dhe si e shihni ju zgjidhjen e statusit të Kosovës?

Z. Gjingjiq: Mendoj se pas gati katër vjetësh qysh se bashkësia ndërkombëtare i ka marrë të gjitha kompetencat në Kosovë, është koha që të shtrohet çështja e ndonjë zgjidhjeje të qëndrueshme, por gjithsesi nuk është herët për tu shqyrtuar opsionet dhe të shihen pasojat e tyre. Për mendimin tim zgjidhje afatgjate mund të jetë vetëm ajo që i respekton interesat e të gjitha palëve, me këtë rast të Beogradit dhe të Prishtinës. Ne, kohë të gjatë kemi pasur zgjidhje të mangëta sepse janë respektuar vetëm interesat e atëhershme të Beogradit, dhe kjo ka prodhuar pasoja negative. Por nëse tani themi, se duhet respektuar vetëm interesat e Prishtinës, frikësohem se kjo gjithashtu mund të prodhojë pasoja që nuk do të jen të mira as për rajonin ton as për situatën në vendet fqinje. Prandaj, kërkesa ime kryesore është që dialogu të vendoset dhe askush nuk duhet të frikësohet nga kjo, edhe pse të gjithë në bashkësinë ndërkombëtare po thonë se kjo nuk është temë e përshtatshme. Mirëpo i Bashkëbiseduesve të mi në Londër, Bon apo gjetkë u kamë thënë se situata nuk është e qëndrueshme, por si e mendoni ju se do të duket kjo pas 5-6 vjetësh… Kam përshtypje se njerëzit për këtë nuk po duan të mendojnë dhe po shpresojnë se zhvillimet e ngjarjeve do të sjellin ndonjë zgjidhje të mirë.
Por çka po ndodh tash në Kosovë. Bashkësia ndërkombëtare kompetencat e veta ka filluar ti bart në strukturat vendore, dhe ato jo vetëm që po ushtrohen në emër të bashkësisë ndërkombëtare, por gradualisht po përvetësohen. Dhe brenda një kohe të shkurtër do të rrumbullakoset sovraniteti i Kosovës si një shtet faktikisht i pavarur. Atëherë do të shtrohet çështja e bashkekzistencës së Kosovës së pavarur dhe e Serbisë së pavarur, dhe do të kemi dy sisteme të pavarura para të cilëve do të shtrohen kërkesat për harmonizim. Kjo për Serbinë dhe mua, që e kam dhënë betimin se do ti mbrojë interesat e shtetit, është e papranueshme për dy shkaqe: që Rezoluta 1244 praktikisht po anashkalohet me faktin që ndërkohë edhe po prejudikohet statusi përfundimtar, dhe së dyti që do të vihemi para faktit të kryer i cili Serbinë e bënë peng të një Kosove të tillë. Dhe së fundi unë nuk shoh se si mund ti harmonizojmë shpejtë ato dy sisteme, e kjo edhe për shqiptarët e Kosovës kjo nuk është zgjidhje e mirë, sepse edhe ata do të bëhen pengje të Serbisë.
Pra nisma ime ka për qëllim që të animojë bashkësinë ndërkombëtare që edhe ajo të mendohet se si duhet të duket ky rajon për dhjetë vjet dhe gradualisht të fillojmë bisedimet në këtë temë. Unë kam ide të caktuara por për fillim po kërkojë të hapen syt të mos heshtet problemi, sepse me heshtje askush nuk fiton asgjë.

2. Ju thatë se Serbia vazhdon të jetë peng i Kosovës, mirëpo edhe serbët e atjeshëm janë pengje të politikës së Beogradit. Pse pushtetarët e tashëm demokratik serb nuk e bëjnë një shkëputje nga politika dhe praktika e regjimeve të mëparshme serbe sa i përket statusit të Kosovës, kur rreth 99 përqind të shqiptarëve nuk duan të jetojnë nën sundimin e Beogradit?

– Z. Gjingjiq: Nëse pyesim se çka nënkupton 99 për qind të serbëve apo kroatëve në Bosnjë, të maqedonasve apo shqiptarëve në Maqedoni, apo diku tjetër dhe nëse kjo bëhet parim kujtoj se do të kemi tronditje të mëdha. Mendoj se duhet ti pyesim edhe serbët në Serbi edhe shqiptarët në Kosovë, dhe të themi se edhe njëra palë edhe tjetra janë 99 për qind për ndonjë zgjidhje që bukur shumë është e njëanshme, nga aspekti i tyre legjitim, por nga ana e kompromisit jo mirë sa duhet. Kur ka filluar kriza në Bosnjë atje kanë jetuar 18 për qind kroat, kur u hartuan listat e votuesve serb për zgjedhjet parlamentare në Kosovë u konstatua se në Kosovë ka 18 zgjedhës serb. Por me këtë rast serbët janë konsideruar vetëm si një pakicë kombëtare e cila duhet të marrë pjesë në disa institucione pa kurrfarë të drejte kolektive. Kurse për kroatët në Bosnjë janë definuar të drejtat e caktuara kolektive, jo për tu shkëputur, por të respektohen si bashkësi kombëtare me domethënë konstitutive. Prandaj kur flasim për kompromisin ai duhet të gjendet midis Beogradit e Prishtinës. Unë nuk jam për mbylljen e syve para realitetit dhe të them se Kosova është krahinë në Serbi. Kjo që shkruan ashtu në Kartën kushtetuese është përshkrim i një gjendjeje legale, dhe thuhet në përputhje me Rezolutën 1244 të KS.
Me këtë janë hapur dyert për definimin e këtij raporti që duhet të sjellë disa elemente të rinj, e jo kthim në gjendje të mëparshme. Par ideja ime është që çështjen e statusit apo të sovranitetit ta zgjidhim përkohësisht në funksion të integrimeve evropiane ku për nga definicioni do të jemi rajone, dhe ku çështja e sovranitetit shtrohet krejt ndryshe. Nëse këtë shans e humbim për shkak të sovranitetit klasik atëherë kjo do të na kushtojë të gjithëve në rajon.

3. Sikur bashkësia ndërkombëtare sot tua dorëzonte juve Kosovën, a keni ide si do ta organizonit jetën atje, dhe me cilin politikan shqiptar do të kishit dashur të bisedoni për statusin e Kosovës?
– Z. Gjingjiq: Mendoj se për mua kjo do është kafshatë e madhe. Jo që këtë ta thotë bashkësia ndërkombëtare, por sikur të kërkonin nga unë shqiptarët e Kosovës që Beogradi të administrojë Prishtinën, unë do tu kisha thënë faleminderit – JO. Por unë do të kërkoja që të arrijmë një kompromis i cili në Kosovë duhet të jetë i ngjashëm me Federatën myslimano-kroate në Bosnjë. Ku edhe bashkësia shqiptare edhe ajo serbe do të kishin statuset e veta dhe të përpiqen që bashkërisht ta definojnë rregullin në Kosovë. Këtë sistem ne në Serbi do ta pranonim në një status asimetrik që do të ishte më shumë se krahinë, por më pak se shtet i pavarur. Dhe të shohim brenda një kohe të caktuar se a mund kjo të funksionojë me ndihmën e Beogradit e të bashkësisë ndërkombëtare, para se gjithash në kuptimin ekonomik. Pra, kur unë e shtrojë çështjen e statusit të Kosovës po e shtrojë çështjen e statusit të Serbisë. Sepse si mund ta definojë statusin e saj kur nuk e di se cili është territori i saj, si ta definojë trupin elektoral kur atë nuk e di. Prandaj duhet të gjejmë ndonjë zgjidhje që të mund të merremi me çështjet me rëndësi jetike.
Mirëpo, nëse politikanët shqiptar, thonë se neve nuk na intereson kurrfarë bashkekzistence, por na intereson ose pavarësia ose hiq, kuptohet se kundër këtij vullneti nuk mund të shkohet. Ne atëherë do të kërkojmë që një konferencë të bëjë përkufizimin dhe ndarjen e caktuar të Kosovës, sepse shumica e serbëve, apo 99 për qind e tyre, nuk duan të jetojnë në një shtet të tillë, dhe këtë duhet ta respektojmë. Pra, kjo është zgjidhja e fundit që nuk e donë as bota, ndoshta as ne, por nëse nuk ka zgjidhje tjetër, atëherë më mirë edhe kështu se sa një kërcënim vazhdimisht i hapur që na merr energjinë.
Për këtë duhet biseduar me ata politikan që mund të zbatojnë atë për të cilën merremi vesh. Për momentin ai është zoti Thaçi i cili ka parti të fortë, fuqi dhe vullnet. Sepse nuk ia vlen të bisedojmë me organizatat joqeveritare, ose me shqiptarët me orientim kozmopolit, sikur që nuk ju konvenon atyre të bisedojnë me ndonjë serb i cili thotë se do të jetojë në Kosovë pavarësisht se çka do të ndodh. Pra duhet të arrijmë marrëveshje në Beograd dhe Prishtinë me ata që mund të qëndrojnë prapa ndonjë vendimi, të cilët janë në gjendje të përballojnë edhe kritikën e opinionit në të mirë të ardhmërisë.
Sepse në Serbi më lehtë është të thuhet – “Kosova është zemra e Serbisë”, “Kosovën nuk e japim kurrë”, “ajo me çdo çmim do të mbetet jona, dhe përkohësisht është e pushtuar”, dhe në bazë të kësaj të fitohet shumica. Edhe politikanët shqiptar në Kosovë më lehtë do të fitonin mbështetje nëse thonë ne “jemi të pavarur”, “neve nuk na intereson Beogradi”, “ne do të bëjmë negociata me Uashingtonin”. Kujtoj se kjo nuk është perspektivë. Neve në Kosovë na duhen politikanë që mendojnë në mënyrë strategjike, që do të kuptojnë se marrëveshja me Beogradin është ai element që i legalizon edhe ata. Pra më mirë të bëhen kompromise për legalizimin e gjendjes, se sa të kërkohet maksimumi e gjendja të mbetet e pandryshuar. Nëse brenda dhjetë viteve të ardhshme nuk ia dalim të inkuadrohemi në Bashkimin evropian, kjo do të jetë disfata më e madhe për të gjithë politikanët në këto hapësira.

4. Zoti kryeministër a jeni ju të gatshëm si politikan pragmatik, që shqiptarëve tu kërkoni falje për të këqijat që ua kanë bërë regjimet e mëhershme serbe gjatë gati një shekulli të kaluar. Dhe sa janë mundësitë për arritjen e një pajtimi historik midis shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve, ashtu siç kanë bërë gjermanët e francezët?
-Z.Gjingjiq: Kujtoj se gatishmëria ekziston, dhe natyrisht se jam i gatshëm të shpreh keqardhje të madhe për viktimat e shumta që kanë përjetuar shumë njerëz, dhe për mua kjo nuk është e vështirë. Sepse edhe unë me familjen time bëjmë pjesë midis atyre që kanë pësuar, dhe e di se çka do të thotë të jesh qytetar i rendit të dytë në vendin tënd. Mirëpo e kaluara është e tillë çfarë është dhe tani, ne si gjeneratë që nuk jemi të ngarkuar me atë fajësi duhet ta tërheqim linjën, të bëhemi faktor kompromisi i cili do të kënaqte të gjitha palët. Këtu nënkuptojë qëllimet më të larta siç është modernizimi i shoqërive tona, avancimi i ekonomive, i jetës së njerëzve të zakonshëm, dhe jam i bindur se ky është ai motiv që mund të na bashkojë.
Sa i përket pyetjes së a munden serbët e shqiptarët të arrijnë ndonjë pajtim historik kujtoj se kjo nuk ka shans. Por ka mundësi që të arrijnë marrëveshjen për të mbërritur bashkë në cakun e caktuar, meqë edhe njëri popull edhe tjetri janë popuj praktik. Tek e fundit serish u dëshmua se në këto hapësira njerëzit edhe pas luftërave të përgjakshme po jetojnë bashkë. Prandaj edhe Beogradi e Prishtina duhet të bashkëpunojnë në të kundërtën do të kenë dëm nga njëri tjetri. Tek e fundit rruga Prishtinë – Bruksel gjeografikisht çon nëpër Beograd. Dhe nëse kjo rrugë mbyllet rrugët përreth janë më të vështira dhe më të shtrenjta. Pra jam i bindur se kompromisi është i mundshëm, se ekstremizmi sjell përkohësisht levëdri, kurse në afat të gjatë i çon në disfatë të gjitha palët, dhe ne jemi gjenerata që mund të bëjmë kompromis, në të kundërtën do të mbajmë përgjegjësi për shansin e lëshuar.