Presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi presidentin iranian, Hassan Rouhani, që “asnjëherë të mos kërcënojë Shtetet e Bashkuara”, në një koment në twitter, pak kohë pasi që sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, mbajti një fjalim kritik ndaj udhëheqësve të Iranit.
“Për presidentin iranian, Rouhani: Kurrë më mos i kërcënoni Shtetet e Bashkuara, ose do të përballeni me pasoja çfarë kanë pësuar shumë pak deri tash në histori. Nuk jemi më vendi që do të rrijë duarkryq përballë fjalëve tuaja të marra të dhunës e vdekjes. Kujdes”, shkroi presidenti Trump të dielën vonë.
Ai u është përgjigjur kësisoj raportimeve të së dielës që citonin presidentin iranian Rouhani të ketë paralajmëruar presidentin Trump, “që të mos luaj me bishtin e luanit”.
“Amerika duhet ta kuptojë mirë se paqja me Iranin është nëna e paqes dhe lufta me Iranin është nëna e të gjitha luftërave”, citohet të ketë thënë ai.
Sekretari Pompeo, tha gjatë një fjalimi në Kaliforni se qeveria e Iranit është shndërruar në makth për qytetarët e Iranit.
Shefi i diplomacisë amerikane tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë frikë që të ushtrojnë trysni mbi qeverinë iranianë në nivelin më të lartë, duke u bërë thirrje aleatëve të Shteteve të Bashkuara që t’i bashkohen trysnisë financiare mbi qeverinë e Teheranit.
“Kjo vlen posaçërisht për aleatët në Lindjen e Mesme dhe në Evropë, qytetarët e të cilëve janë terrorizuar nga veprimtaritë e dhunshme të regjimit për dekada të tëra”, tha sekretari Pompeo.
Ai tha se administrata e presidentit Trump, nuk do të heshtë përballë, siç tha ai, krimeve dhe shkeljeve të shumta të qeverisë iraniane.
Kjo përfshinë kleptokracinë, thaë sekretari Pompeo, duke nënvizuar se ata në krye kanë shpenzuar mirëqenien e njerëzve në terrorizëm e vjedhje dhe në zellin për të përhapur revolucionin islamik në vende të tjera.
Sekretari Pompeo tha se ekonomia e Iranit “është e shkëlqyer”, por vetëm për elitën, duke akuzuar ajatollahët dhe udhëheqësit e lartë për mbushje të xhepave të tyre me miliarda dollarë, ndërsa një e treta e iranianëve jetojnë në varfëri.
“Gjykuar nga pasuria e tyre e madhe, ata duken më të shqetësuar me pasuritë sesa me besimin”, tha ai. “Këta njerëz të shenjtë hipokritë kanë ngritur të gjitha llojet e skemave mashtruese që të bëhen disa prej burrave më të pasur në botë, ndërsa njerëzit e tyre vuajnë”.
Derisa sekretari Pompeo po fliste për mungesën e lirisë së shprehjes në Iran, ndërpre nga një protestues. Sekretari qëndroi i qetë para se të theksonte se iranianët duhet të kenë të njëjtën liri të shprehjes.
Sekretari njoftoi gjithashtu se BBG, që mbikëqyrë Zërin e Amerikës, po ndërmerr hapa të rinj për t’i ndihmuar iranianët të shmangin censurën e internetit. BBG gjithashtu po hap një kanal të ri 24 orësh në gjuhën farsi në televizion, radio dhe rrjetet sociale.
Ai tha se synimi i Shteteve të Bashkuara është që të shohë iranianët të jetojnë brenda vendit të tyre njësoj sikurse edhe iranianët ne Shtetet e Bashkuara.