Namik Dokle dhe Pavle Goranoviq do të hapin Panairin e Librit ”Ulqini, 2018”

Edicioni I 18-të i Panairit të Librit “Ulqini 2018”, hap siparin nga data 3-8 gusht në shëtitoren e Plazhit të Vogël, pranë lokalit “Hollegro”. Panairi i sivjetshëm realizon vazhdimësinë e traditës së organizimit të kësaj veprimtarie që pritet me shumë interes nga qytetarët e Ulqinit dhe pushuesit, të cilët e kanë shumëfishuar numrin e banorëve të Ulqinit gjatë këtij sezoni.

Veç librave nga Shqipëria, Kosova e Shkupi, do të ekspozohen libra e do të marrin pjesë botues edhe nga Mali i Zi e pakicat e tjera kombëtare të kësaj republike. Do të jenë ata që përfaqësohen vazhdimisht në veprimtari të tilla me karakter kulturor kombëtar, që vijnë nga e gjithë hapësira shqiptare e rajonit tonë dhe që janë nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të botimeve shqiptare pas viteve ’90.

Rreth 50 botues do të jenë të pranishëm gjatë ditëve të Panairit, ose do të dërgojnë botimet e tyre më të mira të përfaqësuara nëpërmjet agjencive të shpërndarjes së librit. Në Panairin e Librit në Ulqin parashikohet të ekspozohen dhe të ofrohen letërsi artistike të autorëve shqiptarë e të huaj, por edhe histori, botime enciklopedike, guida turistike, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, albume e katalogë gjithfarësh etj., për lexuesit ulqinakë dhe pushuesit.

Është traditë e Panairit të Librit në Ulqin që të ketë në çdo edicion të ftuar të veçantë, personalitete nga fusha e kulturës, akademikë, administrata shtetërore apo politika. Kështu, në vitet e mëparshme, shiritin e inaugurimit të kësaj veprimtarie e kanë prerë personalitete të tilla, si Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Fatos Kongoli, Ali Podrimja, Jevren Brkoviç, Luan Starova, Zuvdi Hoxhiç, Sreten Asanovië, Aleksandër Stipçeviç, ministrat e Kulturës të Shqipërisë e të Malit të Zi, akademikë e parlamentarë të të dyja vendeve, si dhe ish-presidenti i Shqipërisë Rexhep Meidani.

Ndërsa në 5-vjetorin e këtij Panairi, prenë shiritin e tij presidentët e dy vendeve, Alfred Moisiu i Shqipërisë dhe Filip Vujanoviç i Malit të Zi. Në ceremoninë e hapjes, ditën e premte, më 3 gusht, ora 20:00, do të nderojnë me praninë dhe fjalën e tyre shkrimtari dhe ish-politikani i njohur shqiptar, Namik Dokle, si dhe shkrimtari dhe ish-ministri i Kulturës së Malit të Zi, Pavle Goranoviç. Ky aktivitet organizohet nën kujdesin e Komunës së Ulqinit dhe do të realizohet falë bashkëpunimit të Institutit të Librit dhe të Promocionit me Organizatën Turistike të Ulqinit dhe me Qendrën për Kulturë të Ulqinit, Mali i Zi. Pavle Goranoviq është shkrimtar malazez.

Ai ka lindur më 5.4.1973 në Nikshiq. Lëvron poezinë, prozën dhe esenë.Është diplomuar në Fakultetin e Filozofisë në Nikshiq – Departamenti i Filozofisë. Ka botuar disa libra, si dhe është vlerësuar me disa çmime letrare, ku përmendim atë për librin më të mirë me poezi të botuar në Mal të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kroaci – në vitin 2009 dhe po për librin më të mirë me poezi në vitin 2010 dhe 2011.

Është nderuar, gjithashtu, me Çmimin e Shtetit “Miroslav Genesis”, në vitin 2014, për veprën më të mirë letrare, historiografike, etnografike dhe publicitare të botuara në Mal të Zi. Librat dhe veprat e tij letrare janë përkthyer në disa gjuhë (anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, rusisht, sllovakisht, sllovakisht, maqedonisht, polonisht, bullgarisht, suedisht, hebraisht si dhe në shqip vëllimi me poezi “Stinët e humbura”, më 2013. Është përfshirë në antologji të shumta malazeze, në antologjinë “New European Poets” (Shtetet e Bashkuara), antologjinë e vendeve sllovene etj. Pavle Goranoviq është anëtar i organizatave letrare dhe ndërkombëtare CDNK dhe qendrës malazeze PEN.

Ka qenë redaktor dhe drejtor mbi ngjarjet kulturore dhe festivalet, anëtar i jurisë për dhënien e shpërblimeve të caktuara kombëtare dhe ndërkombëtare letrare. Goranoviq ka përfaqësuar Malin e Zi në Komitetin e Edukimit të Këshillit të Europës në Strasburg, si dhe anëtar i Këshillit për Kualifikime. Ka marrë pjesë në disa konferenca të mëdha ndërkombëtare në fushën e kulturës dhe edukimit. Ka qenë përfaqësues i Malit të Zi në Këshillin e Programit, dhe tani është anëtar i Bordit të Forumit të Kulturës Sllovene, një organizatë ndërkombëtare që promovon ruajtjen e vlerave kulturore dhe traditat në fushën e vendeve sllovene.

Është anëtar i Këshillit Kombëtar të Kulturës. Drejtor i Institutit për Tekstet dhe Burimet Arsimore të Malit të Zi. Nga viti 2003 deri në vitin 2010 ishte këshilltar i Kryeministrit të Malit të Zi. Në vitin 2010 u emërua Drejtor i Shkollës Arsimore të Malit të Zi. Nga 18 marsi 2015 deri më 28 nëntor 2016 ishte ministër i Kulturës i Qeverisë së Malit të Zi. Nga nëntori 2016 deri në mars 2017 ishte anëtar i Parlamentit të Malit të Zi. Që nga dhjetori i vitit 2013 është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi. /Gazeta-Shqip.com/