dhe tundën hanxharët e dosjeve nëpër duar?
Ku avulluan si mjegullat, në diell demokracie,
thua, sikur asnjëherë nuk kanë ekzistuar?…
Askush nuk i ka parë të shkojnë gjëkundi,
ata që mbollën eshtra anonime ndër mote,
në bokërrima të fshehta, në zallishte lumi,
që lanë të kullojnë strehëve pikat e lotëve.
Disa thonë se ky vend me kujtesë harrimi,
s’ka pasur xhelatë hanxhari, ndonjëherë,
gjoja viktimat shuheshin vetiu, nga pendimi,
por ne i pamë hanxharët, koka duke prerë!…
Klithmat për hetim, kumbojnë kudo sot,
në të gjitha daullet e çara të veshëve tanë.
Shiritat e ndjesive, na vërtiten në kokë,
nga njëra bobinë e trurit, në tjetrën anë.
Të gjitha mbeturinat relikte të hanxharëve,
rreken të thonë, se këtu s’ka pasur xhelatë,
ndonëse ndjehen kudo rënkimet e të vrarëve,
që nën dheun e rëndë, nuk po gjejnë rehat.
Njollat e gjakut shfaqen, te fjalët përsëritur,
që na skuqin fjalorin, kur i dëgjojmë përditë.
Ne vështrojmë njëri-tjetrin, krejt të habitur:
Ore, xhelatët ishin këtu, apo na kanë bërë sytë!…
Por ka ende të gjallë, që me degë në trashëgimi,
përcjellin frymën lindore, të shekullit njëzetë,
që në aspiratorin e frymëmarrjes së shekullit të ri,
të na rikthejnë frymën azmatike, sërish në jetë;
Ndonëse ishin gjysmë shekulli me hanxhar në dorë,
dhe gjysmës së kombit shqiptar i prenë frymën në fyt,
e qeshura xhelate, ndihet ende në kilometra katror,
pa pendim, pa kërkuar falje, për të shuar çdo genocid.