“VETING”

Nga Astrit Lulushi – Washington D.C.

‘Vet’ është tkurrje figurative e veterinarit, që filloi të përdorej në mesin e shekullit të 17-të. Veterinerët ato kohëra, por edhe sot, trajtonin edhe njerëz. Forma e fjalës, që do të thotë “trajtim i një kafshe”, erdhi disa dekada më vonë. Sipas tjalorit anglisht të Oxfordit, përdorimi më i hershëm i fjalës ‘vetting’ i përket vitit 1891 – dhe përdorej kryesisht në kontekst të kalërimit. (Ai e verifikoi kalin para garës”, ose “duhet ta verifikosh atë kalë para se të garojë”, etj.) Në fillim të viteve 1900, ‘vetting’ filloi të përdorej si sinonim për “vlerësim”, veçanërisht në kontekstin e kërkimit të gabimeve. Një personazh i Rudyard Kipling thotë për një batalion ushtarësh – Kjo është turma jonë … Ata janë verifikuar (vetted), dhe tani po i shpërndajnë nëpër postet e tyre. Përmes dekadave të fillimit të shekullit të 20-të, fjala ‘vetting’ ishte kryesisht një britanizëm dhe u bë mjaft e përhapur gjatë viteve 1930, veçanërisht për të treguar ekzaminimin e kandidatëve për pozita ushtarake, si dhe inspektimin e dorëshkrimeve ose fjalimeve para se të bëheshin publike. Gjatë dy dekadave të ardhshme, shprehja ‘vetting’ kaloi Atlantikun, duke mbërritur në Amerikë. Revista Time në Nju Jork e përdori fjalën ‘vetting’ për ‘verifikim’ për herë të parë në vitin 1945, por vetëm në kontekstin e një  citimi nga libri “The Anatomy of Courage”. Pastaj po kjo revistë më 1959 e përdori fjalën ‘vetting’ në një artikull mbi zgjedhjen e një drejtori të ri për Filarmoninë e Los Anxhelosit,

‘Vetting’ shfaqet edhe një herë në vitet 1960,  dhe pastaj disa herë në vitet 1980. Gazetari William Safire fillimisht u përpoq t’i bëjë një ‘vetting’ kolonës së tij “On Language” në vitin 1980. Në përgjigje të një ankese të një lexuesi se revista “Newsweek” e kishte përdorur fjalën ‘vetting’ dy herë brenda dy javësh, Safire vuri në dukje se disa fjalorë e kanë atë dhe se britanizmi është në modë në përdorim në Amerikë sot. Ai i kushtoi një kolonë të dytë kësaj fjale në vitin 1993, duke thënë se shprehja është e saktë për përdorim në anglishten e Amerikës. Që nga ajo kohë, gazeta New York Times filloi ta përdorte shprehjen më shpesh, veçanërisht në lidhje me të emëruarit e presidentit të atëhershëm Bill Klinton për poste publike,  të cilëve u duhej të kalonin në një proces ‘vetting’ a verifikimi.

Me dashje ose jo, Shqipëria sot është përfshirë nga një  ‘vetting’. Pas gati 30 vjetësh vëzhgimi e ndihma, Perëndimi më në fund vendosi se me sistemin e korruptuar juridik, vendi nuk del dot nga bataku ku ka rrënë. Kërkesa është e hapur; duhen njerëz të përshtatshëm, të përkushtuar për të bërë më shumë se po bëjnë tani, dhe të vjedhin aspak. Duhen njerëz që ta kuptojnë drejtësinë ashtu siç është, e drejtë, sepse nëse nuk janë shumë të mëdhenj për vendin që zënë, ata janë shumë të vegjël për ‘të, dhe duhet të ikin.