Nga Berat Luzha – Kosovë
Në prag të fillimit të dialogut Kosovë – Serbi, gjithnjë e më shumë po flitet për gjoja mundësinë e ndarjes së Kosovës, por edhe për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë. Këto teza po i lanson Beogradi për konsum politik, për të krijuar huti dhe për ta futur Prishtinën në një rreth vicioz, nga nuk dilet dot.
Serbia nuk e do ndarjen, sepse ajo Kosovën e do të tërën. Politika shekullore serbe kundër shqiptarëve asnjëherë nuk ka qenë për ndarje në vija etnike, por për pushtime territoresh.
Derisa ende Serbia pretendon se Kosova është tokë serbe, atëherë është iluzion të mendojmë se Beogradi do të pajtohet ndonjëherë për ndarjen e territorit të Kosovës në vija etnike.
Aq më pak Beogradi do të mund të pajtohej për ndonjë shkëmbim territoresh me Kosovën. Politika (e rafinuar) serbe nuk ka pse të bëj shkëmbime, kur të dy territoret i konsideron si të vetat dhe, faktikisht, i ka në dorë.
Duhet ta dijmë se Serbia të gjitha forcat do t’i përqendrojë te asociacioni – zajednica, si njësi administrative territoriale dhe politike me primesa të federalizmit. Serbia e do Kosovën sikur Bosnjën, shtet të dështuar – jofunksional me “zajednicën” brenda saj, si një kancer i përjetshëm, me shpresë se një ditë do t’i bashkohet “me hatër apo me zor”!
Prandaj, kujdes nga “federalizimi boshnjak” i Kosovës!