Karaçeva rrezikon të mbetet vatër krize

Nga Naile Ejupi 

Zona e Karaçevës në kufi me Serbi, mund të jetë problematike gjatë fazës së përcaktimit të demarkacionit Kosovë- Serbi.

“Hyrja e xhandarmërisë është shumë e shpeshtë, këtë e flas edhe me dokumente, sepse hyjnë kur duan dhe dalin kur duan. Vallë kujt i shkon përshtati kjo, pyesin banorët e Karaçevës? A do të jetë Karaçeva vatër e krizës, a do të mbetet Kosova sipas disa parametrave, sikurse vatër palestineze, jo këtë askush nuk e dëshiron. Por, për këtë duhet të merren institucionet”, thotë Selver Lenjani Kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit Karaçevë.

Zona e Karaçevës në kufi me Serbi, mund të jetë problematike gjatë fazës së përcaktimit të demarkacionit Kosovë- Serbi.

Vendosja e tabelave nga ana e KFOR-it në atë zonë ka sjellë shqetësimin e banorëve, ndërsa brenga më e madhe e tyre vazhdon të jetë mos kalimi i policisë së Kosovës në atë pjesë.

Kryetari i Bashkësisë Lokale, Selver Lenjani, ka treguar për “Bota sot”, arsyet përse Serbia pretendon ta bëjë shkëputjen e asaj pjese, duke rrëfyer për problemet e banorëve në atë zonë.

Image

Kryetari i Bashkësisë Lokale, Selver Lenjani

“Ajo që e preokupon atë tokë kufitare, është brenga më e madhe që nuk ka qasje policia e Republikës së Kosovës. Është zonë e ndaluar për policinë e Kosovës, ne banorët e brezit kufitar kalojmë, mirëpo sa i përket jemi ilegalisht në tokën tonë, në truallin tonë, në komunën tonë, kjo llogaritet se është tokë e Serbisë. Në bazë të kësaj që llogaritet, një marrëveshje tekniko-ushtarake e Kumanovës e 9 qershorit, e ka përfshirë edhe brezin kufitar, Karaçevën. Ku Karaçeva është plot me resurse natyrore, Serbia pretendon ta bëjë shkëputjen për shkak të resurseve natyrore, ka ambicie ta bëjë të veten. Çdo lloj provokimi ajo mundohet ta bëjë vetëm që ta bëjë zbrazjen e banorëve, të ikin banorët. Tokat i shfrytëzojmë me shumë mund, atje banorët e brezit kufitar janë marrë me bagëti e bujqësi, por tani kjo ka rënë dukshëm. Nëse xhandarmëria serbe has në qytetarët e Karaçevës, domethënë kur qytetarët dalin për bagëti, xhandarmëria i merr i dërgon në komunën e Vranjës dhe i dënon atje”, ka treguar Lenjani.

Lenjnani: Vendosja e tabelave nga KFOR-i ka qenë e paparalajmëruar

Ai ka deklaruar se, rastet e të arrestimeve në Karaçevë janë të shumta, gjersa ka thënë se institucionet nuk kanë shkuar për vizitë në atë zonë.

“Ka pasur raste të dënuarve. Hyrja e xhandarmërisë është shumë e shpeshtë, këtë e flas edhe me dokumente, sepse hyjnë kur duan dhe dalin kur duan. Vallë kujt i shkon përshtati kjo, pyesin banorët e Karaçevës? A do të jetë Karaçeva vatër e krizës, a do të mbetet Kosova sipas disa parametrave, sikurse vatër palestineze, jo këtë askush nuk e dëshiron. Por, për këtë duhet të merren institucionet. Përpos ministrit të Punëve të Brendshme që ka qenë në vizitë, me ftesën tonë para disa muajve, askush tjetër nuk ka qenë në vizitë. Ai ka qenë i pafuqishëm, neve banorëve të Karaçevës që të na mbrojnë na duhen njerëz të fuqishëm, njerëz të vendosur, njerëz që marrin vendime”, ka nënvizuar Lenjani.

Çështja e Karaçevës, është kërkuar të adresohet edhe në Bruksel, ndërsa në territorin e Kosovës kjo llogaritet si pjesë e Serbisë.

Lenjani ka treguar se vendosja e tabelave nga KFOR-i ka qenë e paparalajmëruar, ndërsa sipas tij, Serbia ka përdorur Karaçevën për ta “mashtruar” faktorin ndërkombëtar.

“Ne kemi kërkuar disa herë që çështja e Karaçevës të adresohet në Prishtinë- Bruksel dhe anasjelltas, janë vendime të prera decidive të NATO-s që hyrja e NATO-s dihet. Kemi pasur një takim shumë të sinqertë, ishte edhe nënkryetari. Vendosjen e tabeles atje ne vetëm kur i patëm parë në masa të rrepta të sigurisë, vëzhgimin e ajrit dhe këmbësorisë. Banorët mbetën shumë të shqetësuar, shumë të brengosur, sepse atje shkruante “Pronvica Serbie”, shkruante në gjashtë gjuhë, stop të kthesa e Novosellës, nuk ka qasje policia e shtetit, nuk ka qasje as KFOR-i, atje definon deri këtu e është Kosova, ndërkaq në anën tjetër është Serbia. Domethënë në territorin e Republikës së Kosovës, llogaritet si pjesë e Serbisë. Paramendojeni këtë që kjo kurrë nuk ka ndodhur, ne kemi dëshmi, dokumente valide, pse vallë nuk i beson faktori ndërkombëtar popullit atje që banojnë, qytetarëve të Karaçevës, pse nuk i beson tokës, pse nuk i beson edhe dokumentit valid që ne kemi, tatimet që kemi paguar”, ka deklaruar Lenjani.

“Me Karaçevën zbulohen të gjitha sekretet dhe falsifikimet që i ka bërë Serbia”

Ai ka treguar se posedojnë dokumente që Karaçeva është pjesë e Kosovës, gjersa ka treguar edhe për takimin me KFOR-in, pas vendosjes së tabelave.

“Të gjitha këto i kemi me dokumente. Me Karaçevën mbrohet Kosova, me Karaçevën zbulohen të gjitha sekretet dhe falsifikimet që i ka bërë Serbia dhe që ia ka servuar faktorit ndërkombëtar, të gjitha ato dokumentacione. Në takim me KFOR-in, nënkryetari  Faton Jakupi,  ka qenë shumë i sinqertë dhe këmbëngulës, ishte në krahun e brezit kufitar, në krahun të mos copëtohej. Ka qenë edhe kryetari i komunës, Qëndron Kastrati, edhe ai ishte i zhgënjyer pse kjo të ndodhte, pse të mbetej kjo niglizhencë e institucioneve. Ishte edhe Fadil Kastrati, profesor gjeolog, teknolog, edhe ai ishte në këtë aksion dhe ka dhënë kontribut të madh. Banorët preokupohen sepse në atë zonë nuk ka qasje policia e Kosovës”, ka treguar ai.

Protesta në atë zonë ka pasur edhe në të kaluarën, mirëpo protesta do të vazhdojnë përsëri nëse nuk do t’i marrin parasysh dokumentet e tyre.

“Disa herë kemi protestuar vazhdimisht, kanë qenë protesta paqësore dhe institucionet nuk i kanë marrë parasysh këto protesta. Nuk ka institucion i Kosovës që nuk i ka këto dokumente valide, i kemi dorëzuar në të gjitha, banorët kanë kërkuar takime dhe nuk kemi pasur asnjë mirëkuptim, as nga Presidenti i Republikës Hashim Thaçi, as nga Kryeministri Ramush Haradinaj, as nga kryeparlamentari Kadri Veseli. Kemi kërkuar që të vihet në Parlament, herë pas here delegatët  kanë marrë pjesë si Ahmet Isufi. Kemi kërkuar takim zyrtar vazhdimisht, kemi kërkesat e banorëve. Në të gjitha llojet e hartave tregojnë që Karaçeva është në brendësi  të territorit të Republikës së Kosovës, komplet këto harta, edhe ajo gjeografike edhe topografike, tregojnë ku është Karaçeva. Protestat i kemi pasur të vazhdueshme, mund të ballafaqohemi me secilin institucion. Do të bëjmë edhe në të ardhmen protesta”, ka thënë Lenjani.

170 pronarë do të humbasin tokë

Edhe hartat e bëra në mandatin e kasapit të Ballkanit, Millosheviq, Karaçeva është në Kosovë. sipas Lenjanit.

“Në mandatin e Millosheviqit, është harta që është bërë dhe në bazë të saj, Karaçeva është në Kosovë. Dokumentacionet tjera, a ka dokument më valid dhe më i sinqertë se përpilimi nga serbët, që Karaçeva është në Kosovë”, ka theksuar Lenjani.

Pjesën ku është vendosur tabela e KFOR-it, ka treguar Lenjani, gjersa ka shtuar se me ndalimin e policëve shqiptarë atje, nënkuptohet se ajo pjesë është tashmë e Serbisë.

“Vendosja e tabelës, këtu ka qenë rruga e asfaltuar e By-pasit, tanimë kjo është zonë komplet e ndaluar për policinë e Kosovës, që lë për kuptime se nëse ne nuk kemi qasje, policia e shtetit, vlen të kuptohet se është ndarje. Nish, rruga e asfaltuar që nga fshati Novosellë në drejtim të Karaçevës kthesa, vazhdimi rruga e asfaltuar, rruga Bypas për KFOR-in, këtu është këputje, tash është zonë e ndaluar edhe për policinë edhe për KFOR-in, pra edhe rruga e asfaltuar edhe bypasit, këto shenja janë vendosur më 4 nëntor 2004.  Kur ka ardhur NATO për ta zbatuar marrëveshjen tekniko-ushtarake, këto janë marrëveshje teknikisht të zbatuara, kjo vijë lë për kuptim shqetësimin, ndërkombëtarët e kanë ndarë. Kemi harta që është përpiluar nga vetë ekspertët e Serbisë, ne në atë kohë nuk kemi pasur ekspertë, është e nënshkruar, e protokolluar nga ata”, ka nënvizuar tutje, Lenjani.

170 pronarë do të humbasin tokë, nëse ajo pjesë i kalohet Serbisë, kurse Lenjani i bënë thirrje institucioneve dhe ndërkombëtarëve të mos e ndajnë atë pjesë.

“Është njëherë marrëveshje ushtarake, por KFOR-i është dashur t’i besojë banorëve të Karaçevës, t’i besojnë dokumentacionit, t’i besojë kadastrit që tatimi është paguar në Kamenicë jo në Vranjë. 170 pronarë humbasin tokë në bazë të dokumenteve kadastrale. Ne në çdo moment jemi në gjendje gatishmërie për t’i dalë zotë këtyre tokave politikisht, do ta mbrojmë sepse kemi dokumentacionin, ka mundësi përmes tryezave ta bindim faktorin ndërkombëtar që të mos na copëtojnë, të na lënë këtë tokë, le t’i besojnë dokumentit katastral”, ka shtuar Lenjani.

Porosia për drejtuesit e shtetit

Përmes gazetës “Bota sot”, ai ka lënë porosi Presidentëve të të dyja vendeve dhe Kryeministrit.

“Porosi e Vuçiqit, larg duart nga territori i fshatit Karaçevë, larg duart nga territori i Republikës së Kosovës, mbaje tëndën, ne tonën. Porosi Thaçit, e kisha lutur që si President të shkojë ta shkelë atë tokë të Karaçevës, le t’i sheh ata banorët ku mbesin, me Serbi apo me Kosovë, ata janë duke e pritur, sepse është President i të gjithëve. Ramush Haradinajn, me padurim e presim që si Kryeministër t’iu drejtohet banorëve, ne nuk duam nga institucionet më tepër përveç mundësive të tyre”, ka porositur Lenjani.

Ai ka shprehur frikën e tij, se kompromiset e dhimbshme të përmendura nga Presidenti, do të kenë të bëjnë me Karaçevën.

“Vallë i nderuar këto kompromise në mes të shtetit të Republikës së Serbisë dhe Kosovës se do të jenë të dhimbshme, cili do të jetë ai kompromis. Do të jetë e dhimbshme Karaçeva. Serbia ka hyrë në territor të Kosovës, ka zhvilluar luftë, ka vrarë ka prerë, tani del fitimtare në tryezë, në politikën e Serbisë në nivel evropian ajo del më e fortë se shqiptarët. Ne nuk duhet ta lejojmë këtë, ne do ta mbrojmë Karaçevën dhe tokat tona”, ka përfunduar Lenjani.