Visar Zhiti: Shqipëria burgosi veten e saj

Visar Zhiti, poet dhe shkrimtar i njohur, ish i burgosur i komunizmit, thotë se duke i hedhur atij prangat, Shqipëria burgosi veten e saj. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai thotë se ashtu si shumë bashkëvuajtës të tjerë, ka gjetur dosjen e tij që është plot me pseudonime të njerëzve të cilët e spiunuan dhe e burgosën vetëm e vetëm se kishte shkruar disa poezi. Vuajtja na mëson të dimë të duam, tha zoti Zhiti në intervistën me kolegun tonë Ilir Ikonomi në një park të Uashingtonit. Shkrimtari, i cili sapo ka përfunduar detyrën në Ambasadën e Shqipërisë në kryeqytetin amerikan, rrëfen vitet e tij të burgut, formimin si poet dhe ndjeshmëritë e jetës.

https://www.zeriamerikes.com/a/interviste-visar-zhiti-ish-i-burgosur-komunizmi/4513807.html

Transkriptimi:“Jam arrestuar në vitin 1979. Isha 26 vjeç e pak. U arrestova për poezinë. Akuza ishte e tillë që ‘janë poezi të trishtuara, jo të realizmit socialist, shpeshherë flasin me gjuhë metaforike, me gjuhën e Ezopit, kundra regjimit, kundra socializmit’. Por, unë jam koshient, ato nuk ish trakte, ishin poezi të një të riu që kishte qef të shoshte diçka, të zgjeronte lirinë e tij nëpërmjet tyre…

Dola në gjyq, u dënova me 10 vjet burg. Të gjitha krimet e mia ishin vargje, vargje, vargje. Ato u ciatuan. Shkurt, më dërguan në kamp, në Burgun e Spaçit, në minierë. Aty gjeta qindra e mijëra njerëz të tjerë…

Kur arrita në burg, fasada e ngrehinës ku flinin të burgosurit kishte slogane të shkruara me të kuqe, kurse fjala ‘armik’ shkruhej me të zezë. Një nga sloganet ishte ‘Ne dënojmë ata që veprojnë keq, ata që flasin keq, ata që mendojnë keq’…

Kur u arrestova dhe më futën në qeli vetëm, i provova atje të katër stinët e vitit, në vapën e tmerrshme që lëshonte qelia apo në të ftohtin e madh ku ngrinin ato hejet e akujve brenda në qeli, në qelinë ku lëvrinin edhe minjtë… Njeriu krijon një aleat brenda vetes, kërkon shpëtim, kërkon shpëtim brenda asaj pamundësie, brenda asaj drame të rëndë. U kërkova ndihmë librave. Atyre që i kisha lexuar si i ri. Dija poetë përmendësh, poezitë e tyre. E doja shumë në rininë e parë Eseninin, Uollt Uitmanin, me poezinë e të cilit ishim rritur…

Mbasi i thosha poezitë e tyre përmendësh, erdhi njëfarë kohe që, në këtë mbyllje, në këtë humnerë, në këtë shkretëtirë, ato nuk më jepnin më atë që më jepnin dikur, sepse më mungonin t’i prekje: lumin, qiellin, yjet, hënën, njeriun, zërat…

Dhe fillova të vargëzoja aty brenda për gjërat që ishin përreth: për murin, për copën e thatë të bukës, për minjtë, për policin, për cigaret… Fillova të them vargje, t’i përsërisja. M’u dukën poezi, u gëzova që arrita t’i bëja siç i bëra në atë mynxyrë… bëra edhe të dytën, të tretën… Pastaj fillova t’i përsërisja çdo ditë. U shtuan. I ndava: poezitë e së hënës, e së martës… Harrova përse isha arrestuar. M’u duk sikur këtë punë e kisha tani, këtë urdhër kisha marrë nga qielli, të krijoja…

Më kujtohet cicërrima e një zogu tek frengjitë e qelisë. Më lindi dëshira atë cicërrimë ta ktheja në vargje, se më kumboi mjaft bukur, dhe arrita të them me vete:

‘Kaq bukur këndoi bilbili te hekurat e frengjisë sime sa dhe hekurat m’u dukën si degë të blerta qershie. Dyshemeja u mbush plot me cicërime dhe unë po i mblidhja, po i mblidhja si thërrime buke, si thërrime jete, një nga një’

***

“Unë e kam kërkuar dosjen time, e kam marrë, ma ka dhënë autoriteti i dosjeve…

Kam gjetur shumë pseudonime, kam kërkuar t’i di emrat e tyre. Disa kam arritur t’i di, disa nuk i di akoma…

Ishte koha e tillë, e rëndë, ishte e tillë që njeriu ishte kundër tjetrit, njeriu ishte kundër vetes. Unë kam guxuar t’i vë emrat e tyre, aq sa kam ditur, në botimet e mia, në ato që i quaj ‘Burgologji’, në librat “Rrugët e ferrit” e “Ferri i çarë”… Si të thuash, i kam lënë aty, në një dosje që është kundra dosjes sime. Dikush që është i interesuar e hap, e gjen, e lexon… Kam një ndrojtje të them emrin e tij, emrat e tyre… Bile, ajo që më vjen më përpara në mend është një distikt, një dyvargësh, që thotë: ‘Në botën e rrëmujës dhe të vajit, vëllezër faljani vëllait’

“Duke më hedhur mua pranga, Shqipëria në njëfarë mënyre ia hodhi vetes. Duke më çuar mua në bankën e të akuzuarit, Shqipëria e çoi dhe vetëveten, duke më dënuar mua, Shqipëria u dënua edhe vetë. Pra, ne e dënuam njëri-tjetrin, atdhe i dashur…

“Im bir do të kisha shumë dëshirë të mos dinte gjë për burgun. Nuk i tregoja, nuk  i flisja se i vogël. Por, ndodhi që në një intervistë, unë po flisja për burgun dhe ai m’u kthye dhe, gjithë dhembje, gjithë kërshëri e i alarmuar: ‘baba, ti ke qenë në burg?’. ‘Po’ i thashë.’Po mirë – tha – a futen të gjithë në burg?’…

“Ky është një libër me poezi dhe vizatime. Poezitë janë vendosur në dy gjuhë, në shqip dhe në italisht, të përkthyera. Po kaq të rëndësishme, sa poezia, ky botim ka edhe vizatimet që e ilustrojnë librin. Janë dhjetë vizatime të bëra nga një fëmijë dhe një adoleshent. Ai është im bir. Pra, jemi të dy së bashku në një libër”…

“Mua më pëlqente shumë që im bir, shokët e tij, gjithë brezi i tij, ëndërronin të bënin një Shqipëri më të mirë se sa të etërve. Në ndryshim nga ne, nga brezi im si të dënuar, që ëndërronim, luteshim që të vinte bota të na shpëtonte, të bënte Shqipërinë, fëmijët tanë…Më pëlqente shumë im bir që thoshte: ‘Jo, do ta bëjmë ne.’

“Vuajtja na mëson të dimë të duam. Në këtë kuptim, porosia është: çdo ditë çmojeni, çdo ditë vlerësojeni, duajeni, ajo është copë jete, copë dashurie… Nuk keni të drejtë t’ia merrni tjetrit, nuk keni të drejtë të dënoni askënd, siç thoshte Nënë Tereza shkëlqyer: ‘Në qoftë se ti do të gjykosh të tjerët, s’do të kesh kohë t’i duash ata”…

/Transkriptoi: Ramadan Muçolli / Ky tekst u mor nga gazeta “Illyria” e New Yorkut, Amerikë/