NJË VIT PA TY, QANI MEHMEDI

„Jeto i ngritur ose vdis!“

Sa shpejt ikën koha miku im Qani Mehmedi, e një moment kohe t’i mbylli sytë përgjithmonë, por në kujtesën time ende ke mbetur i gjallë. I gjallë jo vetëm si gazetar elit, si vizionar i së ardhmës, si mospërfillës i së keqës, si injorues i fatkeqësisë, por edhe si mik nga më të dashurit, nga më tolerantët, ti që edhe pas çdo grindjeje, kishe zemër dashurie, të gjerë, sa Fusha e Korabit, e inatin milimetrik. Dy net të fundit të jetës me ty, i kalova në aheng, një në Prishtinë e tjetrën në Tetovë, të ftuar nga miku ynë i përbashkët Lazim Destani,dy vjet më parë. Në mbrëmjen në Prishtinë sikur vetëm unë e ti ishim të zhurmshëm, ti me zërin e butë e unë më kumbimin e rëndë.Folëm e qeshëm si kurrë më parë, terr e ag, për gjithë bëmat tona që reflektonin humor, relax në ato mbrëmje. E si të ishin ndryshe ato mbrëmje, kur me ty çdo ndejë kthehej në festë?! Në Tetovë nuk folëm shumë, se fjalët tona i shtriu për toke muzika e bukur shqiptare, e një grupi që as sot nuk më kujtohet cili ishte, pos këngëtares me origjinë nga vendlindja ime, Miranda Hashanit.
Ti ike për një çast miku im Qani Mehmedi!Por në parafytyrimet e mia, ende shëtit hija e jote, në kohë dhe hapësirë. Të njoha që kur ishe student, gazetar i ri në „Bota e re“, e pastaj në „Zeri“.Në banesën tënde të vogël, me qira, në Ulpianë, kishe varur një pllakat në vitet shtatëdhjetë, që ende më rrin i vizatuar në ndërgjegje:“Jeto i ngritur ose vdis“! Por ti Qani, jetove i ngritur dhe vdiqe i tillë, duke reaguar me ndërgjegje të lartë kombëtare, profesionale e intelektuale në çdo hap të popullit tonë, në një rrugë të rëndë, ama shumë të rëndë.Ti e lehtësoje këtë peshë të rëndë me fjalën e butë, me ndjenjën e çiltër dhe me mendimin e matur, me idetë triumfaliste. Ti ishte gazetar që argumentin gjithnjë e mbaje me vete, sidomos në pjesën e decenieve të fundit profesionale, kur zienin viset shqiptare në ish-Jugosllavi, midis jetës e vdekjes. Por ti ishe i veçantë, me durim permanent, si të ulesh i qetë në zjarrin e furishëm e të ngroheshe në të. Se ti, Qani Mehmedi, respektoje lart vlerat njerëzore, individuale e kolektive, vlerësoje profesionet e njerëzve të arrirë, të cilët ngadalë po hynin për të mbetur pjesë e gazetarisë sate që i shkeli katër dekada.

Ti qe një vit je i vdekur Qani Mehmedi, por unë ende të shoh të gjallë dhe kështu do të mbetesh. Vdekja të erdhi vetëm për një çast dhe nuk bëri bujë. Të mori si padiktueshëm, por prapa të mbeti jeta e bujshme, me një mal shkrimesh në letër, e me një mal kujtimesh në mendje. Ti ishe njeri i pandryshuar, origjinal, si para shkencëtarëve, ministrave e kryeministrave,kryetarëve të shteteve e kryetarëve të akademive, ashtu si para fëmijëve. Qasja jote ishte e tillë, sovrane, sepse ti jepje e merrje dashuri njëkohësisht. Kur po i shkruaj këto radhë, e mbaj veten njeri me fat pse kohë të gjatë jam shoqëruar me ty, qoftë në fushë të punës, qoftë në fushë të miqësisë, që tash e kompoensoj më qindra kujtime, që asnjëri nuk i ngjan tjetrit. Ato kujtime janë një epokë që ti e krijove prej fjalëve që shqiptuan argumentin. Në hartën e gazetarisë shqiptare, ka mbetur e fortë republika e fjalëve tua, që me kohë u bë pushtet i së mirës, i së bukurës, i dashurisë. Një vit pa ty Qani Mehmedi, është i gjatë, dimër me borë e ngricë, por që shkrihet me atë jetën tënde të bujshne, që vazhdimisht rrezaton pranverë.

Faruk TASHOLLI