Prodhuesi i kondicionerëve Daikin dhe ai i pajisjeve elektronike NEC po vënë në provë një sistem që përdor kamera të bashkangjitura në kompjuterët e punonjësve për të monitoruar lëvizjet e ndryshme të kapakëve të syrit. Kur njeh shenja përgjumjeje, sistemi ul temperaturën e dhomës.
Ky koncept u zhvillua pasi një studim paraprak u përpoq të gjente mënyrën më efektive për t’i mbajtur njerëzit të vëmendshëm, ose të paktën zgjuar. Studiuesit u kërkuan pjesëmarrësve të provës që të zgjidhnin probleme të thjeshta matematikore në kushte të ndryshme, ku përfshihej ulja e temperaturës së dhomës me disa gradë, rritja e ndriçimit dhe spërkatja e aromave të ndryshme në mjedis.
“Studimi ynë tregoi se ulja e temperaturës është efikase… sidomos në fazat e para të përgjumjes”, u shprehën kompanitë në një deklaratë të përbashkët. Planifikohet që ky sistem i ri të bëhet zyrtarisht i disponueshëm në vitin 2020, tha një zëdhënës i Daikin. Kompania dëshiron gjithashtu të ndërtojë kondicionerë që të jenë në gjendje të lëshojnë ajër të freskët tek punonjësit që vihet re se janë gati të dremisin.
Ditë të gjata në zyrë
Në parim, ligjet e punës në Japoni lejojnë 8 orë pune në ditë dhe maksimumi 40 orë në javë. Megjithatë, këto rregulla nuk respektohen gjithnjë nga punëdhënësit dhe nuk imponohen me efektivitet nga autoritetet. Në praktikë, shumë punonjës në Japoni punojnë me orë të zgjatura. Në vitin 2016, 7.7% e popullsisë që punonte me kohë të plotë, shpenzoi çdo javë 60 orë ose më tepër në vendin e punës. Shifra është më e lartë për meshkujt (11.7%) sesa femrat (2.6%) dhe grupi më i prekur janë meshkujt në të dyzetat, ku 15.2% e tyre punojnë mbi 60 orë në javë.
Në japonisht, “karoshi” do të thotë “vdekje nga mbingarkesa e punës”. Kontrolli i orëve të punës mund të ndihmojë në uljen e incidenteve të karoshit, por kjo nuk mund ta zgjidhë plotësisht problemin nëse nuk zbatohen me efektivitet rregullat e punësimit.
Burimi: World Economic Forum