Deklarata e Komitetit të Shpëtimit Kombëtar të Gucisë më 3 gusht 1879: “Asnjë gisht i territorit shqiptar nuk mund t’i jepet Malit të Zi”
Plavë-Gucia ka pasë katër përfaqësues firmëtar në Aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë.
Krahina etno-historike e komunare e Plavë-Gucisë astenjëherë nuk ka pranue para Fuqive të Mëdha të dorëzojnë territorin e saj Malit të Zi, as në vitet 1879-1881 dhe as në ato 1912-1913, por i ka mbrojtë me luftë e ka derdh gjak si në Betejat e Ultinës së Epërme të Limit (Nokshiq, Arzhanicë, Pepaj, etj.) si në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në kohën e Luftës së Parë Ballkanike.
Askund nuk gjindet ndonjë dokument që krerët e Plavë-Gucisë në këtë hark kohor të kenë pranuar dorëzimin e ligjshëm të krahinës së tyre Malit të Zi: as vullnetarisht “me paqe”, siç kërkonte Krajl Nikolla I, as forcërisht në përfundim të luftërave 4 dhjetor 1879-11 janar 1880 dhe as në atë të 13 tetorit 1912- 21 nëntorit 1913, ku në këtë të fundit u krye edhe një nga masakrat ma të mëdha të botës, Masakra e Previsë, që përmban krime kundër njerëzimit, genocid, krime lufte, spastrim etnik.
Për herë të parë në beteja luftarake të shqiptarëve, Flamuri Kombtar Shqiptar, Flamuri i Skënderbeut e i Ismail Qemalit, u ngrit në “Luftën e Ultinës së Epërme të Limit” (1879-1880). Në këtë luftë legjendare shqiptarët luftuan të vetëm përballë “Shtatë Krajlive”, ku sllavët ngriten në betejë edhe katër flamuj të Perandorisë Ruse, etj.
Përkundrazi, vetë krahina luftarake e Plavë-Gucisë e detyroi Kongresin e Berlinit që të kryente “shkëmbim territoresh”, për t’iu dhënë në vend të saj krahina të tjera etnike shqiptare Malit të Zi.
Plavë-Gucia me rrethina u ngrit në lartësi historike epokale duke kundërshtuar dorëzimin e territorit të saj gjeo-politik Malit të Zi, çka shprehet edhe në këtë ultimatum të saj dorëzuar më 3 gusht 1879 në Podgoricë Komisionit mandator për Caktimin e Kufirit Perandoria Otomane-Mali i Zi, i cili u pranue dhe u shqyrtue edhe në Kongresin e Berlinit, tue nistue më 10 gusht e në vijim…
“Për hirësitë Zotërinj Komisarë, ne jemi informuar se për ta kryer mandatin që ju është besuar nga ana e kabineteve, sa i përket kufizimit me Malin e Zi, ju keni ardhur në vendin e ngjarjes. Është e pamundur të bëhet kjo ndarje pa praninë e krerëve dhe bajraktarëve shqiptarë dhe pa e pasur në duart e tyre një prokurë të rregullt nga tërë Shqipëria. Nëse kjo ndarje (kufizim) bëhet sipas pikëpamjeve dhe qëllimeve të Malit të Zi kufiri do të jetë baraz me zero dhe i rrezikshëm, pasi pa praninë e krerëve dhe bajraktarëve të Shqipërisë sonë, kjo çështje nuk mund të rregullohet dhe në këto kushte ne nuk do ta japim kurrë pëlqimin tonë dhe se asnjë gisht i territorit shqiptar nuk mund t’i jepet Malit të Zi”
Kjo letër e 3 gushtit 1879 mban firma e vulat e KOMITETIT KOMBËTAR TË SHPËTIMIT TË GUCISË, kreut të Plavës (Rifatit), kreut të Pejës me rrethina (Hajredinit), kreut të Prizrenit me rrethina (Nuredinit), kreut të Dibrës me rrethina (Jusufit)…
I menjëhershëm ka qënë reagimi i diplomacisë së Malit të Zi në Stamboll, Berlin, etj. lidhur me qëndrimin kombëtar të krahinë së Plavë-Gucisë. Po publikojmë nga letra e tyre për Perandorinë Otomane:
“Pa hyrë në motivet ose në shprehjet e dëshirave të banorëve myslimanë të Gucisë, ne jemi të befasuar që kjo letër e njohur si kërcenuese, është e nënshkruar edhe nga krerët e rretheve të Gjakovës, Pejës, Prizrenit dhe Dibrës. Me çfarë të drejte këta individë, funksionarë otomanë dhe banorë të një pjese të Mbretërisë, ku Porta e Lartë ka trupa të rregullta, përzihen në punët e Gucisë dhe kështu në mënyrë zyrtare i dërgojnë letër Komisionit Ndërkombëtar dhe trajtojnë një çështje politike. Kërkojmë që t’ia paraqitni dëshprimin tonë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Portës së Lartë duke ua bërë me dije se është lidhur paqja me Turqinë dhe se Turqia ka pushtetin mbi këto rrethe, ndërsa ata krerë reagojnë në emër të Shqipërisë, ekzistencën e së cilës ne e injorojmë. Qeveria e saj duhet të jetë përgjegjëse për faktet dhe veporimet e këtyre individëve mbi të cilët gjithnjë mundet të vë dorë dhe sipas të gjitha gjasave këto veprime janë tumirur dhe kryhen edhe nga pushteti lokal…”
Në një dokument tjetër diplomatik të Malit të Zi, në gusht 1879, ku dijenohet edhe Krajl Nikolla, ndër të tjera, thuhet:
“Në takimin që pata sot me safet pashën, ai më deklaroi se duke parë situatën momentale dhe kokat e nxehta të shqiptarëve, megjithë dëshirën e saj, Porta e Lartë gjendet e përballur me pamundësinë e dorëzimit të Gucisë, Malit të Zi”.
Në korrespondencën diplomatike të Malit të Zi me Perandorinë Otomane, etj. del në pah fakti se ka nisur të diskutohet me “letra të hapura” mundësia e shkëmbimit të territoreve, që në vend të Plavë-Gucisë të jepeshin krahina të tjera etnike shqiptare përgjatë lumit të Moraçës e bregdetit të Adriatikut.
Në një dokument të datës 11 gusht 1879, teksa flitej në kancelaritë e kohës për “shkëmbim territoresh”, gjendet edhe reagimi zyrtar malazez:
“… Plava dhe Gucia nuk mund të krahasoheshin me rrëpirat e anës së Kuçit…”
Në Dokumentin e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare Shqiptare, më 28 nëntor 1912, në Vlorë, krahina e Plavës e Gucisë kishte katër delegatë të saj që nënshkruan me firmat e tyre në Aktin e Pavarësisë si: Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Salih Gjuka dhe Mit’hat Frashëri (djali i Abdyl Frashërit) që morën pjesë që ditën e parë të Kuvendit. Kjo dokumentohet botënisht me vet Aktin e Pavarësisë të 1912-tës dhe në gjithato burime të kohës.
Kjo do të thotë se krahina e Plavë-Gucisë, e pushtuar nga Mali i Zi më 13-20 tetor 1912, nepërmjet delegatëve të saj me mandat, e shpalli zyrtarisht territorin e popullsinë e saj brenda shtetit të ri të pavarur të Shqipërisë.
As në tetor 1912, pavarësisht porosisë së Mbretit Nikolla I, që krahina e Plavë-Gucisë të merrej me paqe, me bisedime me krerët e vendit si Hasan Ferri, etj. kjo nuk ndodhi asokohe. Përkundrazi: mbi 3000 forca shqiptare nga kazaja e Plavë-Gucisë, nga kazaja e Gjakovës, etj. të udhëhequna nga Bajram Curri e të tjera, luftuan kundër ushtrisë të Divizionit Lindor të Malit të Zi të udhëhequn nga gjenerali-agjutant, brigadieri-serdar, Junko Vuktiq, që më 21 nëntor 1913 do të bahej kryeministër i Malit të Zi e ministër i Luftës në këtë mbretëri të vogël ballkanike, që ka trefishuar territorin me toka etnike shqiptare.
Divizioni Lindor me 8 batalione e forca vullnetare serbe e malazeze të mbledhuna rrugës, më 13 tetor 1912 e pushtoi Ultinën e Sirme të Limit, më 18 tetor Plavën dhe më 20 tetor 1912 edhe Gucinë. Forcat shqiptare u thyen në luftë frontale me malazezët, por vazhduan luftën qëndrestare në male. Pati qindra të vrarë. U krye edhe e pashembullta Masakër e Previsë. Malazezët pushtues e ndryshuan edhe organizimin administrativ të Plavë-Gucisë, e kthyen në kaza në kapiteni me pesë komuna politike në territorin e saj. Mbretëria e Malit të Zi e Krajl Nikolla I ua (ri)nisën përpjekjeve të përjetshme për aneksimin e Plavë-Gucisë.
Diçka duhet theksuar qartas për atë kohë: Plavë-Gucia nuk i ka pranuar në territoret e veta malazezët që të vinin paqësisht, siç ndodhi në ndanjë bajrak në Rugovë, në qytetin e Pejës, etj. por luftoi kundra tyre me armë në dorë. Derdhi gjakun e bijëve e bijave të veta. Iu dogjën shtëpitë e pasuria, etj. Nuk pranoi kompromis me pushtuesit malazez.
Në një dokument të kohës gjendet Autorizim i datës 29 tetor 1912 i qytetit të Pejës, që ndryshe nga Plavë-Gucia, pranojnë e ofertojnë dorëzimin paqësor të qytetit të tyre:
“Ne, të nënshkruarit, krerë të qytetit të Pejës – bejlerë, imamë, myftarë, autorizojmë këta persona: z.z. Sejfedin bej Mahmudbegoviqin, reisbeldi (kryetar bashkie), Zija bej Mahmutbegoviqin, Haxhi Balën, Abdyl Efëndinë, Abdurrahman Efëndinë, Haxhi Çelën, Hasan Agën, Ymer Agën, Mark Agën, Tosha Vilipoviçin, Marko Rajeviqin, Jovan Angjelkoviçin, Haxhi Niko Ristiqin, Jovan geriqin, Lubomir Markoviqin, Mihaillo Dimitrijeviçin, Toma Filipoviqin, Kosta Stergjevi dhe Spasoje Popoviqin, që në emër të gjitha popullit të Pejës të zhvillojnë bisedat e marrëveshjes me Komandën Mbretërore Malazeze të
Divizionit Lindor – me të Madhin Mirëbërës të Tij, Brigadierin serdarin Janko Vukotiqin, në lidhje me mbajtjen e rregullit dhe të qetësisë me rastin e dorëzimit të qytezës, duke u pajtuar plotësisht me marrëveshjen që do të lidhin ata”. Firmëtarët e autorizuem janë: Mulla Zade, imam, Hysen Pasha, Mahmut Efëndia, tefderdar, Hysen Jetullahu, prifti katolik nuk e gjend në vend, myftari Abdyl Aziz Beu, Abdyl Efëndia, imam, Orhan ÇAUSHI, IMAM, Ali Çaushi, imam, Sinan Qerimi, imam (?), Haxhi Tahsumi, imam. (Shih dokumentin – Zekeria Cana: Gjenocidi i Malit të Zi….fq. 99).
Nisur nga trajtesat dokumentare të masipërme e të tjera që mund të hulumtohen nga studiuesit në ardhmëri argumentohet sadopak se krahina e Plavë-Gucisë është marrë nga shteti shoven i Malit të Zi vetëm me pushtim e aneksim, si “një mall pa inventar”(!), etj. çka, nisur nga E Drejta Juridike Ndërkombëtare mund të kërkohet që t’i rikthehet statusi i saj si “Arbania e Vogël”, pas 100 viteve pushtim e aneksim shoven tragjik nga Mali i Zi të ribashkohet me Republikën e Shqipërinë ose me Republikën e Kosovës.