E shikoj veten dhe si sfidant e triumfues ndaj drejtuesve të papranueshëm…

-Intervistë me gazetarin e njohur të ekranit e penës, Xhelal Markun, “Nderi i Qarkut Dibër” e “Qytetar Nderi” i ish-komunës së vendlindjes – Reçi i Dibrës; një jetë punë me kontribute në TVSH; autor i monografisë “Turizmi Shqiptar’- i të parit libër kombëtar për turizmin në Shqipëri;  kryetar i grup-seksionit nr. 4 të Degës nr. 2 të PD për Tiranën –

                                                      

Pyetje:

– Z. Xhelal Marku, ju njiheni si një nga gazetarët më të vlerësuar e më të suksesshëm të Radiotelevizionit Shqiptar, me një kontribut të çmuar e shumëvjeçar në shtyp dhe në Median Kombëtare, çfarë do të vlerësonit më shumë në punën tuaj gjatë këtyre viteve?

Përgjigje:

– Faleminderit për komplimentin dhe vlerësimin tuaj, miku im i kahershëm Ramiz Lushaj! Sigurisht, kur të vlerësohet puna, ndjehesh jo vetëm krenar, por edhe më i obliguar dhe më i përkushtuar në profesionin tënd, pasi mendon se gjithë ato sakrifica ndër vite, nuk kanë shkuar kot, ç’ka të jep energji të reja dhe të shton përpjekjet për të tjera arritje! Dihen tashmë vështirësitë tona si gazetarë, që punuam në dy sisteme, ku në kohën e diktaturës, kishte edhe shumë kufizime për gazetarët dhe sidomos për gazetarët e medias, që ishin nën monitorim të përditshëm dhe kontrolloheshin hap pas hapi, për zë e për figurë, ku çdo “gabim” apo dhe lapsus ndëshkohej me rreptësinë më të madhe. Dihet gjithashtu edhe fati i keq i disa kolegëve tanë, që janë detyruar të ndërpresin karrierën e tyre edhe pse ishin shumë të aftë e të talentuar dhe profesionistë të spikatun. Ndaj, them, se kam qënë jo vetëm me fat, por dhe një gazetar i kujdesshëm dhe profesionist i përkushtuar në detyrë, për të mos rënë në grackën e kufizimeve të at’hershme.

Duke e parë punën time me këtë sy, them se kam ditur të shmang me zgjuarësi,    profesionalizëm e guxim çdo problem, duke qënë i suksesshëm dhe cilësor në dhënien e informacionit. Dhe kjo më bën të ndjehem krenar për kontributin tim si ish gazetar i Medias Kombëtare, në RTSH për gati tre dekada, ku u kalita përmes vështirësive dhe afirmova aftësitë e mia profesionale. RTSH, para viteve ’90-të, si e vetmja Media Kombëtare në vend që ishte, na bëri të njohur e të respektuar në mbarë opinionin dhe na rriti emrin e prestigjin si gazetar, por dhe na aftësoi shumë profesionalisht. Ajo ishte për të gjithë ne, një shkollë e madhe, ishte një Akademi e vërtetë Mediatike në vend, nga e cila, pas viteve’90-të, të gjitha mediat e tjera private mësuan dhe morën prej saj, jo vetëm përvojë, por dhe shumë materiale të rëndësishme arkivore, të cilat i përfituan në rrugë korruptive e trafiqesh të paligjshme.

Me qënëse përmenda arkivin e TVSH-së, theksoj, sipas një përllogaritje të shpejtë, se vetëm nga arkivi im (kronika, reportazhe dhe emisione të ndryshme), Televizionit Shqiptar i duhen sot më shumë se dy vjet kohë për transmetimin e tyre. Ja pra, kjo ishte puna jonë në atë kohë. Një punë e vështirë  dhe me shumë përgjegjësi, por dhe në sektorë të ndryshëm, që nga thellësitë e minierave, fushat e bujqësisë, skenat e artit, shkollat, spiatalet e deri tek lartësitë e bjeshkëve, ku shpesh udhëtonim edhe në këmbë dhe në mot të keq, përmes borës e ngricave të dimrit, apo përmes zhegut e vapër përvëluese të verës. Lodhja dhe sakrificat ishin të mëdha, por kur vlerësohej puna e bërë, harrohej gjithshka, ndjeheshe komod dhe i nderuar në gjithë opinionin vendas, ç’ka të jepte forcë dhe energji të reja për të ardhmen. Ky ishte dhe motivimi ynë për të sakrifikuar sa më shumë në emër të një pune më të mirë e më profesionale. Ndaj, them me bindje të plotë, se ishte puna ajo, që më bëri mua të njohur dhe të vlerësuar në Media, sepse unë kam pasë fatin të jemë gazetar i RTSH –së në rrethe me industri të rëndë, si në: Mirditë, Pukë, Mat, etj, ku kishte shumë miniera, fabrika dhe uzina të përpunimit të mineraleve. Rëndësia që kishin këta sektorë në ekonominë e vendit, më jepte mundësinë, që 50 përqind e Lajmeve kryesore të TVSH-së, të hapeshin me kronikat e mia, që pasqyronin punën në miniera, fabrika apo në uzina të bakrit e të kromit. Për këtë qëllim, Televizioni më kishte pajisur edhe me një motor tricikël, superjawa 350, për të mbajtur me kronika të rëndësishme nga sektori i industrisë minerare, të ashtuquajturën Revistë Televizive.

Pyetje:

-Si e vlerësoni punën e drejtuesëve të asaj kohe?

-Përgjigje:

– Në përgjithësi, në atë kohë, drejtuesit zgjidheshin për vlerësim e besueshmëri partiake, se sa për aftësi profesionale, pasi kishte nga ata që ishin redaktorë të lajmeve, që vinin nga klasa punëtore dhe nuk njihnin rregullat e drejtshkrimit e le më pastaj, profesionin e gazetarisë. Ky fakt na rëndonte dhe më shumë në punën tonë, por ne bënim një sy qorr e një vesh shurdh, për të mos u atakuar me ta, sepse ata, siç ishin të paaftë, ishin dhe shumë hakmarrës, por dhe të korruptuar, që ishin mësuar nga disa ish kolegë të mi, t’u sillnin peshk, mollë, fasule apo ndonjë artikull tjetër, që ta kishin mirë me ta. Unë nuk kisha artikuj të tillë, veçse minerale, por kuptohet se minerali ishte i padobishëm për ta. Kështu që, unë kam çarë me forcën e profesionit e të aftësive të mia, ndaj shpesh edhe jam ndeshur me ta, por që fatmirësisht kam triumfuar ndaj tyre, për shkak të argumentit punë dhe vetëm me punë të palodhur e cilësore, kam ditur t’i shmang kundërvëniet e tyre.

Pyetje:

-Për të qënë një gazetar i suksesshëm, siç jeni vlerësuar ju, a ka ndonjë sekret profesional?

Përgjigje:

– Nuk mendoj se ka ndonjë sekret të madh në këtë që thoni ju, por mendoj, se profesioni i  gazetarisë kërkon përveç aftësive profesionale, talentit e pasionit për të shkruar edhe disa cilësi njerëzore, që me domosdo duhet t’i ketë çdo gazetar, para se të nis punën në këtë profesion. Dhe në radhë të parë, gazetari duhet të jetë i guximshëm për të ngritun e mbrojtun çdo problem, që është në interes të publikut dhe i shërben atij, të jetë i pakorruptueshëm dhe i drejtë e i argumentuar për të gjitha çeshtjet që trajton, si dhe të mos trembet kurrë nga presionet,  që i bëhen nga përfaqësues të pushtetit apo individë të korruptuar. Për të qënë i tillë, gazetarit i duhet të ketë aftësi të plota investikative, për të marrë sa më shumë informacine dhe në burime të ndryshme, të cilat duhet t’i verifikojë deri në detaje dhe t’i vlerësojë, klasifikojë e trajtojë ato profesionalisht dhe me shumë maturi e drejtësi, pavarësisht se të kujt interesa prekin apo cënojnë ato. Mirë është, që kur ai të ndërtojë lajmin, të mos i përdorë të gjithë argumentet njëherësh, por të ruaj ndonjë prej tyre, për të motivuar bindshëm lajmin e tij invetikativ. Gazetar i suksesshëm nuk mund të bëhet kurrë një servil pushtetarësh, një frikacak, apo një individ pa inisiativë investikative. Kronikat e vazhdueshme me natyrë festive, apo ato me prerje shiritash, nuk mund të bëjnë të njohur dhe aspak profesionist në gazetari, përkundrazi ato të ulin autoritetin si gazetar dhe të bëjnë deri në një shërbëtorë të pushtetit e mbrojtës të pushtetarëve, me lajme furçe, që ata nuk i meritojnë kurrë dhe ç’ka është  më kryesorja, që nuk ngjallin asnjë interes për publikun. Unë i kam bërë të gjitha llojët e kronikave, por sigurisht, më shumë reputacion e autoritet, më kanë dhënë kronikat problemore dhe me peshë, që preknin dhe trajtonin çeshtje me interes të gjërë publik. Bile, me këto llojë kronikash, unë kam bërë dhe më shumë miq, sepse me punën time të paanshme, kam arritur të mirkuptohem e bëhem dashamirës edhe me ata persona pushtetarë apo individë, që me të drejtë i kam kritikuar, duke arritu t’i bëj të vetdijshëm për mangësitë e vërejtuna në punë.

Pyetje:

-Z. Marku, ju jeni një gazetar i vlerësuar me disa tituj e çmime, por njëkohësisht edhe i sulmuar nga disa prej drejtuesëve në institucionet ku ke punuar, a e shikoni veten si sfidant në këtë drejtim, pasi sa herë jeni larguar nga puna, jeni nderuar dhe me vlerësime të rëndësishme?

Përgjigje:

– Po. Kjo është e vërtetë. Gjatë punës time si gazetar, unë kam përjetuar shpesh jo vetëm vlerësime, por edhe sulme nga drejtues tejet të paaftë e pushta, që karriken e drejtuesit e kishin fituar vetëm me servilizma ekstreme ndaj atyre që ishin në pushtet. Të tillë drejtues ishin: Edi Mazi, që çuditërisht, në vitin 1997, u bë drejtor i Televizionit Shqiptar, i cili sapo erdhi në detyrë, mua më hoqi nga puna për inate personale, sepse unë nuk mund t’i bëhesha servil, siç u bënë disa prej të ashtuquajturëve ish kolegë të mi, të tipit Rroto–Thele…! Në atë kohë, unë punoja në mediat private dhe vlerësohesha si një konkurent i denjë në profesion dhe kjo për mua ishte një sfidë.

Më pas, në vitin 2005, u bë drejtor i RTSH-së, Petrit Beci, një tjetër paloburrë, pa nivel e pa kurrëfar kontributi, një hajdut dhe trafikant i njohur i arkivave të Kinostudios dhe të RTSH-së, pas viteve ’90, por që i habiti të gjithë fakti se si u bë drejtor i atij institucioni kaq të rëndësishëm mediatik kombëtar…!!! Por, këtu në Shqipëri tre ditë zgjat një çudi, sepse vjen tjetra edhe më e madhe…!

Kur kërkova të rikthehesha në RTSH, ky i ashtuquajtun drejtor (P. B.), që veç koka i peshonte mbi 20 kilogram, nuk më pranoi…!!!??? Fatkeqësi të keshë dejtues të tillë, që për tetë vjet në atë post, Beci qafëtrashë e 200 kilësh, nuk diti të thotë qoftë edhe dy fjalë si drejtues e le më të bëjë ndonjë punë, përveç grabitjes pakufi të atij institucioni. Ky ishte drejtuesi djall me brirë, që çuditërisht në atë post e emroi njëri nga politikanët më të aftë e më me përvojë në vend. Një paradoks i vërtetë, por që fatmirësisht, mua më solli një tjetër sfidë, pasi duke më mbyllur derën e RTSH-së, fillova punë në Ministrinë e Turizmit, si specialist i lartë për Turizmin, ku pata rezultate e vlerësime të larta në punë: U bëra autor i librit të parë kombëtar për Turizmin në Shqipëri, me titull: “TURIZMI SHQIPTAR”, i cili u promovua me shumë sukses në këtë dikaster, në vitin 2012, në kuadrin e veprimtarive kushtuar 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Dhe pikërisht, në kohën kur unë vazhdoja të merrja vlerësime të shumta në shtyp e në media, për këtë botim cilësor e shumë të mirpritun, vjen një tjetër paradoks, nga një tjetër drejtues, nga ish ministri i Turizmit, Aldo Bumçi, kampion i paaftësisë, kampion injoranti e servili… Ky idiot ministër, që fatkeqësisht e pati në qeverinë e vet Berisha, më hoqi krejt papritun e pa motiv nga puna, për t’i hapur vend një femre, të cilës me strukturën e re, i ishte shkurtuar vendi i punës. Ajo, ishte një e ashtuquajtur specialiste, pa asnjë përvojë e pa asnjë kontribut, veçse ishte kunata e ish drejtoreshës thuthuçe e gjysëmmemece…!!! Turp…, por, ky drejtues, shumë i paaftë dhe i pakomunikueshëm, që nuk kishte lexuar asnjë libër dhe asnjë rrjesht gazete, bënte lojën e të paditurit, duke thënë: “Nuk e dija kush ishte Xhelal Marku! I kisha premtuar drejtoreshës për kunatën e vet! Do t’i gjejë një vend tjetër Z. Marku”, e të tjera budallallëqe të ministër mavrisë! Mos u merakos, më tha një miku im, se këto janë punë që vetëm një drejtues i papërgjegjshëm i bën, i cili kishte harruar edhe të merrte pjesë në promovimin e librit tim: “TURIZMI SHQIPTAR”. Këto ka në dorë të bëjë ai, kaq din e kaq e ka diapazonin e tij, nuk mbush më shumë…! Ndaj, kur i thoshin personalitete të Ministrisë së Turizmit, se a e din se çfarë ke ba more Aldo, ke hequr nga puna autorin e librit të parë kombëtar për Turizmin? Ai përgjigjej me qetësi: “…Nuk di se është botuar ndonjë libër për turizmin…”, kur librin e kishte në zarf, mbi tavolinë, bashkë me ftesën, qysh një javë para promovimit dhe kur për të, vazhdonte jehona e promovimeve në të gjithë mediat e shtypin tonë kombëtar brenda e jashtë Shqipërisë, deri në Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni.

Mjerim i madh, që një tip i tillë hardalli, gjysëmbudalla është prapë deputet, me gjithëse prej vitesh, ai njihet si humbësi më i madh i votave në atë parti, ku bën pjesë, si në Qarkun Lezhë, etj….!!!??? Janë humbjet e tij si njeri e si figurë, që e bëjnë atë të ul kokën sa herë kalon para meje sot, sepse unë e sfidova atë, pasi veprimi i tij u dënua nga të gjithë, pra edhe nga zëvendësministrat, sekretari i përgjithshëm dhe të gjithë drejtuesit e tjerë në Ministrinë e Turizmit.

Pas këtij veprimi antiligjor e të çmendur, unë mora dhe tre tituj të tjerë në vlerësim të punës time shumëvjeçare si gazetar e si publicist, ku në vitin 2014, u shpalla: “QYTETAR NDERI” i Komunës Reç të Dibrës, vendlindjes time, “MIRËNJOHJA E BASHKISË” Peshkopi dhe në vitin 2017, mora titullin më të lartë në Qarkun e Dibrës, me katër Bashki e tre rrethe: “NDERI I QARKUT DIBËR”, ku keni qënë i ftuar dhe ju, Z. Ramiz Lushaj. Dua të theksoj, se ky është dhe rasti i parë, që një gazetar i Medias, merr një vlerësim të tillë rajonal. Ndaj, unë e shikoj veten edhe si sfidant e triumfues ndaj drejtuesëve mjeranë e të papranueshëm, si ata që përmenda më lart, që me punën e tyre të papërgjegjëshme i kanë bërë shoqëri djallit dhe aspak detyrës që kishin përfituar me servilizëmin e tyre ekstrem

Pyetje:

-Dua të di, tani në pension, si e shfrytëzon kohën gazetari Xhelal Marku?

Përgjigje:

– Edhe pse jam në pension, unë kam një jetë shumë aktive dhe të ngarkuar me shumë projekte të mia. Jam i angazhuar në punën time krijuese dhe po punoj për të përfunduar së shpejti një libër me portrete e monografi, ku do të pasqyrohen njerëz të njohur e me kontribute në punën e tyre, të cilët më kanë frymëzuar ndër vite me karakteret, përkushtimin dhe vlerat njerëzore që ata bartin.

Gjithashtu kam redaktuar libra të autorëve të tjerë, si librin: “RAMAZAN VLADI- Njeriu i sfidave” dhe po punoj edhe në fushën e medias për realizimin e dokumentarëve apo të videoklipeve me këngëtarë të ndryshëm, sipas kërkesave të tyre.

Ndër realizimet më të mira të kohëve të fundit në fushën e medias, përmend dokumentarët: “MESPËRMES BJESHKËVE TË TROPOJËS” dhe “REÇI – MAL I PARË I DIBRËS”. Krahas këtyre, po punoj edhe për përzgjedhjen dhe redaktimin e shkrimeve të mia nga shtypi i kohës, përgjat 40 viteve të punës si gazetar, të cilat do t’i botoj në një libër, ndoshta me dy vëllime, me titull: “PUBLICISTIKË NË VITE”, si dhe një libër tjetër me titull: “Reportazhe”, ku do të përfshihen të gjitha shkrimet e mia në këtë zhanër. Pra, kuptohet se kam pasur dhe kam mjaft angazhime dhe projekte, që më bëjnë të kemë më pak kohë të lirë.

-Intervistoi: Ramiz Lushaj

Tiranë,  31 / 07 / 2018