Plava, Gucia dhe Malësia e Gjakovës gjatë shekullit të XIX-të

Nga Prof. Dr. Lush SUSAJ

1.- Si ka ndikuar konvertimi i popullsisë në coptimin dhe humbjen e trojeve shqiptare

Humbja e territorëve shqiptare gjatë shekullit të XIX-të, si dhe vonesa e shqiptarëve në shtetëformimin e tyre, janë vepër e aleancës së vjetër sllavo-otomane, që përveç përçarjeve dhe masakrave mbi shqiptarët, për vite e shekuj me radhë ua ndaloj shkollën, gjuhën edhe kulturën amtare. Që në ditën e parë të pushtimit osman e deri në ditën e tyre të fundit, me një egërsi të pashëmbullt janë goditur origjina dhe imazhi i shqiptarëve, janëe goditur identiteti kulturor e kombëtar, janë goditur uniteti, ekuilibrat dhe bashkëjetesa qytetare e vendit.

Për shqiptarët, pushtimi osman nuk ka sjellë asgjë të mire. Përkundrazi ka shkatërruar raportin dhe dhe sjelljen ndajë punës, ndaj natyres, ndaj shoqërisë dhe mendimit njerëzor. Modeli otoman i jetesës, i sundimit dhe i qeverisjes e ka degraduar shoqërinë shqiptare dhe vetë karakterin e shqiptarit duke e larguar atë nga puna e duke i bërë jeniçer, hajdutë, servile apo sundimtarë të çartun.

Aleancat dhe pPlatformat orientale të rajonit e arritën qëllimin antishqiptarë të tyre duke realizuar fenomenin e shëmtuar të konfondimit të fesë me kombin dhe shtetin. Kjo vepër antishqiptare është përdorur nga fqinjët për t’i paraqitur shqiptarët si turq, si pushtues, si kolonë, si të ardhur nga Anadolli, e që sipas tyre, pas renies së Perandorisë Osmane, duheshin copëtuar e larguar nga rajoni.

Duket që nga historia otomane dhe vazhdimësia e sajë otomano-komuniste, nuk janë nxjerrë mësimet e duhura, duket sikur akoma nuk jemi shkëputur nga modelet e fasadave dhe të sajesave të ngjarjeve fiktive, duket që viroza atomane dhe otomano-komuniste nuk është sheruar akoma. Për këtë arsye, jeta jonë shoqërore dhe politike është kaq e renduar nga mosbesimi, mashtrimi, ligësia dhe hipokrizia. Mjafton që të shikohet vershimi i panevojshëm i filmave dhe telenovelave turke, vërshimi i panevojshëm i investimeve turke në xhami e ferexhe, përkundrejt infrastrukturës dhe institucioneve tona arsimore e social kulturore të shkatërruara e të prapambetura për kohën që jetojmë. Në lidhje me këtë fakt, Gani Mehmetaj (Melbourn, 2015), ka shkruar se: “Xhami kemi me tepri, të reja e të vjetra, kemi më shumë se i tërë Gadishulli Ilirik së bashku. Fabrika kemi më së paku në Evropë, ose nuk kemi fare. Turqia investoi në fabrika e ekonomi në shtetin serb, ndërsa në Kosovë vetëm në xhami. Shqiptarët i ktheu në mesjetë, serbët i ndihmon të përparojnë dhe t’u bëhen policë shqiptarëve…”.

E megjithatë, historia e asimilimit dhe dëbimit me dhunë e mashtrim të shqiptarëve nuk mund të përseritet më. Pavarësishtë nga feja në të cilën besojnë, shqiptarët janë dhe ndihen si europianë, janë dhe ndihen autoktonë në trojet e tyre mbi 6000 vjeçare, kemi të bëjmë me një realitet shoqëror dhe historik që nuk mund të ndryshohet kurrë dhe nga askush.

Për Shqipërinë e Eperme (siq quhej në atë kohë), betejat më të përgjakshme të shekullit të XIX-të, janë zhvilluar në Plavë, në Guci, në Hot, në Maraç, në Kolashin, në Nokshiç, në Malësisë së Gjakovës, në Pejë, në Rugovë, në Velika, në Brezovicë, etj.

Nga ky truall i moçëm Iliro-Dalmat, burojnë edhe dy lumejtë më të bukur të Alpeve e që janë Limi dhe Valbona. Lumi i Limit është 220 km i gjatë, ai buron nga Liqeni i Plavës 999 m mbi nivelin e detit dhe derdhet në Lumin Drina, në Bosnje Hercegovinë, në afërsi të Vishegradit, e më pas në Detin e Zi në Azi.

Ndërsa Lumi i Valbonës, buron në Verilindje të Alpeve, në vendin e quajtur Qafa e Valbonës, 1542 m mbi nivelin e detit. Ky lum i kaltër kalon përmes Malsisë së Gjakovës, është 51 km i gjatë dhe derdhet në Lumin e Drinit, e më pas në Detin Adriatik, në Europë.

Midis Malësisë së Gjakovës dhe Lumit të Valbones ka një lidhje të ngushtë ekzistenciale, sepse nënkuptojnë njëra tjetren, kanë lindur për njëra tjetren dhe nuk bëjnë pa njëra tjetren. Njëlloj si uji i kaltër i Valbones që buron nga Plava e Gucia, dhe ecën drejt Malësisë së Gjakovës, edhe anasjelltas kanë ardhur dhe shkuar me mijëra nuse të cilat janë trasheguar me nipa e mbesa, duke krijuar kështu një unitet të pandarë, të përjetshëm e në shërbim të kombit e të shtetit shqiptarë.

Në mbrojtje të trojeve shqiptare, janë zhvilluar shumë beteja përgjatë viteve 1853, 1862 dhe në vitin 1866, kohë kur disa pashallarë antishqiptarë të njohur si Maxharr Pasha dhe Omer Pasha, në vend që të ndihmonin për pavarësinë e trojeve shqiptare, sulmuan duke pushtuar e masakruar popullsinë shqiptare në Gjakovë, në Pejë, në Plavë e në Guci.

Këta pashallarë antishqiptarë kanë vepruar njëlloj sikur pashallarët e tjerë të Hercegovinës dhe të Shkodres, të cilët në vitet 1714, 1768 dhe 1790, kishin sulmuar dhe masakruar popullsinë e pafajshme shqiptare të Hotit, Grudës, Krajnit, Kolashinit, Kuçit, Piperit, Plavës, Gucisë, Vasojeviçit, Pultit dhe Malësisë së Gjakovës, etj. Në këtë mënyrë, pashallarët dhe taborret osmane, më së shumti kanë sulmuar dhe masakruar shqiptarët që kundershtonin dhunën otomane, korrupsionin me taksat e larta dhe konvertimin me dhunë të popullsisë katolike dalmate në myslimanë ose ortodokse. Kjo sjellje antishqiptare i ka kontribuar aq shumë shpopullimit dhe humbjes së territoreve dhe të popullsisë shqiptare. Kjo ka ndikuar në identifikimin dhe deklarimin e gabuar të shqiptarëve sipas përkatësisë së tyre fetare, duke i konsideruar si turq, si malazez, si serb, si grek, etj. Në lidhje me këtë platformë të njohur antishqiptare, Sami Frashërit në veprën e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet”, (1889), ku shkruan: “Ç’janë osmanët? një komb i  egër i ardhur nga shkretëtirat e Azisë së Veriut me nga një hosten (hushtë) në dorë. Këta me egërsi të tyre zunë më të bukurit e vendeve të botës e më të qytetëruarat dhe, si i ropën, i gremisën, i dogjën, po i  mbajnë gjer më sot nën egërsi, nën një varfëri, nën një tirani që tmerron gjithë botën”.

Nga pikëpamja historike, në një pjesë të territoreve në fjalë, sidomos në Gentë (Zetë), procesi i shkulturimit, i osmanizimit dhe i sllavizimit të shqiptarëve ka patur një rezistencë më të madhe se në krahinat dhe në zonat e tjera të vendit. Në lidhje me mënyrën se si është bërë asimilimi i popullsisë dhe humbja graduale e territorit dhe identitetit të vjetër Iliro-Dalmat-Shqiptarë në Zetë, Edit Durham (në librin e sajë me titull: Për fiset, ligjet dhe zakonet e ballkanasve), ka shkruar: “ Palabardhët (Bjelopavliçët), Piperët, Kuçët, Vasojeviçët e tjerë, ku të gjithë këta popuj e troje ishin safi shqiptarë dhe të besimit katolik, dalëngadalë, për të shpëtuar fenë e krishterë, kishin pranuar të kthehen në ortodoksë”. Dhe më tej ajo vazhdon: “Rusia dhe Austria arritën njërën nga marrëveshjet e tyre të shumta dhe së bashku i shpallën luftë Turqisë me 1788, duke deklaruar se qëllimi i tyre ishte ti jepnin fund sundimit të Sulltanit. Së toku ata nxitën malazezët që të krijonin incidente kufitare me Turqinë. Mirëpo, me që nuk u besonte malazezëve i dërguari austriak shkruante se: Ne mund të mbështetemi shumë më fort te besa dhe guximi i shqiptarëve katolikë të Bërdes, tek ata që janë të shumtë në numër, si Bjelopavliçët, Piperët, Kuçët, Vasojeviçët, si dhe te malësorët e Kelmendit, Hotit e tjerë, që mund të nxjerrin një forcë prej 20 mijë luftëtarë të fortë e shumë më trima se sa malazezët”.

Edhe Nicola Jorga, për këtë popullsi dhe territore autoktone, ka shkruar se: “Në shekullin XIV-XV, në Zetën e Sipërme dhe atë të Poshtme ekzistonin disa fise të fuqishme, siç ishin Gjurashët (Cernojeviqët), Hotët, Piprët, Tuzët, Shestanët, Kuçët, Grudët, Biellopavliqët, Kastratët, Bitidosët, Krajinët, Pastroviqët, etj, të cilët konsideroheshin në mënyrë eksplicite si fise katolike, shqiptare”.

Nga mizerja administrative dhe dhuna e pashëmbullt e ushtrisë, e administratës dhe e pashallarëve osmanë për të islamizuar dhe ortodoksizuar popullsinë shqiptare katolike në Dalmaci, duke filluar që nga viti 1385 e deri më sotë, kanë përfituar vetëm antishqiptarët.  Në këtë betejë për identitetin, tokën dhe traditën, qëndresa katolike përballë aleancës së vjetër e të re bizantino-otmane, ka qënë e pashëmbullt, e vazhdueshme dhe unike për rajonin dhe botën.

Për të kuptuar më mirë këtë realitet historik, po sjell ndërmend një pjesë nga analiza historike e Edit Durhamit (Londër, 1920), ku shprehet se: “Nuk më befasonte fakti që serbët e urrenin islamin por u gurëzova kur e pashë që ata e urrenin edhe kishën tjetër të Krishterë. Nuk e prisja që katolikët shqiptarë ishin më shumë të urryer nga sllavët se myslimanët. Dhe më tëj ka vazhduar: ”Urrejtja serbo-ortodokse ndaj katolikëve u pa me 1913 në Luftën Ballkanike kur Malaziasit në emër të çlirimit të krishterëve e sulmuan kishën shqiptare të Mazrekut duke shkatërruar çdo gjë bile edhe freskat e të shenjtërve në muret e kishës. Me 1913 një numër jo i vogël ushtarësh të prirë nga një Pop Ortodoks e rrjepën për së gjalli deri në vdekje Luigj Palin, prift françeskan shqiptar nga Gjakova, sepse nuk kishte pranuar të kryqëzohej në ortodoks”. Kështu mund të kuptohet edhe më mirë ajo që ka ndodhur gjatë pushtimit osman dhe gjatë sundimit oriental, abuzivistë dhe hipokrit të këtyre 106 viteve me qeverisje despotike e sundimtarë që pa asnjë dyshim nuk kanë tjetër shëmbylltyrë përveçse orientit politik.

Dhunimi oriental (otoman dhe post otoman) i shqiptarëve, mungesa e gjatë e përfaqësimit dhe gjithpërfshirjes së mirfilltë politike e shtetërore, si dhe sjellja despotike, mohuese dhe përçmuese ndaj historisë, territorit dhe vlerave kombëtare tregojnë se sa larg jemi nga realiteti dhe nga refprmat e duhura europianizuese. Me hipokrizi, me demagogji e me besprerje në vend të Europës, do të zhvillohet më tej prapambetja jonë shoqërore dhe politike e dominuar (për 106 vite me radhë) nga sundimi i diktaturave dhe përsonaliteteve abuziviste dhe konjukturale.

2. -Plava, Gucia dhe Malësia e Gjakovës në Betejen e Maraçës të vitit 1871

Një nga betejat me të ashpëra për mbrojtjen e trojeve shqiptare është ajo që është zhvilluar në vitin 1871 në Maraçë e që është mbyllur me fitorën e shqiptarëve.

Beteja e Maraçës e vitit 1871, dhe të tjerat që janë zhvilluar në vitet 1875, 1878, 1879, 1880, 1881, etj, kanë patur për bazë nënshtrimin, hipokrizinë dhe tradhëtinë e qeverisë dhe të administratës osmane që kanë hartuar dhe firmosur marrëveshjet antishqiptare, duke e konsideruar dhe trajtuar Shqipërinë si tokë të Turqisë, ndërsa shqiptarët si turq që duheshin vrarë e larguar nga rajoni.

Në betejën e Maraçës së vitit 1871, vllaznitë dhe fiset e Malësis së Gjakovës, kanë qëndruar në ballë të luftës sipas shprehjes së vjetër: “ku ashtë lufta ma e trashë”. Në dëshmitë e pjesmarrësve të mbijetuar nga kjo betejë, thuhet se shqiptarët e kanë fituar këtë betejë duke ecur mbi grumbujt e kufomave që ngriheshin dhe zgjateshin rrugës nga kalonte flamuri i parë i Krasniqës së Malsis së Gjakovës.

Beteja e Maraçës (1871) është zhvilluar në një kohë kur sapo kishin ardhur në këto anë armët e zjarrit, për të cilat malsorët nuk ishin as të informuar dhe as të përgatitur. Deri nga fillimi i shekullit të XX-të, malsorët e Veriut të Shqipërisë kanë shkelqyer në betejat që janë zhvilluar trup me trup e ku janë përdorur thika, shpata dhe topuzi. Në këtë lloj betejash, një malsor I këtyre anëve përballonte dhjetë apo njëzet ushtarë të ushtrisë pushtuese. Këtë fakt e thekson edhe Frang Bardhit (1637), në një relacion për Vatikanin, në të cilin është shkruar: “Në Europë nuk gjindën burra armesh më të mirë se këta kundër turkut, sepse 100 kësish vlejnë sa 1000 turq. Një i vetëm shkon e futet në mes 15 e 20-ve, gja e pabesueshme për ata që nuk e dinë me siguri”.

Lufta ndajë ushtrisë osmane dhe veglave të tyre nuk ka qënë as e shkurtër dhe as e lehtë.

Në lidhje me mënyrën se sa “miqësishtë” apo sa “vllazërishtë” janë trajtuar shqiptarët dhe sa e “lehtë” ka qënë mbijetesa e kësaj pjese Iliro-Dalmate të tokës dhe plazmes autoktone, po sjellim ndërmend vetëm një nga ekspeditat osmane të viteve 1431-1432, për të cilën Bitlisi ka shkruar se: “..luftëtarëve islamë, iu dha leja për të grabitur e për të plaçkitur. Këdo që gjetën nga të pafetë kryengritës e vranë pa mëshirë. Zunë shumë djem dhe vajza robër të cilët u shitën për katër ose pesëqind akçe. Kampi i ushtrisë islame u mbush me vajza të bukura plot naze si hyritë. Haremi i nderuar i shahut bujar u mbush plot me vajza të bukura, bardhoshe, që kundërmonin si jasemini”.

Historia na tregon se si pjesa e popullsisë që nuk e pranoj barbarinë, as sundimin, as ndërrimin e identitetit, as mynxyrën e jeteses dhe as konvertimin sipas deshirës së pashallarëve dhe bejlerëve, ose iku në Itali, ose iku Ukrainë ose u strehue në malet e thella të vendit duke organizuar qëndresën antiosmane dhe duke ruajtur rracën, gjeografinë e territorit dhe vazhdimësinë e gjuhës dhe traditës shqiptare.

Për mrekullinë e plazmës autoktone të konservuar në zonat e thella malore të vendit, Fallmajer ka shkruar se ”Arbëria kishte vdekur me të (nënkupto Skenderbeun). Arbëria ishte tanimë vetëm një trup i mbetur pa shpirt e frymë. Zotërve njëherësh aleatë dhe rivalë të tij – Thopia, Spanë, Zaharia, Dukagjinë, Muzakë, Skura, etj, do t’u duhej të zgjidhnin njërën nga disa rrugët. Një pjesë shpejtuan të hidhnin në dorë ngastrat e Arbërisë që kishin qenë dikur të tyret  dhe pranuan kompromisin duke u vënë në shërbim të pushtuesit dhe duke mohuar besimin e tyre dhe të të parëve të tyre, më shqip: duke tradhëtuar Jezu Krishtin – tradhti e tradhtive, me vdekjen e të cilin ishin pagëzuar brez pas brezi. Një pjesë tjetër më të vegjël se më të mëdhenjtë – parapëlqyen të tërhiqen në male për t’i ikur sundimit të pushtuesve me shpresën që do të mundnin ta vijonin qëndresën duke mos tradhtuar as kujtimin e prijësit dhe të luftëtarëve të tij, as besimin e të parëve. Pjesa tjetër, pa pranuar të poshtëroheshin në vendin e tyre, zgjodhën ta braktisnin atdheun, të iknin e të endeshin në brigje të huaja, qoftë edhe duke u deklasuar e duke lypur”. Këtë lloj ikje pa kthim e provoj edhe pjesa më e madhe e elites, duke përfshirë edhe Gjon Muzaken që në testamentin e tij (1502) ikjen e ka quajtur: “mërgim mjerimi dhe mynxyre”.

Koha ka provuar që çdo devijim sado i vogël nga platforma skenderbejane-europerendimore dhe çdo minutë e jetës së shqiptarëve nën nënshtrimin dhe bashkëjetesën me pushtuesit osmanë dhe platformat orientale, nuk ka qënë asgjë më shumë se skllavëri degraduese dhe burimi i vertetë i shkatërrimit të unitetit dhe territoreve shqiptare. Në lidhje me këtë përfundim të drejtë të Skenderbeut, Villiam Setoni, ka shkruar: “ Sado të rrekeshin venedikasit, gjenovezët dhe grekët moreotë të peshonin protë dhe kundrat për bashkëjetesë paqësore me turqit, Skënderbeu qe i mendimit se çmimi përfundimtar i një paqeje të tillë do të ishte skllavëria degraduese” (Seton, “The Papacy and the Levant, II”, f. 195). Koha e ka vertetuar saktësinë e kësaj profecie që ka qënë dhe mbetet si përcaktimi më i palëkundur politik dhe ushtarak i  Skënderbeut

Në betejën e vitit 1871, vullnetarët nga Nikaj-Mërturi, janë grumbulluar në vëndtakimin e vjetër të luftës që quhet “Kodra e Bek Selimit” të Paplekajve. Nga aty, nën drejtimin e Bash Bajram Perpalit, Deli Bekë Vatnikajt, Bek Selim Paplekajt, kanë kaluar nga Qafa e Kolçit për me u bashkue me vullnetarët e tjerë që vinin nga Gashi, nga Krasniqja, nga Bytyçi dhe nga Berisha. Takimi i përgjithshëm i luftetarëve që niseshin për në beteja, bëhëj tek vendi i quajtur “Vorret e Shalës”, është një livadh i madh që ndodhet në dalje të Cërnicës.

Ndërsa në krye të forcave vullnetare të Gashit, Bytyçit dhe Berishës, kanë qendruar Halil Brahimi, Ali Hoxha, Adem Selmani, Mal Dula, Niman Uka (flamurtari i Bytyçit), Brahim Bardhi, etj. Vullnetarët e këtyre vllaznive dhe fiseve kanë ndjekur rrugën e vjetër që në atë kohë kalonte nga Lumi i Tropojës, për në Sylbicë, më tej kalonte në Dobërdol, në Koplavë dhe kanë arritur në Plavë.

Në krye të forcave të tjera të Krasniqës dhe të Nikaj-Mërturit, kanë qënë: Man Avdi Mulosmani (flamurtari i Krasniqës 1863-1885), Binak Alia, Sokol Rama, Ali Ibra, Haxhi Brahim Bajraktari, Mul Dul Bajraktari, Shaqir Curri, Qerim Delia, Hoxhë Dollapi, Bash Bajram Përpali, Deli Bek Vatnikaj, Tahir Progni, Bek Selimi, etj. Forcat e Krasniqës dhe të Nikaj-Mërturit, kanë ndjekur rrugën tjetër që kalonte nga Gryka e Dragobisë për në Çerem, në Qafë Bori, në Vuthaj dhe kanë mbërritur në vendtakimin e përbashkët në Guci.

Rruga nga Vorret e Shalës deri tek kroni i Ali Pashë Gucisë në Plavë, në atë kohë është bërë për 5-6 orë. Vullnetarët e nisur nga Vorret e Shalës dhe nga vendet e tjera të Mirditës, të Pukës, të Hasit, të Luginës së Drinit, etj, grumbulloheshin tek vendi i quajtur “Kroni i Ali Pash Gucisë” që ndodhet rreth 5 km nga Plava.

Pas ndarjes përfundimtare të detyrave dhe të fronteve të luftës sipas krahinave dhe fiseve, levizja drejt pozicioneve të betejave është bërë përmes rrugëve që shkonin për në Plavë, për në Guci, për në Rozhajë,  për në Hot, për në Maraq, për në Pejë, etj.

Në betejën e vitit 1871, nga Malësia e Gjakovës  janë vrarë dhe janë varrosur në Maraçë deshmorët: Haxhi Brahimi (flamurtari i Gashit), Sokol Prel Nikprendaj (Susaj), Zeqir Ahmet Rexhaj (nga Babina), Bek Deli Dizdari dhe Kadri Sadik Osmaj (nga Berbati), Brah Hasan Hysenukaj dhe Muzli Rama (nga Kërrnaja), Maliq Bek Ramaj dhe Syl Bajram Zmakaj (nga Ahmatajt), Ram Hysen Hoxhaj (nga Paci), etj, të gjithë të moshës 25-35 vjeç. Në vitin 1971, me rastin e 100 vjetorit të kësaj beteje, vetëm një pjesë e vogël e këtyre deshmorëve identifikuar dhe janë shpallur deshmorë të atëdheut. Ndërsa për ata që nuk patën pasardhës apo që pasardhësit e tyre kishin kundërshtuar rregjimin komunist, nuk u kujtue askush.

Në përgjithësi, për këto ngjarje dhe për përsonazhet drejtuese të tyre e që shkrinë çdo gjë për trojet dhe kombin e tyre, është shkruar dhe është folur shumë pak. Në këtë harresë, përveç injorancës administrative dhe politikës duket që ka ndikuar edhe fakti që, në atë kohë, deshmorët e Maraçës, të janinës, etj, janë varrosur në fushën e betejes. Në këtë mënyrë ka ndikuar edhe mungesa e pasardhësve, e varreve, e përmendore dhe e fotografive në vendlindje. Në këtë mënyrë, për betejen e Maraçës të vitit 1871 dhe të tjerat që e pasuan, për deshmorët e tyre, në të kaluarën dhe sotë është folur dhe shkruar shumë pakë, pothuajse janë harruar.