Skandali me monumentin e kulturës në Berat. Porta e Pashait është shndërruar në Portën e…?!

Nga Namir Lapardhaja

Monumenti i kulturës në Berat, që njihet si Porta e Pashait, ndërtuar në shekullin e 18-të nga Ahmet Kurt Pasha, së bashku me nje kompleks sarajesh, duket se i ka dalë pronari, duke u shndërruar nga Porta e Pashait në Portën e një hoteli dhe restoranti privat. Ndërkohë që pushteti mbyll të dy sytë.

Meqenëse qeveria dhe Kryeministri vetem në muajt e fundit kanë bërë disa mbledhje dhe takime në Berat; ministrja e Kulturës, Kumbaro, sa herë vjen në aktivitete dhe përvjetore kulturore përbetohet për përkujdesin ndaj monumenteve; Berati ka disa deputetë vendas që kanë një lidhje më të afërt me qytetin se sa deputetët e tjerë; Drejtoria e Monumenteve të Kulturës nuk lë orë e çast pa evidentuar “kujdesin” e saj ndaj trashëgimisë kulturore të qytetit; media kur bën emisione për gjendjen e trashëgimisë kulturore, turizmin etj., e ka më të lehtë të pyes vetëm burokratët e pushtetit, të cilët fshihen pas shkresurinave dhe shifrave në to, ja ku po ju jap vetëm një rast flagrant abuzimi me trashëgimin kulturore në Berat, në mes të ditës dhe në qendër të qytetit, ballazi të gjithëve: Porta e Pashait, monument kulture i ndërtuar në shekullin XVIII, është shndërruar në portën e një biznesi privat, është bllokuar qarkullimi në të i njerëzve të lagjes, Portës monumentale i janë vendosur kanata dhe kyç në rast nevoje (?!), kurse rruga që përshkonte atë është bllokuar me mur.

Si është realizuar do të pyesni ju dhe a është marrë leje nga Instituti apo Drejtoria e Monumenteve në Berat?

Këtë nuk e di me siguri, por di që edhe nëse është dhënë leje, ajo është e paligjshme, ngase edhe logjikisht (e jo më ligjërisht) një munument kulture nuk mund të mbyllet për qytetarët dhe të vihet në funksion vetëm të një biznesi. Nëse leja është dhënë për diçka tjetër dhe biznesi privat ka për realizuar diçka tjetër, sërish edhe në këtë rast faji i autoriteteve shtetërore është (madje, i disave së bashku).

Së fundi, nëse ka një portë, më tej duhet të ketë automatikisht një rrugë për kalimtarët, dhe jo një mur për qytetarët, siç është bërë në rastin konkret.

Vetëm një gjë e justifikon të gjithë këtë që ka ndodhur: nëse Beratit i kanë dalë pashallarë të rinj e ne nuk e kemi marrë vesh ende.

Nëse është kjo, t’i ndryshojmë edhe emrin Portës.
___

P:S
Një sqarim për lexuesin e pavëmendshëm, por të poshtër, që, pasi ta lexojë postimin e të mos e kuptojë thelbin e tij, do pyesë veten: “Po ky Namiri, ç’a ka me Tomin?”
Të sqarohem për ty i kësisojtë lexues, që do bësh këtë pyetje, pasi të lexosh e të mos e kuptosh këtë postim: jo vetëm që nuk kam asgjë, por e vlerësoj për punën që ka ngritur në sektorin e hoteleri-turizmit, duke kontribuar për një turizëm elitar dhe cilësor…. Pra, po të thosha që, s’e kam me Tomin, por me Portën. Atë të Pashait.