Të rinjtë dhe politika ose zëri i tyre i mbytur…!

Nga Prend BUZHALA – Kosovë

Ç’do të thotë kyçja e të rinjve në politikë?

1.
Do të thotë që të bëhen servilë të një politike zhvatëse, që vazhdimisht prodhon kriza; apo politikanë të rinj që do të ndikonin në ndryshime? A do të jenë të rinj që i futen politikës për të krijuar vetëdije të re, mundësi të reja, politika të reja, sisteme të reja zhvillimore dhe kultura të reja që nxisin angazhime e ndryshime, apo do të jenë vetëm vrapues servilë pas “të mëdhenjve” të politikës së deritashme, kur krizat politike, arsimore, ekonomike, do të prodhojnë kriza të vlerave njerëzore dhe kriza zinxhirore në të gjitha fushat?

2.
Në Prishtinë, me sa e di, kanë dalë disa gjenerata studentësh që kanë kryer shkencat politike (nuk e di profilin shkencor e intelektual të ligjëruesve të tyre).
Çka sollën të re ata, mbasi u shkolluan!?
A bënë ndonjë studim a sintezë shkencore për mendimin politik shqiptar, apo jepen duke bërë studime bosh pas volterëve e makiavelëve të së kaluarës? Dhe, pse nuk duan ta dinë se edhe ne i kemi volterët tanë dhe makiavelët tanë?
A na dhanë analiza për veprimtaritë politike në Kosovë? A kanë shkruar dhe a kanë reaguar për sjelljen politike të politikanëve tanë, çfarë parimesh studimore të kësaj fushe zbatojnë ata? A di opinioni nëse ata kanë bërë politika krahasuese në të gjitha fushat, me ato ndërkombëtare? Në çfarë rrugësh qorre humbën studimet e tyre për Politikën e brendshme dhe të jashtme, për Demokracinë dhe Pushtetin, për Rendin, Lirinë dhe për të drejtat njerëzore?! Apo nuk duan ta realizojnë asnjë të drejtë? Ndoshta ndonjëri prej tyre ka përfunduar të bëhet këshilltar politik i krerëve të pushtetit, për t’u paguar në miratimin e gënjeshtrës, për ta arsyetuar “me këshilla” nga dija “e shkencës politike” politikën injorante, shkatërrimtare, zhvatjen e parasë, korrupsionin e institucioneve…

2.
Nga një mijë studentë për çdo vit akademik regjistrohen vetëm në Fakultetin ekonomik të Universitetit të Prishtinë e qindra të tjerë nëpër fakultete ekonomike të universiteteve tjera. Çfarë ndryshimesh ekonomike sollën ata?! Ku i zbatojnë dijet e tyre? I zbatojnë me heshtje, me papunësi e me mosreagime? Apo, ndoshta, ndonjëri ka përfunduar me pagë privilegjesh diku në zyrat e panumërta, të krijuara si rrjetë merimangash, për të arsyetuar politikën e vetëmashtrimeve të “trendeve zhvillimore”?!
Nga një mijë studentë për çdo vit akademik regjistrohen edhe në Fakultetin juridik të Universitetit të Prishtinë e qindra të tjerë nëpër fakultete juridike të universiteteve tjera.
Çfarë ndryshimesh juridike sollën ata?! Apo edhe ndonjë i tillë, thjesht, ka përfunduar në atë rrjet fallangash të pseudo-drejtësisë?
Dhe kësisoj në të gjitha fushat tjera: nga universiteti në pushtet e nga pushteti deri në në të gjitha nivelet.
Edhe ata të rinj që e ngrenë zërin e tyre, që shkruajnë apo shprehin pakënaqësinë e tyre në një formë ose tjetër, është ZË I MBYTUR nga zhurma e megafonave të zëdhënësve politikë apo të zëdhënësve të zyrave, institucioneve, dhe të mijëra zyrave tjera…
Kështu ndodh, sepse rinia i beson Pushtetit, i beson Universitetit, pardon: i besojmë Gënjeshtrës dhe Vetëmashtrimit.
Dhe kur i beson Dijes së vet, atëherë kah t’ia mbajë në këtë zhurmë mbytëse?

3.
Pyetjet mund të shtrohen nga më të ndryshmet e më therëset. U shtruan ato që janë thelbësore për vetë rininë e për qytetarët tanë.
Por do theksuar se një Pushteti të tillë, pa vizionin për zhvillim ekonomik, pa vizionin për arsim e dije; nuk i intereson një rini e çliruar. Një rini e revoltave dje, e përkushtimeve atdhetare dje, sot ajo është nënshtruar turpshëm.
E vetmja rrugëdalje gjendet në ikjen jashtë Kosovës…
Kosovën ua kemi bërë të padurueshme e të padëshirueshme rinisë.
PËRSE SHTETI DHE UNIVERSITETI U JEP DIPLOMA STUDENTËVE?!
Kujt i duhen ato, përse shërbejnë?!
Për të krijuar privilegje të pamerituara apo për të KRIJUAR KONTIGJENTE TË REJA TË PAPUNËSH, KONTIGJENTE për të ushtruar mbi ta një EKSOD TË BARDHË ETNIK E NJË GJENOCID TË BARDHË?!
E këtë spastrim të bardhë etnik kundër shqiptarëve dihet se kush e bën.
Kanë emër e mbiemër, jo vetëm institucionet shtetërore, por edhe bandat e trafikimit të njerëzve… (fatbardhësisht, u mënjanuan, deri diku, me sukses).
Prandaj, NË VARFËRI KA KONKURRENCË ARMIQËSORE…kurse NËN HIJE i fërkojnë duart nga kënaqësia ata që nxjerrin përfitimet e veta pushtetore.

4.
Përbrenda Kosovës gjenden “rrugëdalje” tjera: në vend të ndërtimit të industrisë, teknologjisë, fabrikave, investimeve për punë etj; ndërtohen tempuj të panumërt fetarë (për t’u ngushëlluar me xhenetin në tjetër botë a me parajsën në tjetrën botë, mbasi religjioni këtë botë e shpall të padëshirueshme dhe gati sa nuk e shpall ferr a xhehenem, në sintoni me Pushtetin). Shtoja kësaj rekrutimet ideologjike: për ta mohuar kombin e vet, historinë e vet…
Nuk është e habitshme, po ashtu, përse TË RINJTË MË SHUMË E DËGJOJNË NJË KLERIK SE SA NJË PROFESOR UNIVERSITAR me dije e kompetencë; sepse vetë këta profesorë pajtohen em gjendjen e tillë.
Nuk është e habitshme përse shumohen zërat, sidomos tek të rinjtë;:ë pari feja e mandej kombi… (me frymëzime të huaja).
Të gjithë ata besimtarë (në Kosovë) që kanë fenë para kombit, duan të na thonë se nuk ka rëndësi Kosova e lirë (pasi feja te Libri i Shenjtë nuk i pranon kombet e shtetet, nuk e pranon lirinë, por NËNSHTRIMIN NDAJ PERËNDISË a Allahut); për ta ka rëndësi NËNSHTRIMI ndaj SUPREMES. Kjo mendësi ka krijuar edhe PSIKOLOGJINË e robit…
Rrjedhimisht, nuk njohin kombin shqiptar dhe mohojnë historinë kombëtare.
Dhe e gjejnë paqene dhe me Pushtetin: në favor të Pushtetit e në favor të mjerimit të tyre!
Dhe: profesorët tanë universitarë fare nuk kanë reaguar ndaj rekrutimit të të rinjve në luftërat e huaja a në fushatat komb-zhbërëse e komb-mohuese. Ishte i paktë zëri i tyre, në këtë drejtim!

5.
Apo profesorët universitarë heshtin, sepse pagat kurrë nuk i kanë pasur më të mira: e përse ta prishin rehatinë e tyre personale, për t’u ballafaquar me fenomenet e theqafjet e Kosovës a tës studentëve të tyre? Le të shkojnë ku të duan këta studentë, le të bëjnë ç’të duan! Mjafton që profesori e ka numrin e bollshëm të studentëve, për të ligjëruar e për të marrë pagë. Mundësisht, për të ligjëruar edhe në disa fakultete private e për të zhvatur edhe andej për ligjëratat që sjellin papunësi e zhgënjim.
Aq iu bën këtyre ligjëruesve e universiteteve: punë e madhe përse Pushteti e Universitetet nuk hapin aso degësh zhvillimore, për të cilat ka nevojë Kosova.
E pra, edhe kjo lagje e madhe ligjëruesish universitarë, janë prodhues të krizës, të të këqijave e të mosndryshimit të gjendjes.
Pardon: meqë është kohë e pranimit të studentëve të rinjë jo pak syresh do të jepen pas formave të pranimit me lidhje të dyshimta (familjare, miqësore, me anë të korruptimit etj).

6.
Dhe, po e përsëris:
I kotë secili reagim intelektual.
Kush është ngushtë për intelektualët e mendjen e tyre! Kosovës nuk i pëlqen mendja!
U pëlqen e kundërta e mendjes.

(20 korrik 2018)