Busti i Havzi Nelës – M’u plotësua një ëndërr

Nga Rexhep Shahu

Ka ish ministër, ish kryeministër, ish president… ish dreq po të duash, por nuk ka ish shkrimtar… Me këtë fjalë të shkrimtarit Lazer Stani doja ta nisja përshëndetjen time.

Me vendosjen e bustit të Havzi Nelës në Kukës, me ndërtimin e shtëpisë së tij në Kollovoz nga Bashkia, me botimin e numrit special 14 të revistës Illz me Havziun në kopertinë dhe me botimin e librit Shkrimtarët për Havzi Nelën – Shpirti i lirë i Lumës të Klubit të Poezisë, m’u plotësua një ëndërr e madhe. Unë kam rendë pas kësaj ëndrre.
22 vjet më parë, në vitin 1996, deputeti Jemin Gjana, Shaban Memia dhe kryetari i degës së partisë demokratike në Kukës, Shefqet Bruka, më propozuan të bëhëm kryetar i Shoqatës Kombëtare Miqtë e Havzi Nelës. Natyrisht që pranova menjëherë.
U bë një mbledhje e madhe themeluese e promovuese në pallatin e kulturës në Kukës ku mbajta një fjalë në të cilën kërkova që të pranohet Havzi Nela, të pranohet. Ky të ishte qëllimi ynë, të pranohet Havzi Nela, ta ulim nga litari pasi atë botë ai ende ishte i varur në litar e lëkundej sa andej këndej. Ende dëgjoje tek thuhej “Havzi Nelë – kriminel”.
Endeshin nëpër dritëterr kalorësit e zinj të urrjetjes kundër Havzi Nelës, urrejtje se ashtu donte partia apo kishte dashtë e urdhëruar partia. Shumica si unë kishin të vetmin faj që nuk dinim se ç’po ndodhte ato kohë, nuk dinim se kishte mënyrë tjetër jetese, sistem tjetër politik, nuk besonim se do të shembej një ditë komunizmi e enverizmi shqiptar.
Disidenca e sotme e shumë njerzve qoftë edhe me fjalë kundër sistemit të kaluar më bën me vjellë troska, më nxjerr përjashta zorrë e mushkni. Unë kam qenë ky atëherë e sot dhe shumëkënd e kam njoftë atëhere e sot. Shtirjet e sotme si disidencë e djeshme janë mashtrimi më përfekt e i dhunshëm që i bëjmë vetes.
Nuk ishim fajtorë përveç fajit të heshtjes tonë kolektive, por silleshim si fajtorë në demokraci, sikur donim t’i qëndronim besnik të ligës që s’e bëmë ne, sikur kishim frikë të zgjoheshim prej ëndrrës së keqe e të shihnim se kishte ra sistemi.
Atëhere ishim mësuar të mos kishim përgjegjësi, të mos merrnim përgjegjësi pasi të gjitha punët e bëmat i dinte e bënte partia, edhe lugën në gojë na e fuste partia, e në demokraci gjëja e parë ishte të merrte individi përgjegjësi për veten se nuk mbante më përgjegjësi partia. Individi shqiptar nuk u gjend i zoti të merrte përgjegjësi ndaj ia kërkonte partisë t’ia zgjidhte gjithë gjërat, edhe t’ia punonte arën partia…
Sistemi kishte ra por shumë viktima kishin mbetë më të pranguar e shumë xhelatë ishin bërë më të frikësuar, e për pasojë më agresivë tani me fjalë kryesisht nga frika për vetmbrojtje.
Kohë të vështira, vështërsi të mëdha për një popull të vogël, ndaj si miell për bukë që s’ke ku merr veç te kojshia, filluan martesa e lidhje krushqie mes viktimave e xhelatëve. Etërit ishin armiq, bijtë e bijat po bëheshin miq dhe parullat po nxehnin hekurat në luftë fjalësh kundër komunistëve, kundër ish pushtetarëve dhe rrallë lufta shkonte te liderët e djeshëm të shtetit, por mbetej tek individët nëpunës, tek brigadierët, policët, gjykatësit, tek “enverët e vegjël”.
Pati dhe ka ende një kujdes deri në përfeksion të ruhej Ramiz Alia, të mos shahej koha e tij, shteti i tij, pushteti i tij por të paraqitet nga të përndjekurit e nga më të përndjekurit si i butë Ramizi, si i kultivuar, duke na bërë të bindemi me pahir se Ramizi ishte i mirë por nuk e lanë të sillte demokracinë “si i ka hije”. Këtë e përcjellin eksponentë të antikomunizmës si enveristë të kulluar me metodat e tyre të urrejtjes.
Havzi, në këto rrethana u gjallërua shumë bërllok në kazan e filloi të vlojë e keqja prej thartimit. Drejtues politik lokalë e qëndrorë të paaftë çelën shumë dyer ligësish dhe u bënë lolo të sistemit të ri, u bënë shkak të tallet sistemi demokratik prej paaftësisë e injorancës speciale të tyre.
Ordinerë të ndryshëm që vuajnë të kaluarën e tyre palavdishme e të turpshme, të kaluarën e shëmtuar të baballarëve të tyre në burgje a internime, që nuk e duan as veten sepse kanë kryer dikur vepra penale banale për të cilat janë dënuar apo internuar, që vuajnë pse s’janë para vetes së tyre të dinjitetshëm, që torturohen pse janë gjallë deshmitarë të palavdisë e të turpit të tyre, që torturohen pse janë dosjet e arkivat, të urrejnë Havzi, të përgojojnë, të linçojnë, të sakatojnë dhe me pasë mundësi të rivarin edhe duke shpallë në publik tavolinash të pista spiunash deklarata të shpifura dashurie e nderimi të skajshëm me fjalë për ty Havzi, edhe duke pengue me hip se të vrava e zbrit se të vrava…
Kanë 3 dekada që duan të të deheroizojnë, të të minimizojnë, të të zvoglojnë, të të poshtrojnë, të të ordinerizojnë, por nuk ia arrijnë kurrqysh dhe sëmurën nga pamundësia që të të zvoglojnë Havzi, sëmurën nga pamundësia që të jenë sa ti e si ti Havzi që i sfidoje sa ishe gjallë dhe i sfidon edhe i vdekur. Këta ordinerë totalë ikin e fshihen pas mjegullave, pas gishtave të këmbëve të tyre që të mos pëlcasin si kokrra e kripës në zjarr kur bëhet një nderim apo punë e mirë për kujtimin tënd Havzi.
Ngatërrestarë profesionistë të lig sa ligësia e të zij në shpirt sa terri i varrit, kanë 3 dekada që shpifin e ngatërrojnë me qëllimin e vetëm si e si të përçajnë e të ngatërrojnë njerzit e farefisit tënd Havzi, duke i nxitur e yshtur kundër njëri – tjetrit, ky është spiun e ky spiun e ai spiun. Nuk do të ankohem, nuk do ta nderoj askënd, por ta dinë se janë aktivë të përhershëm këto ngatërrestarë, janë të thirrur gjithmonë në zbor vjetor nga sigurimi i shtetit dhe ne e dimë se janë aktivë këto ngatërrestarë.
Kanë 30 vjet që duan të të çshenjtërojnë ty Havzi hero që të bëri të tillë litari, vepra jote e ndërgjegjshme, çfarë fole e shkrove, se dole kundërshtar i hapur, i bindur, i ndërgjegjshëm i diktaturës dhe jo kundërshtar pahiri apo kundërshtar rastësisht kundërshtar. Komunizmi e diktatura nuk varën miqtë e saj, por armikun e saj, nuk varën morra e liliputë komunistë që hynë në burgje se vodhën a përdhunuan, që hynë në burgje si komunistë duke iu lutur e përbetuar për falje e besnikëri partisë dhe dolën nga burgjet enveristë që kanë shaluar kuajt e urrejtjes dhe ngado shkojnë përhapin urrejtje e ngatërresa me ndezë gjakmarrje.
Përpjekje pa fund janë bërë e bëhen për me të zvoglue ty Havzi, për me të minimizue ty dhe shembullin tënd, veprën e poezinë tënde. Ata që kujtojnë se janë më të mëdhej se ti Havzi në famë, lavdi, disidencë e poezi, nuk e durojnë dot vogëlsinë e tyre liliputërinë e tyre dhe të urrejnë ty Havzi. Guxojnë ta shpallin urrejtjen ndaj teje, guxojnë të shpallin urrejtje meskine ndaj atyre që me punë e vepra të nderojnë ty Havzi.
Në 22 vite kam bërë disa shkrime, kam folë shumë fjalë për Havzi Nelën, kam bërë shumë debate e polemika. Natyrshëm, pa asnjë interes përsonal jam vu shpesh në mbrojtje të Havziut pasi kam parë shpesh se po e përdornin, po e keqpërdornin, po e shalonin, po e ripnin, po e vidhnin dhe u bënë shumë pronarë të tij, pengmarrës të tij që e privatizuan heroin e lirisë.
Si erdhëm deri te busti i Havzi Nelës.
Me 8 mars 2018, kryetari i bashkisë Kukës, Bashkim Shehu, veç të tjerave, më premtoi derdhjen në bronx të bustit të Havzi Nelës. Dhe u bë. Havziu është në bronx.
U irrituan sa kurrë më parë pengmarrësit e Havziut, nuk e duronin dot faktin që dikush tjetër në këtë republikë duhet të merret me Havziun. Mendonin pronarët a pengmarrësit e Havziut se ata kishin hipotekën mbi të. Dikush kishte bërë libra për Havziun, dikush kishte bërë shkrime, shumë shkrime, dikush kishte paguar para, shumë para, dikush donte para të tjera për t’ia bërë bustin ose një shtatore, ose një përmendore ose një momument, ose një asgjë por veç ta përdornin emrin Havzi, ta shalonin për t’u bërë deputet mbi kurrizin e shpatullat e Havziut.
Është drithëruese sot të dëgjosh të thonë “Havziu ynë”, “Havziun tonë”. Na e mori bashkia Havziun tonë, nuk duhej të përzihej bashkia e Kukësit as ai Rexhepi me Havziun tonë. Këto janë nga enverizmi, Enveri ynë, Enverin tonë… Kjo është neveria.
Në vend që të gëzohen e të thonë mrekulli që po angazhohen shumë njerëz e struktura për ta nderuar Havzi Nelën, vajtojnë se ua mori dikush Havziun. Vajtojnë pengmarrësit. Dhe nuk e fshehin dot urrejtjen e pakënaqësinë, nuk tregojnë klas e diplomaci por janë agresivë, nuk marrin pjesë në ceremonitë për Havziun që bën Bashkia.
Ndërtimin e shtëpisë së shembur të Havziut në Kollovoz, kryetari Bashkim Shehu e kishte paravendosur vetë para një viti me Dilaman Nela.
Premtimi i 8 marsit 2018 u bë kalendar aktivitetesh për Bashkinë Kukës në vitin e Havzi Nelës, u bë Urdhër i kryetarit të Bashkisë me 13 mars, urdhër nr. 125/1, një nga aktet më fisnike që ka firmosur ndonjë kryetar bashkie.
Veç derdhjes së bustit në bronx e vendosjes së tij në piedestal në lulishten e bulevardit kryesor, para gjimnazit Kukës në 12 qershor 2018, u vendos të ndërtohet shtëpia e Havziut e të inagurohet me 10 gusht në prani të shkrimtarëve që do të vijnë për pelegrinazh atë ditë te shtëpia e tij, siç erdhën në inaugurimin e bustit të Havziut.
Pelegrinazhi i shkrimtarëve për tek busti, tek shtëpia e Havzi Nelës që do të inagurojë kryetari i bashkisë me 10 gusht 2018 dhe te varri i Havzi Nelës, është aktiviteti i Klubit të Poezisë dhe Institutit të studimit të krimeve të komunizmit të Agron Tufas me mbështetjen e kryetarit të Bashkisë Kukës, Bashkim Shehu, dhe të humanistit Flamur Hoxha.
Veç kësaj, kryetari i Bashkisë Bashkim Shehu ka vendosur të mbështesë pjesërisht botimin e numrit special të revistës Illz kushtuar shkrimtarëve të varur, të pushkatuar e të vdekur burgjeve dhe në ballinë të numrit special të revistës do të jetë poeti Havzi Nela, ndërsa në ballinën e pasme do të jenë dy poetët e pushkatuar të Librazhdit, Vilsoni e Genci.
Veç numrit special të revistës me Havziun në kopertinë, me 10 gusht do të promovohet libri që po shkruhet me esetë e shkrimtarëve të ftuar në Kukës në ceremoninë e inaugurimit të bustit të Havzi Nelës. Këtë libër do ta botojë Klubi i Poezisë me sponsorizim të Flamur Hoxhës, i cili ka dhënë shumë rroga deputeti sponsorizime librash e për 14 numra të revistës Illz, ani se librat nuk hahen.
Faleminderit të gjithë shkrimtarëve që erdhët në Kukës për të nderuar Havzi Nelën. Kështu nderojmë veten tonë. Kurrë kjo sallë e ky qytet nuk ka patur më shumë shkrimtarë të rëndësishëm. Faleminderit.

(Kjo është fjala ime e plotë që nuk e lexova në Sesionin perkujtimor të shkrimtarëve kushtuar Havzi Nelës me 12 qershor 2018, por perifrazova pak prej saj si përshëndetje, në çelje të Sesionit dhe në mbyllje të tij, që të mos zgjatej veprimtaria.)

Fotografia e Rexhep Shahu