Para disa vitesh punëshumi dhe patrioti, poeti Rudi Berisha ia kishte nisur një pune të bukur fisnike që të bënte një antologji për Adem Demaçin. Dhe e bëri mirë. Në atë kohë ai shte gjallë. Gjallë mes jetës dhe legjendës. Kështu qënka historia jonë shpesh.
Ia dërgova dhe unë këtë poezi që u bë pjesë e librit. Fola me zërin tim. Qoftë dhe modest. Se duhet shkruar edhe historia poetikisht e kombit tonë.
Sot po i rkithehem përsëri. Sot poezia për të është homazh. Është krenari të jesh bashkohës i Adem Demaçit për forcën dhe mbijetesën e tij.
Kujtim I paharruar për Heroin tonë
Namik Selmani
1.
Mund të vësh pas hekurash
Njerëz,
Luanë,
Pëllumba,
Mund të mbyllësh në qeli të ftohtë
Gra,
Fëmijë,
A pleqtarë fisnikë.
Mund të mbyllësh në sirtarë a kasaforta.
Florinj,
Dollarë,
E plumba.
Mund të vësh një ditë
Edhe vetë gardianët më besnikë.
2.
Mund t’ua vjedhësh tinëzisht
Rrezet,
Nën një diell apo në një hënë
E supën
mund t’ua japësh në një kupë të drunjtë, të vjetër
Dhë kërbaçët
Në trupa të pafajshëm
Vrraga gjaku mund të lënë
Me një mallkim
Që kthehet
Si gjëmim mbi ata shpirtlugetër.
3.
Veç fjalën e lirë
S’e prangos dot
As mes torturash ku qëllohet egërsisht
Veç zërin e atdheut tend,
Nuk e mbyt
E nuk e shuan si zjarr në gjokset njerëzore.
Paçka se pas kalendarëve
Mbeten ditë, muaj, vite pa mbarim
Dhe gjarpërinjtë e gjakut
një ditë të vijnë si kone qetësisht
4.
E lavdia
Të mbetet pas më shumë se një shkronjë në mur e gdhendur
E fjalë për lirinë
Të bëhet një ditë mike këtej e matanë jetës
E Kosova
të bëhet si plis me borë të pashkelur
E tupani për ty e zgjon dhe këngën e fundit.
Me ehon e fortë të Kujtesës.
5.
E një ditë
emri të ikën si një zog ikën nga çerdhja
e të bëhet
Bronx,
Mermer,
Këngë lirie,
Bri tij
të gjithë
duam të bëhemi pajtimtarë në breza.
me nderim për veten
për palcën e shkëmbit,
për Lokën tonë
që na mëkoi në vite ëndrra dhe urime.
Tiranë, 12 shkurt 2014