Nga Ramazan Çeka
Mora rrugën për Malsi
Fatin tim unë tuj kërku
Me g’zu prind e me g’zu shpi
Për nuse mendja m’ka shku
Male e lugje tuj kërku
U freskova me uj’ Kirit
Vajza që m’kish mrekullu
Ish ajo prej Dukagjinit
N’bjeshkt e Pukës kur kalova
Prej n’Koman deri n’Berish’
N’shtat’ bajrak çika takova
Faqet kuq shtatin si pish’
M’than ndër cucat mirditore
Ka me ken’ dikush për ty
Si t’don zemra po e kërkove
Ka me t’shndrit fati ndër sy
Rahat mendja mu s’po m’rrin
Rash’ n’Rrubik e në Rrëshen
Tuj kërku shkova n’Kurbin
Me gjet’ vajzen që m’pëlqen
N’Tropoj shkova me e gjet
N’bjeshk’ t’Shkëlzenit tuj shetitë
Bash njajo që dojshe vet
Hala shtatin se kish rritë
Mora rrugen nga Kosova
Porsi pllumb tuj fluturu
Çika t’bukra kish Gjakova
Gjithsecila ish për mu
N’at’ Ulqin n’at’ t’bukrin vend
Bukurin’ ia lenkan vedit
Kur i sheh të lan’ pa mend
Si sirena n’breg të detit
Vendosa në Tuz me shku
U ngjita n’Plav e Guci
Mu knaq syni tuj shiku
Çika t’bukra n’kët malsi
Veç n’nji vend m’buzqeshi fati
Që ngjasonte si dritë hane
Nëpër bjeshk’ ma solli flladi
E mora vajzen vuthjane
Ftyra saj si rrezja n’bor
Floku saj si vala Drinit
Do t’i ve unazen n’dor’
E në gjoks gjerdan’ florinit
Fatin zoti e ka shkru
Për secilin në kët’ jet’
Lum kuj zemren ja ka g’zu
Me gjet nuse si don vet’
Nuk i ka kërkush dy jet’
Pasanik as fukara
S’asht kollaj nuse me gjet’
Lumi ai që fat e ka
S’m’zinte gjumi prej marakut
Zemra ime digjej flak’
Gruja mirë ndera konakut
Lumi ai që e ka nafak’