Profesori, piktori, veprimtari i shquar, Halil Ahmeti

( Intervistë me profesor Halil Ahmetin në Gjakovë )

Halil Ahmeti ka lindur në Ponoshec të Gjakovës më 24/06/1956. Arsimin e detyrueshëm e ka mbaruar në vendlindje, ndërsa atë të mesëm, të artit, me drejtim Arkitekturë e ka mbaruar në Pejë.

Akademinë e Artit dhe studimet posdiplomatike i ka përfunduar me sukses në Prishtinë, para 10 vjetëve.

(Në foto: profesor Halil Ahmeti)

-Zoti Halil : Sot aktualisht më se merreni ?

Këto vitet e fundit jam mesues i Edukimit Figurativ (Pikturë) në gjimnazin “Hajdar Dushi”të Gjakovës.

… Në bisedë e sipër ndërhyn Migena Arllati: Me profesor Halilin jemi kolegë në gjimnazin “Hajdar Dushi”, por jemi edhe shokë. Profesor Halili  është shumë puntor, i thjeshtë, fjalëpak e punëshumë, bujar e fisnik.

Krahas mësimdhënies, ku bën një përgatitje shkencore-metodike, që është për t’iu marrë lakmi, ka  vazhdimisht suksese me nxënësit dhe është shumë i komunikueshëm me kolegët dhe komunitetin, në trekendëshin mësues, nxënës dhe prindër.

-Zoti Halil: A mund të na tregoni diçka për punën tuaj ? Migena ju ngriti në qiell…

Ai u skuq dhe sikur u zu ngushtë, ndoshta nga hutimi, e ktheu kafen me shpejtësi dhe filloi të djersitej.

Puna me nxënësit është art më vete, thotë profesor Halili. Krahas mësimdhënies dhe mësimnxënies kam organizuar edhe ekspozita në pikturë me nxënësit e mi, sidomos çdo 1 Qershor është bërë traditë për çelje ekspozitash me nxënësit e gjimnazit “Hajdar Dushi”. Nga kujtesa nuk më hiqen pjesëmarrja e disa shkollave të Gjakovës me 300 punime (në pikturë) të ekzpozuara në ambientet e Muzeut Historik në Shkodër. Nxënësit rrisin dëshiren per t’u marrë me art, duke shkëmbyer përvojën mes dy qyteteve Gjakovë e Shkodër, duke krijuar rrjetin shoqëror të tyre, për një të ardhme të përbashkët jo vetëm kulturor, por edhe politik dhe gjeografik.

(Në foto: Profesor Halil Ahmeti duke shikuar punimet e nxënësve)

-Zoti Halil : Po ju vet a jeni marrë me pikturë si krijues ?

Po kam hapur disa ekspozita në pikturë, vetiake dhe me kolegë.

Më shumë jehonë janë pritur nga artdashësit ekspozita me kolegun tim nga Shkodra, piktorin Muhamet Ganjolla, hapur në Galerinë e Arteve “Vizioni I Ri 2000” dhe në Pallatin e Kulturës “Asmi Vokshi” po në  Gjakovë.  Ekspozita “Bota Shqiptare ndër shekuj” në Tiranë, me pjesëmarrje shoqatën “Drini, Gjakovë-Shkodër” dhe “Adriatik Alpe”, ku nëpermjet kësaj ekspozite shumë domethënëse del në pah krenaria dhe dhimbja jonë në breza…Ekspozita në pikturë ishte e suksesshme.

Edhe ekspozita treshe, unë, piktori ngaTropoja, Abdullah Gjongecaj dhe ai nga Shkodra, Muhamet Ganjolla, ku u prezantuan punimet me karakter kombëtar të periudhes së Pavarësisë së Shqipërisë 1912 deri në Luftën e fundit në Kosovë.

(Në foto: Ndërkombëtarët duke e nderuar me mirënjohje profesor Halil Ahmetin)

-Zoti Halil : Po me Shoqëritë Civile a merreni ?

Po. Jam kryetar i Shoqatës “Drini, Gjakovë-Shkodër”.

Kjo shoqatë ka zhvilluar shumë aktivitete në Shkodër dhe Gjakovë. Kemi organizuar  edhe disa sesione shkencore në Shkodër dhe Gjakovë, të cilat i kemi mbledhur në një almanak dhe i’a kemi shpërndarë shoqatës, ambasadorëve dhe qeverive të të dy vendeve, si dhe intelektualëve të ndryshëm.

Aktiviteti më i rëndësishëm i yni, është Korridori “Adriatik-Alpe”, rruga e re Gjakovë-Shkodër, sipas projektit 172 kilometër shtrirje, çka do të thotë që nga Gjakova në Shkodër arrihet për 90 minuta, ku na bashkojnë traditat kulturore, tregtare, vëllazërore, na bashkon edhe lumi Drin që kalon nëpër këto dy qytete. Pikërisht emri i lumit u bë edhe shkak për emërimin e Shoqatës tonë “Drini, Gjakovë-Shkodër”.

Kjo rrugë ka mision fisnik, e cila do të shtojë vlerat e përgjithshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas projektit, rruga do të integrojë 800.000 mijë banorë nga të dy anët. Lëvizja e pasurive nëntokësore dhe ato mbitokësore, do të ndihmonte, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë kulturor. Kjo rrugë do të sjellë integrim jo vetëm të zonës, kombit, por edhe të mbarë rajonit, duke shtuar vlerat e përgjithshme ndërkufitare, duke i bashkuar projektet në një mënyrë që në Europën e Bashkuar të jemi unik. Qëllimi kryesor është integrimi mbarëkombëtar në kulturë dhe ekonomi.

Ky korridor do të jetë Gjakovë, Ponoshec, Qafë-Morinë, Shëngjin, ku përshkon Tropojën, Pukën, Lezhën dhe Shkodrën. Ky korridori plotëson të gjitha kushtet gjeografike, klimaterike, teknike në kuotat e ulëta të Drinit.

Ky korridor, “Adriatik-Alpe”, që është pagëzuar me këtë emër, është i gjatë 172 km. deri tani nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, janë investuar (përfunduar) 122 km dhe mbeten pa përfunduar edhe 51 km dhe kam besim tek te dy qeveritë se do të bëhet realitet ky projekt madhor.

-Zoti Halil: Kur jeni ndier me i suksesshëm në karrieren tuaj ?

Për shumë vite kam qënë në udhëheqje të LDK-së për Rekën e Keqe dhe Rrafshin e Ponoshecit dhe në Gjakovë.

Por më i lumtur kam qënë kur isha deputet në Kuvendin e Kosovës, në Zgjedhjet e para Presidenciale të Kosovës.

Halil Ahmetit si profesor, si piktor, si kryetar shoqate, si politikan dhe si baba, që ka rritur dhe edukuar pesë fëmijë, i urojmë që të ketë në jetën e tij aktive vetëm gëzime.

Autori Ibrahim HAJDARMATAJ*

*Kryetar i OJF “Mësuesi”