Të dy udhëheqësit kanë patur rastin të bisedojnë më parë gjatë takimeve ndërkombëtare. “Mendoj se është mirë të takohemi. Unë besoj në takimet. Takimet me Rusinë, Kinën, Korenë e Veriut janë një zhvillim i mirë. Asnjë e keqe nuk vjen prej tyre, përkundrazi”- tha Trump.
Para takimit me zotin Putin, presidenti amerikan qëndroi dy ditë në klubin e tij privat në Turnberry të Skocisë, ku e kaloi kohën me “takime, telefonata dhe pak golf, – siç shkroi ai në një tweet. Hetimi për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016 është një çështje që e ndërlikon takimin mes dy udhëheqësve. Të premten Departamenti i Drejtësisë njoftoi ngritjen e akuzave për 12 zyrtarë rusë të shërbimit ushtarak të zbulimit, për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara.
Presidenti kritikoi administratën Obama, që nuk i është përgjigjur me ashpërsinë e duhur Rusisë në sulmet kibernetike ndaj demokratëve në fushatën e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Disa senatorë demokratë i kërkuan Presidentit ta anulonte takimin me zotin Putin, në se nuk e bën sulmin rus ndaj zgjedhjeve amerikane çështjen kryesore të diskutimeve. Këtë qëndrim të demokratëve e mbështeti edhe senatori republikan John McCain.
Por zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se nuk ka shanse që takimi të anulohet. Të dy udhëheqësit, sipas burimeve diplomatike, para bisedimeve ku do të përfshihen edhe ndihmësit e tyre, do të takohen kokë më kokë për 30 minuta, deri në një orë, vetëm në praninë e përkthyesve.