Malësia e Gjakovës me Kryqin më të lartë në Ballkan
Gasper e Mhill Prebibaj sjellin kryqin hyjnor të njeriut, besën e Alfredit të larguar.
Nga Agron Prebibaj
Përmbi Drin e përmbi krye të luginës së Nikaj-Merturit qysh sot qëndron shkëlqimi hyjnor nëpërmjet kryqit më të lartë jo vetëm shqiptar por në Ballkan në vështirësinë e vendosjes, në krye të Rrasës së Currajve.
Kryqi me shikim nga Nikaj-Merturi e Malësia e Gjakovës vjen si reja e bardhë e Zotit për të qëndruar përjetësisht me njeriun së afërmi e në distancë, vjen me mesazhin më të madh hyjnor të njeriut për njeriun atë të besës e besimit në Zot.
Për të kujtuar edhe Jezu Krishtin vetëm 33 vjeç në mrekullinë e vet zgjati vetëm tre vite duke nisur rrugën e Tij me peshkatarët të cilët i ftoj të lënë peshkimin e për të vazhduar peshkimin e njerëzizë në rrugën e Zotit, në rrugën e drejtë të përjetshme për njeriun.
Ndërsa peshkatari Alfred Prebibaj peshkoi në amanetin e tij në ndarjen e besës mes të vëllait dhe kushëririt duke u dergjur në një spital të Londrës për kryqin në krye të Rrasës së Currajve, kryqi i ndriqimit të përjetshëm në Dardani.
Ishte kushëriri Mhill Prebibaj të cilit Zoti ja lëshoi nga goja fjalën tek koka e Alfredit në spital: – Alfred, ti do të shërohesh shumë shpejt, ndërsa unë me Gasprin(i vëllai) mbi rrasën e Currajve do bëjmë një kryq të madh me foton tënde, por peshkatari i hyjnorës preu besën mes vëllait e kushëririt për ndërtimin e këtij kryqi sikur Ai ta kishte dëgjuar ikjen nga kjo botë e për të lënë të gjallë një pasuri të vetën sa më pranë Hyjit.
Pas lëngimeve në spitalet e perëndimit për Alfredin do të shuhej përfundimisht buzëqeshja e dashuria e tij njerëzore për të kaluar si engjull në parajsë, vetëm kështu do ikte përfundimisht nga ne për të mbetur në Altarin hyjnor, për të mbetur pranë mbretërisë në krye të Rrasës së Currajve, i ngritur papritmas në panteonin shqiptar e Ballkanik.
Besën e prerë nga Alfredi e dëgjova pas të tretave të përcjelljes nga vetë goja e Gasprit dhe e Mhillit, të cilët me mjaft maturi treguan besën në Londër por shumë të vendosur për ta sjellur kryqin e lartë shqiptar pa u bërë viti i ikjes së engjullit tonë.
Tashmë realitet i përbashkët, kryqi i porositur në Itali, 17 m i lartë i cili nis me diametër 34 cm deri në 28 cm, inoks me shkëlqim nga dielli, 1600 kg, pra kryqi i më i lartë në Ballkan, një kryq kryelartë atje ku qëndron, përmbi luginën e Nikaj-Merturit në hyrje të fshatit Curraj Eper përmbi krye të cilit qëndrojnë Bjeshkët e Namuna.
Duket se edhe Zoti ndaloi më gjatë në Curraj Eper për të dhuruar pikturën më të mirë të dheut e për ta vargëzuar me Bjeshkët e Namuna e cila do pasonte ndër shekuj historinë e lashtë e të brishtë të lëgjendave shqiptare, por pse jo e lënë me porosi edhe kryqi që erdhi në terrenin më të vështirë malor, në krye të një shkëmbi të lartë i quajtur Rrasa e Currajve aty gjithçka do të transportohej nga njeriu nëpërmjet kafshës së punës(mushkës).
Epika legjendare e këtyre bjeshkëve për Muajin e Halilin, Ajkunën, Omerin e ri, Gjergj Elez Alinë do të jepej për visaret e kombit 1 dhe 2 nga Mirash Gjon Prebibaj pinjolli i të cilit është Gaspri, por edhe Dedë Zefi pasuroi visaret e kombit (2), pinjolli i të cilit është Mhilli që të dy kushërinj mjaft të afërt të të njëjtit gjak.
Gjeneza e mirë, sjell gjenëzë të mirë një shëmbëlltyrë që vetëm shkëlqen, jep personalitete ndër breza, pasuron historinë e besës e qëndresës për të qëndruar kryelartë në panteonin kombëtar, pra historia e familjes në përgjithësi ka zig zaget, ngritjet e uljet e veta, siç thotë populli martesat e këqija, apo prej të mirit del i keqi, apo edhe “ferra jep të mirë” por ajo çfarë befason në 4-5 breza të Mirash Gjonit asnjëherë në luhatje, gjithnjë në rritje e me maturi sipas kohërave por gjithnjë pjellë e rracës së mirë shqiptare e bazuar kjo në barometrat më të mirë e bazuar tek qëndresa, besa, besimi e dija në të gjitha kohërat.
Mbajtja e besës e besimit nga Gasper e Mhill Prebibaj para Alfredit, një ogur i bardhë i njeriut për njeriun e cila duhet të jetë shërbesë për brezat.
Kryqi i Rrasës së Curraj Eper defakto në panteonin e besimit e besës shqiptare, krijesa e re dhe e papritur për historianët të cilet e kanë të freskët.
Tashmë kryqi i Curraj Eper është i gjithkujt, një pasuri historike që vjen për Malsinë e Gjakovës, një pasuri e Kishës dhe mbarëkombëtare.