Nga dr. Islam LAUKA – diplomat, pedagog, veprimtar elitar i Shoqërisë Civile
Në një intervistë të botuar sot në gazetën Panorama, analisti Muç Nano, rreket të “argumentojë” qëndrimet e tij në konferencën, “Shqiptarë e serbë – si të ecet më tutje?”, mbajtur para pak ditësh, në Beograd.
Pas përpjekjeve të tij, jo aq të suksesshme, për të bërë shkrimtarin, Nano, orvatet të bëjë strategun e marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Dy janë tezat e “strategut” rishtar shqiptar, të hedhura me guxim në mes të Beogradit.
Së pari, Kosova vërtetë është “gjylja e madhe” në këmbët e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, por Shqipëria nuk duhet të merret me të.
Së dyti, ka shumë më tepër gjëra që shqiptarët i bashkojnë me serbët se sa i ndajnë, dhe se në gjakun shqiptar, sidomos në Kosovë, ka shumë gjak serb.
Teza e parë nuk është e Muçit, atë e ka huazuar prej Edi Ramës, i cili e ka trajtuar shumë kohë para tij, në të njëjtin vend, në Beograd. Absurditeti i kësaj teze qëndron në faktin që, nga njëra anë pranohet se Kosova është “gjylja e madhe” në këmbët e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, nga ana tjetër u kërkohet shqiptarëve të mos flasin për të. Por, nëse nuk flasin për “gjylen e madhe”, për çfarë do të flasin shqiptarët në takimet e tyre me serbët? Nëse nuk pajtohen për këtë çështje, për çfarë u dashkan pajtuar shqiptarët dhe serbët? Nano përpiqet të “argumentojë” se nuk ka përse të flasin për një problem që është zgjidhur dhe për të cilin nuk ka kthimin prapa. Kjo është e vërtetë, por ja që këtë të vërtetë nuk e pranon Beogradi, i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk pranon që, sipas tij, “Kosova të fitojë gjithçka”, dhe “Serbia të humbasë gjithçka”, ndaj kërkon dialog dhe kompromis. Kompromis për Serbinë, do të thotë të bihet dakort për ndarjen e Kosovës.
Beogradi ka zhvilluar dhe po zhvillon një fushatë të ethshme kundër pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës, kundër anëtarësimit të saj në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare. Përballë histerisë antikosovare e antishqiptare të Beogradit, “strategu” Muç Nano sugjeron që Shqipëria të heshtë, për hir të marrëdhënieve të mira me Serbinë.
Ky qëndrim mund të quhet mashtrues dhe çorientues për shqiptarët, por jo strategjik. Strategjik mund të jeteë vetëm për Nanon, i cili, duket se ka për qëllim përçarjen midis shqiptarëve të Kosovës dhe Shqiprërisë dhe forcimin e vëllazrisë shqiptaro-serbe.
Sa i takon tëzës së dytë, kemi të bëjmë më shumë me një spekulim, në funksion të dëshirës së Muçit, për të qenë sa më “trendi”, si mendjehapur, kozmopolit e postmodernist, kundër “provincializmit” dhe “nacionalizmit” ballkanik. Vetëm se Muçi, duket që është pak i vonuar, sepse tani “trendi” është më shumë kthimi drejt vetes, jo drejt të tjerëve. Këtë dëshmon Brexit-i, America First, etj.
Është e vërtetë që shqiptarët, gjatë historisë, ashtu si me popujt e tjerë ballkanikë, kanë marrë e dhënë edhe me serbët. Por po aq e vërtetë është se në 150 vitet e fundit, përfshirë historinë shumë të afërt, të para 20 viteve, ishin pikërisht serbët që, me makinën e tyre shtetërore, kanë dhunuar, masakruar, vrarë e grabitur masivisht shqiptarët, për të arritur kulmin në pranverën e vitit 1999, kur Beogradi u përpoq të zgjidhte porblemin e Kosovës duke e spastruar atë etnikisht nga shqiptarët. Edhe sot e kësaj dite, ende nuk dihet ku janë eshtrat e rreth 1700 shqiptarëve, të masakruar nga Serbët. Mbi 20 mijë femra shqiptare u përdhunuan nga ushtarët e paramilitarët serbë gjatë luftës së fundit. Për asnjë prej këtyre krimeve mizore Serbia nuk ka kërkuar falje. A i di këto fakte “strategu” Muç Nano, kur pohon se peshorja e marrëdhënieve shqiptaro-serbe anon nga gjërat që na bashkojnë? Apo vuajtjet e vëllezërve të një gjaku, shqiptarëvë të Kosoveës, janë të huaja për të?
Së fundi, mbi bazën e çfarë të dhënash ai del në përfundimin që në gjakun e Kosovarëve paskërka shumë gjak serb, kur dihet që martesat midis shqiptarëve e serbëve në Kosovë kanë qenë shumë të kufizuara, përfshirë kohën e vëllazërim-bashikimit të Titos?
Nëse Muç Nano do të merrte mundimin për të kërkuar në internet rezultatet e analizave gjenetike, do të mësonte se, në krahasim me popujt e tjerë të rajonit, shqiptarët, në përgjithësi, dallohen për praninë e ulët të elementit sllav në gjakun e tyre. Ndërkohë, midis shqiptarëve, ata të Kosovës shquhen për praninë më të ulët të këtij elementi (shiko këtu: http://www.gjenetika.com/perberja-gjenetike-shqiptare-sipa…/).
Me shumë gjasë, “strategu” Muç Nano i përket një stani, pjesëtarët e të cilit, Kadare i quan mohues. Nano mendon se, sa më shumë të hedhë baltë mbi popullin, kombin dhe atdheun e vet, aq më i famshëm bëhet. Si i tillë, ai nuk përfaqëson Shqipërinë, as intelektualët e saj, por vetëm stanin e mohuesve, që mendojnë e veprojnë si ai, jo në interes të shqiptarëve, por kundër tyre.