Pakistani ka nënshkruar një kontratë të pazakontë me Rusinë, e cila për herë të parë do t’i hapte rrugë trajnimit të ushtrisë pakistaneze nga oficerë rusë.
Marrëveshja vjen ndërsa janë përkeqësuar marrëdhëniet mes Islamabadit dhe Shteteve të Bashkuara, gjë që ka rezultuar në ndërprerjen e të gjitha programeve të shkëmbimit ushtarak me Pakistanin, duke lënë një zbrazëti që Moska po përpiqet ta mbushë.
Marrëveshja e trajnimit të sigurisë u arrit të martën në fund të takimit inaugurues dy-ditor të Komitetit të Përbashkët Konsultativ Ushtarak Rusi-Pakistan (JMCC), njoftohej në një deklaratë të ministrisë së Mbrojtjes të Pakistanit.
Sekretari pakistanez i Mbrojtjes Zamir ul Hassan Shah dhe zëvendës ministri rus i Mbrojtjes gjeneral Alexander Fomin, kryesuan delegacionet e tyre përkatëse në bisedimet në Rawalpindi, në selinë e komitetit.
“Të dyja palët mbajtën gjithashtu diskutime të thella mbi rrugët e bashkëpunimit në të ardhmen. Në fund, dy vendet nënshkruan kontratën për pranimin e anëtarëve të shërbimit ushtarak të Pakistanit në institutet e trajnimit të Federatës Ruse”, thuhej në deklaratën e ministrisë.
Partneriteti Islamabad-Moskë në fushën e sigurisë është forcuar dhe zgjeruar që nga fundi i vitit 2014, kur dy ish-rivalët nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes.
Rusia i shiti katër helikopterë luftarakë Mi-35M Pakistanit dhe që nga ajo kohë dy vendet kanë zhvilluar dy raunde stërvitjesh ushtarake kundër terrorizmit në tokat e njëri-tjetrit.
Ndërkohë, marrëdhëniet e Pakistanit me Shtetet e Bashkuara janë përkeqësuar ndjeshëm që kur Presidenti Donald Trump ka marrë detyrën. Ai ka fajësuar Islamabadin në strategjinë e tij për Azinë e Jugut, për fshehje të terroristëve dhe se nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndalur sulmet kryengritëse në Afganistanin fqinj. /Ayaz Gul/ Zëri i Amerikës/.