“Kosova është bërë çerdhe e shërbimeve të huaja “

Diana Bunjaku
Nga Diana Bunjaku

“Druaj se kjo burgosje është e provokuar për nevoja të dialogut me Serbinë dhe kjo do të ishte disfatë në aspektin e seriozitetit të shtetit tonë të brishtë. Kosova është bërë çerdhe e shërbimeve të huaja dhe kjo vjen si neglizhencë e institucioneve tona, sidomos e  pa aftësisë së AKI-së”, është shprehur deputetja Drita Millaku.

Policia e Kosovës, ditë më parë ka arrestuar një bandë të përbërë prej katër personave, dy tyre të cilëve kishin arrest ndërkombëtar për vrasje.

Dy shtetasve malazez, një shtati serb dhe një shtetaseje nga Kosovës, Gjykata Themelore e Prishtinës u ka caktuar nga 30 ditë paraburgim.

Mbi Mario Millosheviq, Gjorgje Paviqeviq, Strahinja Dankoviq dhe Laureta Zyban, rëndon pretendimi i Prokurorisë për veprat penale të mbajtjes nën kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve si dhe blerja, posedimi,  shpërndarja dhe shitja paautorizuar e narkotikëve.

Madje, për serbin e arrestuar, u raportua se ishte pjesëtar i BIA-s serbe, ndonëse kjo e fundit e mohoi një gjë të tillë.

Por sa është e rrezikuar Kosova nga agjentët e ndryshëm të shërbimeve sekrete, flasin politikanë e njohës të sigurisë.

Image

Drita Millaku

 

Millaku kritikon AKI-në

Deputetja Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka thënë se arrestimi këtyre personave, në Prishtinë është për tu përshëndetur por duhet të vazhdohet me ngulm gjerë në dënimin e tyre, duke  prezantuar prova dhe fakte para gjykate.

“Kishte me qenë mirë që ky veprim të mos jetë vetëm për nevoja të shtypit ditor dhe të politikës ditore pa koncept dhe pa strategji. Druaj se kjo burgosje është e provokuar për nevoja të dialogut me Serbinë dhe kjo do të ishte disfatë në aspektin e seriozitetit të shtetit tonë të brishtë. Kosova është bërë çerdhe e shërbimeve të huaja dhe kjo vjen si neglizhencë e institucioneve tona, sidomos e  pa aftësisë së AKI-së”, është shprehur deputetja Millaku.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi, ka thënë për “Bota sot”, se arrestimi është një lajm i mirë, ngase tregon që po funksionojnë institucionet.

Image

Fadil Kajtazi

“Ne anën tjetër ne si qytetar duhet të jemi vigjilent për anomalit që po qarkullojnë për rreth nesh dhe ti raportojmë në organet kompetente. Kjo do të rriste efikasitetin e punës së organeve tona të ruajtjes dhe zbatimit të ligjit. Në anën tjetër, po ashtu veprimet e shërbimeve të huaja në një territor të huaj, në këtë rast në Kosovë e kanë të pa mundur aktivitetin nëse nuk kanë paraprakisht rezidenturat e tyre të krijuara nga individ të popullatës vendase. Në këtë rast unë do të përjashtoja serbët lokal që kanë obligim të ndihmojnë veprimtarinë subversive të shërbimeve serbe në Kosovë edhe kjo do të ishte me pasoja minimale”, ka thënë njohësi i çështjeve të sigurisë Kajtazi.

Kajtazi: Shërbimet sekrete ndihmohen nga shqiptarët

Sipas tij, aktiviteti me intensitet të lartë – shkatërrues në drejtim të Kosovës nga ana e shërbimeve serbe ka efikasitet nëse ndihmohet nga shqiptarët, të cilët për të pasur sukses zakonisht janë të veshur me kauza të mëdha patriotike.

“Kjo kategori bën kërdi në jetën shoqërore të një vendi siç është Kosova, pasi që objektivi kryesor i shërbimeve serbe është sabotimi i funksionimit të shtetit të Kosovës, me qëllim që situata të bëhet e ngrirë për ti krijuar favore Serbisë për t’u konsoliduar në rrafshin e brendshëm politik, ekonomik, në mënyrë që të prolongoj anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare (OKB, OSBE,NATO, UNRSCO). Pra fakti se me të arrestuarit ndodhet edhe një shqiptare, shtetase i Republikës së Kosovës, flet shumë”, është shprehur njohësi i çështjeve të sigurisë Kajtazi.

Sipas tij, duke  e pasur parasysh faktin se Kosova për 100 vite ka qenë e pushtuar nga Serbia, nuk është e vështirë ta qëllosh se influenca e shërbimeve Serbe është e madhe në Kosovë.

“Përveç kësaj, duhet pasur parasysh faktin se veprimtaria agjenturorë e Serbisë në drejtim të Kosovës ka filluar menjëherë pas hartimit të “Nacertanies”. Kështu duke u mbështetur në parimet e “Naçertanijes” dhe qëllimet e lartpërmendura, Ilia Garashanin në vitin 1844 e dërgon në terren Sevan Verkoviqin me mision të posaçëm e kryesisht për të mbledhur të dhëna mbi Shqipërinë si dhe për të vendosur kontakte me shqiptarët. Me 1853, me urdhër te Ilija Garashaninit, ne Dubrovnik, formohet rezidentura e pare e agjenturës serbe e cila do te vepronte ne drejtim te trojeve shqiptare e qe udhëhiqej nga Matija Bani”, ka thënë Kajtazi.

Faktet  nga e kaluara

Ai ka thënë se gjithashtu, si pjesë e ri konsolidimit të agjenturës serbe në trojet shqiptare, është edhe ndarja e hapësirës operative në mes Greqisë dhe Serbisë, e cila u vendos në takimin e mbajtur me 1861 në Stamboll midis Ilia Garashaninit dhe Marko Renijerit.

“Në këtë takim palët arritën marrëveshje që vija ndarëse e interesave serbo-greke të jetë Ohër-Prilep-Veles-Shtip-Kratovë-Gornja, Xhuma-Stara Pllanina. Në jug të kësaj vije do të punonin organet propagandistike greke, ndërsa në veri të saj agjentët e Serbisë. Në funksion të intensifikimit të këtyre aktiviteteve u vendos që të formohet struktura agjenturore në terren e cila përbëhej nga Këshilli i përbërë prej tre personash, në krye një prijës e një ndihmës. Mandej ishin paraparë 7 të besuar (agjentë) kryesorë dhe 4 të dorës së dytë apo të vegjël. Propaganda duhej të përfshinte këto vende: Bullgarinë, Bosnjën, Hercegovinën, Maqedoninë, gjer në Selanik e Kavallë, viset midis Serbisë e Kosovës dhe Kosovën. Agjentët e vegjël apo jo kryesorët ishin të paraparë për këto vende: një për Fushë të Kosovës, Prishtinë, Vuçitërnë, Pejë, Gjakovë e Prizren, një për Novi Pazar, Mitrovicë, Rozhajë, Bjellopojë, Senicë, dhe një për Nishë, Leskovc, Prokuple që në atë kohë ende banoheshin me shumicë nga shqiptarët. Nëse vetëm këto fakte historike i analizojmë, dhe këtyre iu shtojmë faktorët psiko-social që mbretëronin tek popullata  jonë që nga viti 1912 e deri më 1999, nuk është vështirë të konkludohet, as për mundësitë e mëdha që kanë shërbimet serbe, për të ndikuar në jetën tonë shoqërore, që siç po shihet po zhvillohet me vështirësi”, ka thënë njohësi i çështjeve të sigurisë Fadil Kajtazi.

Image

Hajrullah Tërnava

 

Dëmtimi i imazhit të Kosovës

Ndërsa eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava ka thënë se situata politike e brishtë që mbretëron në Kosovë, dëshmohet me këto burgosje që po ndodhin sikur kjo e arrestimit të malazezve dhe serbit në Prishtinë.

“Një destabilizim të tillë e dëshiron dhe vepron shteti i Serbisë, sepse në bisedimet që po zhvillohen mes dy shteteve, dëshirojnë ta bindin faktorin ndërkombëtar se shteti i Kosovës është jo funksional, e sidomos në bisedimet që po zhvillohen, duan ta shkëpusin një pjesë të Kosovës ashtu sikurse atë të veriut. Këtë shkëputje të kësaj pjesë dëshirojnë ta arrijnë në mënyrën e vet, ashtu sikurse edhe u pa, se çfarë presioni bëjnë mes shërbimit sekret të saj sikur që është BIA, mes bashkëpunëtorëve të saj, që janë të mjaftueshëm në Kosovë dhe të tjerëve që gjinden për rreth, ashtu sikurse në Malin e Zi e që i angazhon kur ka nevojë për ti arritur qëllimet e veta”, ka thënë Tërnava.

Ai po ashtu ka theksuar se, Kosova si tani ashtu edhe në të ardhmen, gjithnjë do të jetë e rrezikuar nga ky Serbia shtet që ka pretendime armiqësore dhe sipas tij, çështje taktike e Serbisë është se cilët bashkëpunëtor i angazhon në arritjen e qëllimeve për të cilat pretendon.

Image

Drizan Shala

Kurse eksperti i sigurisë Drizan Shala, ka pohuar se arrestimi që është zhvilluar nga organet e rendit në Prishtinë tregon edhe njëherë që sektori i sigurisë së bashku me akteret tjerë të shërbimeve mike, kanë realizuar një planë tejet të suksesshëm ku janë prangos personat me motive kriminale të kërkuar me arrest ndërkombëtar.

“Sipas burime të mediave thuhet ndër tjerash që njeri nga të arrestuat është pjese e strukturave të shërbimit sekret serb dhe kjo pastaj krijon një konotacion më të gjere që strukturat e këtij shërbimi është duke planifikuar veprime kriminale në territorin e Kosovës qoftë me vrasje,drogë dhe kështu të paraqitet Kosova si vend i krimit në arenën ndërkombëtare”, është shprehur eksperti i sigurisë Drizan Shala.