Si luenim futboll në fmininë teme

Nga Ilir SECI – New York

Këtyne ditëve të Kampionatit Botnor po kuvendonim me Ditmarin për futbollin…njana temë qiti tjetren e tue kuvendë dolem te fminia jeme…
-“A keni luejte futboll në Markaj?” – më dveti Ditmari…
-“A kena luejte?” – qesha, – “Kena luejte sa jena kputë…”
I mesuem me luejte futboll,(soccer), në Amerikë, Ditmari desh me dite si i kena pasë organizue nà turnetë,(tournaments), në fminine tonë…
Mbasi qesha me shpirt per pyetjen rreth organizinit të turneve… i thashe se turnetë e futbollit na i kena pase krejt demokratike…popullore krejtiskreti. Mjaftonte me u ba nji grup femijesh bashke dikund edhe niste turneu, kudo, në oborr të shkolles, në secilën rogë,(livadh), të katundit qe na delte para. Luenim tue prite me ardhe buka te dyqani në qender të katundit, “Te Çerdhet” – si i kena thanë na atëhere downtown Markaj… Luenim tue ruejte gjânë në Prezllop, luenim në Bogisha, luenim te Ara e Rexhës, në Fushë të Malgjokës, në Secë te Ara e Shpendit apo te arat në Zllame…Por fusha e andrrave mbetej Logu i Breçanit…ajo fushë ishte fusha ma ideale në Markaj për me luejte futboll…Por për ne fmijët ishte zor me e gjetë najherë bosh atë fushë… Sepse aty luenin edhe të rritunit…
-“Çfarë rregullash keni pasë ju nëpër turne,(tournaments)?” – donte me dite ma shume Ditmari…
-“Hmm çfarë rregullash…” – ia ktheva, – “nuk kena pase rregulla zyrtare si tournamentet qe bani ju sot…te thashe qe i kena pase turnetë krejt demokratike. E tue mendue ato kohna u mundova me permbledhë nja 10 rregulla kryesore te lojes se futbollit të fminisë tonë :

– 1 – Personi që kishte topin e vet ndante skuadrat dhe vendoste se kush kishte me luejtë ;
– 2 – Ai që ish ma i shëndoshi ndër tanë caktohej portier ;
– 3 – Penalltite jepeshin vetem per ata lojtaret kryeforte që bërtitshin fort dhe shanin ma shumë se tjeret ;
– 4 – Loja mbaronte vetem kur të tanë ishin lodhë e kpute dhe nuk mund luenim ma ;
– 5 – Pamvaresisht se me sa gola diference ishte rezultati, kush shenonte golin e fundit fitonte, “goli tjetër vendos fituesin” ;
– 6 – Nuk kishte arbitra ;
– 7 – Kur nuk kishim top, atehere sajonim nji top me lecka, mos me pasë lecka perdoreshin cakullat,(trastat) e bukës, setrat, bluzat, çdo gja ;
– 8 – Gjaja ma e randë per ne ishte ba me u zgjedhë loajtar mbas shokëve, me ba me u zgjedhë i mbrami atehere per ty nuk kishte ma shpresa në jetë ;
– 9 – Tragjedia ma e madhe ishte kur topi binte mbrenda gardhit të atij plakit të sertë që kish ate qenin e madh sa nji arushë…kuku ;
– 10 – Ba me i mbetë hatri kund ose ba me u idhnue për çkado ai që kish topin e vet…loja mbaronte ;
-“Po Kampionatin Botnor a e keni mujtë me e pa atëherë Babë?” – me dveste Ditmari…
-“Po e kqyrnim more si jo, e kem pasë bashke tanë lagjia, te televizori i Ukës.” – ia kthej une…
-“Sa mire e paskeni pa bashke në grup tifozash,(social gathering), sa knaqsi” – thotë Ditmari…
Une mbasi u meka tu qeshë i them :
-“Jo, jo, nuk mblidheshim per knaqsi more babë, por njatë televizor kishte tanë lagjia…i shkreti Ukë çka hjekte prej nesh tanë Botnorin…
…nuk hyna me i kallzue per Sobën,(Odën) e Burrave te shpia e Ukës, mbushë cep e në cep me 50 veta ulun rrafshit, tanë erë kambësh e tym duhani maxhar…e lashë krejt këtë detaj…Edhe sot e kësaj dite sa herë shoh ndeshje të Kampionatit Botnor me bahet se e ndiej atë erën e kambëve përzie me erën e duhanit maxharr…