-Intervistë me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati dhënë gazetares së “Zërit të Amerikës”, Menada Zaimi –
Për 3 ditë me radhë, prej datës 24 deri në 26 korrik u mbajt në Uashington Ministeriali mbi Lirinë Fetare, i pari i këtij lloji, i cili organizohet nga sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo. Takimi u përqendrua tek angazhimi ndërkombëtar për të nxitur lirinë fetare dhe për të patur ndryshime të prekshme. Ministeriali mblodhi një gamë të gjerë aktorësh, përfshirë ministra të jashtëm, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, udhëheqës fetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, për të diskutuar rreth sfidave dhe identifikimin e mënyrave konkrete për të luftuar persekutimin dhe diskriminimin fetar. I pranishëm në këtë takim ishte dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati. Zoti Bushati diskuton mbi Ministerialin dhe zhvillimet e fundit në Shqipëri në një intervistë në studiot e Zërit të Amerikës.
https://www.zeriamerikes.com/embed/player/Article/4502796.html?type=video&FullScreenMode=True
Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, çfarë rëndësia kanë takime të kësaj natyre dhe çfarë mund të bëjë edhe më shumë Shqipëria për të forcuar harmoninë fetare?
Ditmir Bushati: Është e rëndësishme të theksohet se ky është një takim i parë i organizuar nga qeveria amerikane nga Departamenti i Shtetit që mblodhi së bashku përfaqësues të rreth 80 shteteve. Një platformë e mirë komunikimi për të ndarë eksperiencat e ndryshme, që kanë vende të ndryshme, për sa i përket promovimit dhe respektimit të lirive fetare. Në ndërhyrjen time solla eksperiencën shqiptare, qoftë për sa i përket investimit që ne po bëjmë tek edukimi, tek ndryshimi i kurikulave nëpër shkolla, puna e mirë dhe e lavdërueshme me të pesë komunitetet fetare në Shqipëri, sidomos në kushtet e fundit kur jo thjesht Ballkani perëndimor apo Shqipëria, por e gjithë arkitektura e sigurisë evropiane përballet me sfida nga më të ndryshmet që kanë të bëjnë me radikalizmin, terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm. Në këtë kontekst është i nevojshëm një bashkëpunim më i mirë i gjithë aktorëve, për të përballuar këto rreziqe dhe për të promovuar me vendosmëri liritë fetare dhe të drejtën e shprehjes.
Zëri i Amerikës: Zoti ministër, po i kthehem një çështje që ka ngjallur shumë debat në Shqipëri, asaj që lidhet me teatrin kombëtar. Sot presidenti Ilir Meta e ka kthyer për rishqyrtim në parlament ligjin që parashikon ndër të tjera shembjen e teatrit dhe ndërtimin e një teatri të ri. Ndër të tjera në argumentimin ligjor që ka parashtruar presidenti, thuhet se ky ligj bie ndesh me standarded dhe vlerat europiane si dhe parashikimet e marrëveshjes se Stabilizim Asociimit. Keni ndonjë koment lidhur me këtë çështje?
Ditmir Bushati: Presidenti ka shfrytëzuar një prerogativë një ia njeh Kushtetuta për ta kthyer mbrapsht një ligj që sipas tij nuk është në përputhje me standardet e kërkuara. Nuk jam njohur në detaje me argumentet që ka dhënë presidenti i republikës. Mendoj që gjithë kjo kohë do të shfrytëzohet maksimalisht nga ana e kuvendit, deputetëve në kuvend, për t’i shqyrtuar të gjitha këto sygjerime apo kundërshti të presidentit të republikës. Në dijeninë time nuk ka një çështje që të prek marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Natyrisht për teatrin ka pas shumë teatër, por është e rëndësishme që në çdo rast të mbrohet interesi publik, meqënëse kjo është një çështje që ngërthen një interes të lartë publik, nuk është thjesht dhe vetëm një çështje e aktorëve apo arkitektëve. Nuk e kam të mundur të hyj në një debat teknik rreth dobishmërive të ndryshme që do të burojnë nga ky proces, por mendoj që të gjitha institucionet kanë folur dhe ne duhet të ndjekim logjikën që imponon procesi kushtetues dhe ligjvënës në vend. Kuvendi do të thotë fjalën e tij sërisht besoj lidhur me këtë çështje.
Zëri i Amerikës: Ndërkohë edhe Komisioni Evropian ju ka dërguar disa pyetje lidhur me këtë çështje, ku kërkohet sqarim mbi procedurat që janë ndjekur në këtë rast. Duket se ka një shqetësim që kalon përtej shqetësimit publik në Shqipëri.
Ditmir Bushati: Është normale sepse Shqipëria ka hyrë në një fazë të re me procesin “Screening” dhe ne jemi në fazën e inventarizimit të të gjitha ligjeve, praktikave dhe sjelljes institucionale në përputhje me acquis-në e BE-së dhe në këtë drejtim Komisioni Evropian ka kërkuar një informacion sa më shterues në lidhje me procedurat që janë ndjekur për këtë çështje.
Zëri i Amerikës: Çfarë përgjigje keni dhënë?
Ditmir Bushati: Pyetjeve të Komisionit Evropian, institucionet përkatëse që kanë qenë të përfshira drejpërdrejt në këtë proces i janë përgjigjur në mënyrë shteruese qoftë për sa i përket lidhjes me interesin publik apo edhe lidhjes me çështje të tjera që shkojnë përtej thjesht logjikës së funksionimit të legjislacionit shqiptar.
Zëri i Amerikës: Nëse mund të ma përmblidhnit në një fjali. Në sintezë çfarë i keni thënë Komisionit Evropian?
Ditmir Bushati: Komisioni Evropian ka qenë i interesuar për të kuptuar logjikën që është ndjekur për rastin në fjalë dhe mënyrën se si janë respektuar procedurat. Insitucionet që kanë qenë të përfshira për këtë çështje kanë kthyer përgjigjen në lidhje me respektimin e këtyre procedurave që unë sapo shpjegova.
Zëri i Amerikës: Zoti ministër lidhur me votimin në parlament. Ka reaguar kryetari i bashkisë së Tiranës zoti Erion Veliaj që shprehet i sigurt se ligji do të votohet sërisht në parlament. Nuk është ky një koment i nxituar i kryetarit të bashkisë, nisur nga fakti që ai nuk është as antar i parlamentit, nuk mund të vendosë ai se si mund të votohet atje….dhe a mund të shfrytëzohej ky moment për një konsensus më të gjerë?
Ditmir Bushati: Kjo nuk është një çështje që ka lidhje me konsensusin politik. Nuk është nga ato reforma që kanë të bëjnë me procesin e shtetbërjes europiane dhe konsolidimit të procesit demokrati, siç është rasti i reformës në drejtësi apo asaj zgjedhore. Po nga ana tjetër është një projekt i bashkisë së Tiranës, i mbështetur nga qeveria, nga kuvendi dhe ky është pak a shumë leximi që unë i bëj deklaratës apo qëndrimit të sotshëm të kryetarit të bashkisë. Ka qenë po kryetari i bashkisë, i cili ka qenë promovues i një procesi dialogues me aktorë, arkitektë, me grupe të ndryshme të interesit dhe është krejt normale që kryetari i bashkisë të ketë një opinion për këtë çështje.
Zëri i Amerikës: A ka vend më për konsensus?
Ditmir Bushati: Edhe njëherë thashë që kjo është një çështje që ngërthen interesin publik dhe besoj se koha në dipozicion do të shfrytëzohet me efektivitet nga të gjitha instancat shtetërore dhe jo vetëm.
Zëri i Amerikës: Zoti Bushati në çfarë faze ndodhen negociatat me Greqinë dhe kur mund të përmbyllen ato?
Ditmir Bushati: Jemi në një fazë dialogu intensiv për të gjitha çështjet, qoftë ato me karakter dhe me peshë historike apo çështjet e aktualitetit politik. Besoj se kemi hedhur disa hapa të rëndësishëm përpara edhe për ato çështje të cilat deri para pak vitësh konsideroheshin tabu…
Zëri i Amerikës: Për shembull?
Ditmir Bushati: Për shembull, deri para pak vitësh konsiderohej tabu që të uleshim dhe të diskutonim për një marrëveshje të re përsa i përket kufizimit të zonave detare. Sot jemi pikërisht në mesin e këtij procesi dhe një pune voluminoze. Deri para pak vitesh mohohej ekzistenca e ligjit të luftës nga ana e Greqisë përkundrejt Shqipërisë. Sot për sot ne kemi një diskutim të qenësishëm jo vetëm për shfuqizimin e ligjit të luftës, por edhe pasojave kryesisht ligjore që vijnë nga ligji i luftës.
Zëri i Amerikës: Po çështja çame po diskutohet? Ka kritikë që mendojnë që ju nuk po e diskutoni çështjen çame, ata që përfaqësojnë komunitetin çam në Shqipëri.
Ditmir Bushati: E para, nuk e di se nga ku vjen kjo kritikë sepse faktet flasin qartë.
Zëri i Amerikës: Nga Shpëtim Idrizi, kryetar i PDIU-së.
Ditmir Bushati: Në 2013 për herë të parë në programin e një qeverie të votëbesuar në Kuvend është përfshirë çështja çame si pjesë e programit të politikës së jashtme, që do të thotë se e gjithë loja që është luajtur në kurriz të kësaj çështjeje, sidomos me qeveritë e kaluara, është mbyllur njëherë e mirë me përfshirjen e kësaj çështje si pjesë e programit të politikës së jashmte. Së dyti, kur ka nisur procesi i dialogut instensiv në vitin 2016, të dyja palët Shqipëria dhe Greqia në nisje të këtij procesi kanë shkëmbyer opinionet dhe mendimet e tyre rreth gamës së çështjeve.
Zëri i Amerikës: Greqia nuk e njeh çështjen çame. A mund të ketë përparim në këtë çështje?
Ditmir Bushati: Këto janë dy pyetje që kërkojnë dy përgjigje të ndryshme. Pjesa e parë, në lidhje me qëndrimin tonë. Qëndrimi ynë është i palëkundur dhe në lidhje me mënyrën se si ne e kemi konceptuar adresimin e çështjes çame, duke vendosur edhe linjat e kuqe që kanë të bëjnë me integritetin territorial të Greqisë me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut me përgjegjësinë individuale dhe jo kolektive, me të drejtën për të përkujtuar aspekte të ndryshme të historisë ku përfshihet edhe çështja çame me të drejtën për të gëzuar pronësinë. Ju më pas thoni që Greqia nuk e njeh (çështjen çame). Mund t’ju them se edhe për çështje tjera kemi pasur situata totalisht të konceptuar ndryshe nga ne dhe Greqia. Por me vullnet, me bisedime dhe me punë palët kanë arritur që të përafrojnë qëndrimet e tyre. Unë shpresoj që nuk do të jetë e largët dita kur Shqipëria dhe Greqia do t’i përafrojnë qëndrimet edhe për këtë çështje.
Zëri i Amerikës: Zoti ministër, homologu i juaj grek ka thënë se shumë shpejt Greqia do të zgjerojë ujërat territoriale. Çfarë ka dashur të thotë ai me këtë deklaratë?
Dimir Bushati: Unë nuk e di se çfarë ka dashur të thotë ministri i jashtëm grek, por di që i gjithë procesi i bisedimeve me Greqinë udhëhiqet nga parimet e të drejtës ndërkombëtare, nga konventa mbi të drejtën e detit, nga parimet e të drejtës kushtetuese dhe legjislacionet respektive.
Zëri i Amerikës: Zoti ministër, faleminderit për intervistën.