Ka kaluar një çerek shekulli që prej luftërave të Jugosllavisë. Tani një përmendore tekstili kujton viktimat në Muzeun e Berlinit.
“Ai që ka përjetuar tmerret e luftës”, thotë Basiljka Schedlich “nuk harron kurrë”. Deri dy vjet më parë, kjo grua në mesin e të 60-ave ka drejtuar shoqatën “Evropa Juglindore sh.r.” Ajo e themeloi atë shoqatë në vitin 1992, si pikë kontakti për njerëzit që morën arratinë nga zonat e luftës në Bosnjë, Kroaci dhe Serbi për në Berlin. Në Jugosllavinë që po shpërbëhej grupe të tëra popullate u ndodhën përballë njëra-tjetrës. Mijëra vetë vdiqën. Të tjerë mbijetuan të traumatizuar. Vetëm marrëveshja e paqes e Daytonit hoqi në vitin 1995 një vijë përfundimtare. “Aksioni ynë”, u shpreh Schedlich, “synon të kujtojë tmerret e luftës.”
Aksioni: fjala është për shami të thjeshta, të ngjyera shpesh, të qepura në rripa stofi. Në muret e Muzeut të Kulturave Evropiane ato mund të shihen që prej tani: gratë e refugjatëve nga Ballkani i kanë qendisur ato me ngjyra të ndryshme. Me gjilpërë dhe pe ato përjetuan datat e lindjes ose edhe të vdekjes të të zhvendosurve e edhe të burrave e fëmijëve të vrarë: Ekrem Zildic për shembull, i cili lindi në 04.01.1962 dhe emri i të cilit zbukuron një trëndafil. Ose Halilovic Esed, i cili e humbi jetën në vitin 1995 në masakrën e Srebrenicës.
Qëndisja si terapi
Qëndisja bëhej gjithmonë të premteve, kur gratë refugjate vinin për sesione terapie në dhomat e shoqatës “Juglindja”, në Kreuzberg. Me to ishte edhe Begsada Alatovic, e cila e humbi të shoqin, një polic dhe që erdhi si refugjate në vitin 1994 në Berlin. Vite më vonë i zbuloi ajo eshtrat e të shoqit, kur u hap një varr masiv. Alatovic u angazhua që atëherë si këshilltare në shoqatën “Juglindja sh.r.”
1000 shami kundër harresës, quhet ekspozita në Muzeun e Kulturave Evropiane. Përgjegjësja Beate Wild thekson se ekspozita nuk ka të bëjë vetëm me viktima boshnjake. “Viktima dhe doras ka tek të gjitha palët”, shprehet Wild. Në ekspozitë tregohen qëndismat e grave boshnjake edhe serbe. Por Muzeu megjithatë nuk synon t’i shenjojë etnikisht më pas të vdekurit e luftërave postjugosllave.
Pamje peizazhesh
Në muret e Muzeut Wild ka varur shiritat e stofit të krijuara nga shamitë e lidhura me njëra-tjetrën: si “rol i kujtesës”. Por në hyrjen e ekspozitës sheh fotografi në format të madh të fotografit berlinez Nihad Nino Pusija, me origjinë nga Bosnja. Ato duken si peizazhe të qeta. Pas atyre fasadave të bukura fshihet një luftë e përgjakshme – diku një kamp pune, më tej shtëpi të bombarduara. Vetëm kur lexon diciturat e fotografive e kupton me se ke të bësh. “Natyrisht që krimet e luftës nuk harrohen”, thotë Pusija, “por pa ia falur njeri-tjetrit, nuk mund të bashkëjetosh pas kësaj që ndodhi.(Stefan Dege. D.W.)