Banorët e Shqipërisë mendojnë se kanë më shumë mundësi që të bien në varfëri në krahasim me shtetet e tjera të rajonit, ndërkohë që ndihen edhe më të përjashtuarit në shoqëri për shkak të situatës së tyre ekonomike. Në Barometrin e Balkanit, të anketuarve iu drejtua pyetja: Në çfarë mase ju bini dakord me deklaratat e mëposhtme: A -Disa njerëz ju shohin si inferior për shkak të situatës tuaj me të ardhurat; B – Unë mendoj se ka një rrezik për mua që të bie në varfëri; C – Ndihem i përjashtuar nga shoqëria.
33% e të anketuarve shqiptarë kanë pohuar që kanë frikë se mund të bien në varfëri dhe kjo është përqindja më e lartë në rajon dhe shumë më e lartë sesa mesatarja rajonale prej 24%. Në Kosovë, kjo peshë është 26%, në Mal të Zi 21%, Maqedoni 27%, Bosnjë 20%, Serbi 21%.
Sa më i varfër të jesh në Shqipëri, aq më shumë ndihesh dhe i nënçmuar nga shoqëria. 17% e të anketuarve shqiptarë pohojnë se ndihen të përjashtuar nga shoqëria, sërish më e larta në rajon dhe 15% pohojnë se i shohin si inferior për shkak të situatës së tyre me të ardhurat dhe punën.
Për gjithë rajonin, raporti thekson se rreth 10% e të anketuarve e përshkruajnë veten si të përjashtuar nga ana sociale ndërsa pothuajse e njëjta përqindje mendon se njerëzit i shohin me inferioritet për shkak të të ardhurave të tyre ose situatës së punës. Pothuajse një e katërta (24%) e popullsisë rajonale ka frikë se mos bjerë në varfëri.
Në të tjera pyetje, 31% e shqiptarëve janë përgjigjur që nuk janë shumë të sigurt nëse do të arrijnë të mbajnë vendin e punës në 12 muajt e ardhshëm, sërish përqindja më e lartë në rajon.
85% e shqiptarëve mendojnë se diferenca mes të pasurve dhe të varfërve është rritur në ekonominë e tyre. Kjo është përqindja e dytëmë e lartë në rajon, pas Bosnjës (92%), ndërsa më e ulëta është në Kosovë (70%). Sipas raportit, përgjigjet në rajon janë në korrelacion me vetë vlerësimin e të anketuarve për statusin social- ata që e vlerësojnë statusin social si mbi mesataren ka shumë më pak të ngjarë të perceptojnë që diferenca mes të varfërve dhe të pasurve po rritet (20% mendojnë se diferenca nuk po rritet), në të kundërt me ata që e rendisin statusin e tyre nën mesataren (94% mendojnë se diferenca është rritur).
33% e shqiptarëve mendojnë se ata kanë një status ekonomik-social, që është nën mesataren, të parët në Ballkan së bashku me serbët. 61% e tyre mendojnë se jetojnë në nivelin mesatar, ashtu si shumica e popullsisë, përqindje që është më e ulëta në rajon. Vetëm 5% kanë pohuar se jetojnë mbi mesataren. (Monitor)