NJË JETË ME NDER, VLERË, BESIM E DITURI

“Sa më e edukuar të jetë shoqëria, aq më pak ka nevojë për ligje” (Sokrati)

-Parathënia e prof. dr. Lisen Bashkurtit – ambasador, president i Akademisë Diplomatike Shqiptare, për veprën monografike “E Drejta Ndërkombëtare Publike dhe e Ardhmja Botërore” të studiuesit Hasan Muzli Selimi, botoi Shtëpia Botuese “Fiorentina”, Shkodër. 2014 –

Në fillim të kësaj parathënie më duhet patjetër të shkruaj diçka mbi librat paraardhës të autorit Hasan Selimi. Këtë më duhet ta bëj për faktin se nuk do të mundemi të arrijmë të kuptojmë së kush është autori, duke u bazuar vetëm tek libri që kemi në dorë. Specifikisht, Hasan Selimi është një personalitet shumë interesant, që lexon shumë, shkruan pa u lodhur, flet e vepron në mënyrë shumë unike, sepse tek ai, thellë në shpirt barten mitet e eposit të lashtë, urtësitë e Malësisë së Gjakovës, filozofitë klasike e moderne, teologjitë, besimet, dëshirat e mirësitë e pafundme. Jam me të vërtetë i lumtur që më jepet rasti të shkruaj për këtë njeri shumë të vlefshëm të shoqërisë shqiptare të ditëve tona.
Jetojmë një periudhë të komplikuar e plot paradokse. Shpesh i kërkojmë njerëzit me vlera diku larg…shumë larg. Thuhet se disa vijnë nga Perëndimi, disa vijnë nga jashtë, disa vijnë nga OJF, disa vijnë nga emigracioni, disa vijnë nga partitë, disa vijnë nga thasët me para të “biznesit të suksesshëm”, disa me pirs në vesh e hundë, disa me flokë me xhel, disa me ngjyra afrikane, disa fare të nxirë e kështu me radhë. Pa pikë dyshimi është qasje e pasaktë, thjesht snobiste pa identitet e pragamatiste, e rëndomtë dhe vulgare. Shoqëria nuk ka asnjë dobi nga snobizmi e pragmatizmi vulgar dhe kjo ndodh në një kohë që rropatemi prej afro çerek shekulli të ndërtojmë një sistem bazuar në vlerat e parimet demokratike. Por, demokracia ecën e sigurtë e serioze vetëm mbi dy shina: mbi kulturë dhe mbi prosperitet. Snobizmi dhe pragmatizmi vulgar janë armiq të kulturës dhe të prosperitetit ekonomik.
Në fakt, krejt ndryshe nga qasjet snobiste e pragmatiste vulgare, unë mendoj se njerëzit e ditur, të urtë e shumë të vlefshëm ndodhen midis nesh. Rrijmë me ta çdo ditë. Pijmë kafe. Ndajmë hallet e sfidat. Mjerisht rëndësinë e tyre e kuptojmë, e kjo është tragjike…atëhere kur ata nuk jetojnë më në mesin tonë, por i takojnë botës së amshuar. Atëhere është shumë vonë.

Në një shoqëri moderne, të civilizuar dhe të ditur, njeriu i vlefshëm kërkohet e gjendet gjithnjë mes njerëzve në thjeshtësinë e natyrshmërinë e tij. Hasan Selimi është nga këta njerëz shumë të vlefshëm e të dobishëm që jeton mes nesh pa iu rënduar as dheut. Por mendja e zemra e tij peshon aq shumë sa do e lakmonin mijëra njerëz së bashku.
Ne, studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare, në tërësinë e elementëve që përbëjnë fuqinë e një kombi, rendisim të parin kapacitetet njerëzore. Përvoja botërore edhe në ditët tona dëshmon se kombe me pak resurse ekonomike si Japonia, apo në pozicione gjeografike e klimaterike shumë të pafavorshme si Finlanda, janë ngritur, zhvilluar e prosperuar kryekëput bazuar te kapacitete njerëzore. Tek ne, në Shqipëri, akoma nuk po çmohet e vlerësohet sa dhe si duhet burimi njerëzor, si baza e zhvillimit dhe përparimit. Në vënd të tij “kritere” konjukturale jo vetëm pa dobi, por shumë të rrezikshme siç janë nepotizmi, krahinarizmi, militantizmi, segregacionizmi, grupet e interesit e kanë spostuar rëndësinë e burimeve njerëzore nga kreu i listës, gati në fund të listës së aspekteve që përbëjnë fuqinë e një Kombi. Hasan Selimi është pjesë e vyer e burimeve njerëzore.

Çdo ditë në mëngjezin romantik shkodran, një burrë i gjatë, i hijshëm, krenar dhe i buzëqeshur del nga dera e shtëpisë së tij të kahershme dhe niset për në Gjykatën e Shkodrës. Rruga si distancë është e shkurtër, por përshëndetjet me njerëz, dashamirësia për secilin qytetar, përkushtimi ndaj çdonjërit veç e veç që e ndalon e bën rrugën e tij të gjatë, por të këndshme. Ai ka nevojë për njerëz, sikundër për ajër. Ndonëse vjen nga Malësia e Gjakovës, sërish tanimë është shkrirë kaq ngushtë me qytetin e Shkodrës, saqë askush nga shkodranët nuk pajtohet për ta ndarë nga pjesa më e qenësishme e qytetit. Shkodra e shkodranët janë shumë të afrueshëm. Sidomos për njerëzit me nder, me vlerë, me besim e dituri. Hasan Selimi është një njeri i tillë. Ai e meriton respektin e thellë të Shkodrës e shkodranëve.
I lindur në fshatin Kasaj të Tropojës, Malësia e Gjakovës, më 2 shkurt të vitit 1956, Hasani, djalosh i vogël, por shumë i mençur e i shkathët, ndoqi studimet në Shkollën e Mesme “Asim Vokshi” në Bajram Curri, të cilat i përmbushi me rezultate të kënaqshme, ndonëse në vështërsi. Të gjithë u gëzuan për këtë arritje. Natyrisht më shumë nga të gjithë u entuziazmuan të afërmit e tij të urtë, patriotë, të ndershëm e besimtarë. Mesa dukej, njeriu i tyre, Hasani, nuk do t’i zhgënjente asnjëherë.

Mbas përfundimit të gjimnazit, të afërmit, mësuesit dhe i gjithë qyteti i vogël i Bajram Currit krenoheshin me këtë djalosh, tanimë në rrugën drejt Tiranës për studime universitare. Pikërisht athere kur pak kush e çmonte Juridikun, Hasani vendosi vetë që të studionte në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës. Diçka e brëndshme, që lidhej me natyrën e tij të ndershme, më karakterin e tij të drejtë, me moralin e tij të shënjtë, me traditën e familjes së tij e shpinte Hasanin drejt Juridikut. Koha do provonte se nuk kishte gabuar.

Të shkruash për një personalitet si Hasan Selimi, nevojitet të njohësh thellësinë e mendimit të tij filozofik. Atë mund ta realizosh duke i lexuar librat e shumtë që ka shkruar, por edhe duke i dëgjuar gojtarinë e mënçur e të urtë në formë bisedore. Unë kam pasë kënaqësinë t’i ndjek të dyja. Ndonëse është nga juristët më të mirë dhe me përvojë të Shqipërisë, sërish thellësia filozofike e mendimit dhe arsyetimit të tij prevalon mbi gjithçka tjetër.

“Filozofia është bazë dhe piknisje për jetën në tërësi, bashkë me shkencat e tjera padyshim…”. Kështu shkruan autori në librin e tij “Antologjia e Ëndrrës”. (H. Selimi, “Antologjia e Ëndrrës”, Shkodër, 2013. faqe 3)

Si njeri i ditur, por edhe si jurist i shquar, Hasan Selimi çmon mbi gjithçka bazat teorike e filozofike të çdo fushe dije. Për një gjyqtar, respekti për filozofinë përbën një themel të patundur. Filozofia e së drejtës, bazat teorike të Jurisprudencës, etërit e mendimit shkencor, juridik janë për Hasan Selimin komponentët më të rëndësishëm të formimit juridik e shkencor të një njeriu që ka vendosur t’i shërbejë së drejtës. Një gjyqtar pa bazament të gjërë e të pasur filozofik, ngatërrohet nëpër ferrat e pragmatizmit vulgar dhe bie shumë shpejtë viktimë e presionit të paprinciptë amoral e për konseguencë kundër së drejtës.

Kur përballesh më autorin e këtij libri, z. Hasan Selimi dhe e pyet ku zë fill dashuria e tij për filozofinë, ai të përgjigjet prerazi, pa mëdyshje: Tek prindi. Për Hasan Selimin prindi është institucioni i parë dhe më i rëndësishëm në formimin e karakterit të mendimit njerëzor.

”..të përpiqesh që të arrish diçka në kujtim të prindit, është e rëndë dhe e lehtë njëkohësisht. Prindi yt-vazhdon autori- është më i miri, më dituni, më i larti dhe më i pranueshmi. Besimi, vëndi i shenjtë dhe përulja para tij, është shenjtëri dhe shenjë lavdie”. (H. Selimi, vep. e cit. faqe 5)

Për Hasan Selimin, prindi është jo vetëm institucion frymëzimi e nostalgjie, por, dhe kjo është shumë interesante, është edhe burim shenjtërie. Hasan Selimi njihet në Malësinë e Gjakovës si gjyqtar jo i zakonshëm, por si një njeri që lidh të drejtën moderne, pozitive, aktet e normat juridike me parimet e larta të shënjta. Pra, autori beson se ka një lidhje të padukshme, por shumë të fortë midis prindit dhe Zotit. Prindi, Zoti dhe Drejtësia janë enë kapilare, që nuk ekzistojnë dhe për rrjedhojë nuk mund të funksionojnë të shkëputura as edhe në një moment e në asnjë rrethanë.
“Prindi dhe Zoti, prindi dhe dashuria, prindi dhe shpresa, prindi dhe shenjtëria janë bashkëudhëtarë në jetën e çdo kujt”. ( H. Selimi, vep. e cit. faqe 5)

Një dimension i ri, shumë i dobishëm, që bie në sy në formatin filozofik të autorit Hasan Selimi është njësimi i tij dhe i prindit me Atdheun. Pa retorika nacionaliste, pa folklorizma të rëndomta, pa rrahje gjoksi, por me ngarkesë mendimi e rrahje zëmre, Hasan Selimi shpaloset me një mendim atdhetar të shkëlqyer. Ai e ka aq të afërt Atdheun sa prindin. Ai e ka aq të shtrenjtë prindin sa Atdheun. Prindi dhe Atdheu flejnë brënda qënies së tij si dy binjakë që ekzistojnë e funksinojnë së bashku në qënien e Hasan Selimit.

“..unë e kam njësuar prindin tim me hallet e Atdheut. Ashtu patën halle edhe prindërit e mi. Secili prej tyre në llojin e vet, na edukuan me dashni për njeriun, Atdheun dhe njerëzit e gjakut”. (H. Selimi, Vep. e cit. faqe 6)

Është shumë e vështirë, madje tejet e rrallë sot në vëndin tonë të ndeshësh një njeri të drejtësisë që të besojë kaq shumë e patundshmërisht te morali i shenjtë, siç është Hasan Selimi. Kur bisedon me Hasan Selimin arrin të depërtosh se tek ai parimet e normat e drejtësisë, vështrohen të gjithë në dritën e moralit të shenjtë, të së mirës mbi të keqen, të së ndershmes mbi të pandershmen, të familjes mbi divorcin, të dashurisë mbi urrejtjen, të vlerës mbi antivlerën, të urtësisë mbi barbarinë, të sinqeritetit mbi mashtrimin, të butësisë mbi ashpërsinë, të qetësisë mbi dhunën, të së drejtës universale mbi antikulturën e mosndëshkimit të së keqes. Veprimtaria e tij…

”…ka marrë si bazë luftën e mendimit dhe triumfin e besimit, në imagjinatë, mistikë, besë, shpresë, në një Zot” ( H. Selimi vep. e cit. faqe 7).

Në konceptin filozofik dhe orientimin praktik, Hasan Selimi e sheh besën të ndërvarur e kushtëzuar nga besimi. Besa pa besim është një lloj kontrate, e si e tillë mund të jetë e pamoralshme. Besimi pa besë është i paqëndrueshëm e për rrjedhojë një ditë mund të shndërrohet në mëkat. Vetëm besa dhe besimi në simbiozë së bashku fitojnë kuptim vleror. Këtë definicion mjaft unik filozofik të autorit Hasan Selimi është vështirë ta identifikosh lehtë. Duhen lexuar gjithë librat e tij, sikundër duhet të ulesh e të kuvendosh gjatë me të, për të kuptuar thelbin e simbiozës midis besës e besimit.

“Njeriu me besim ruan diçka të rëndësishme që quhet “besë” – thotë autori-…Besa është besim. Të besosh e të japësh besë është sakfrificë. Të besosh dhe të jesh i besuar, prapë është sakrificë, është njerzillëk, është sojni” (H. Selimi, Vep. e cit. faqe 41)

Në formatin filozofik të autorit Hasan Selimi, mua më ka tërhequr shumë vëmendjen qasja e tij ndaj besimeve fetare. Vizioni i tij filozofik për fenë buron nga toleranca fetare e thellë e shqiptarit, por e interpretuar në mënyrë mjaft unike me argumente filozofike dhe jo siç e shpërdorin rëndom njerëzit tek ne. Si një studiues i thellë dhe i njëkohëshëm sa i filozofisë shkencore po aq edhe i teologjisë, Hasan Selimi ka përparësinë e bërjes së analizave krahasuese midis mendimit filozofik shkencor dhe atij teologjik fetar.

Për Hasan Selimin nuk ka ndarje me “Mur Kinez” midis filozofisë e teologjisë. Natyrisht nuk ka as njësim të tyre. Më saktë mund të thuhet se aty ku shterron mendimi filozofik shkencor ndërfutet mendimi teologjik, e atje ku teologjia pengohet për më tutje ndërfutet mendimi shkencor. Janë, si të thuash, teori komplementare, as të njësuara dhe as të përjashtuara. Hasan Selimi është njohës i thellë i filozofisë dhe i teologjisë. Kjo i jep atij rrugë për arsyetime shumë interesante e të dobishme për njeriun.

“Nga tërë librat e filozofisë teologjike që kam mundur të lexoj deri tani – shkruan autori – si ata të besimeve të tjera dhe ato të besimit islam, nuk kam mundur të gjej diçka që shpall luftë e urrjetje ndaj tjetrit. Në të gjitha këto libra, fjala dhe kryefjala është paqja, dashuria dhe besimi i ndërsjelltë, përulja ndaj njeriut tënd, ndaj besimtarit sado i vogël të jetë ai, ndaj Atdheut dhe ndaj gjithçkaje që Zoti e ka krijuar”. (H. Selimi, vep. e cit. faqe 45).

E, mbi çdo gjë tjetër, Hasan Selimi vendos në qendër të librave të tij, njeriun. Për autorin, njeriu është qënie shumë komplekse. Shoqëria shqiptare po përballet më shumë se kurrë këto kohë me diversitetin, kontraversitetin e dinamikën e qënies njerëzore. Përjetojmë një kohë kur njeriu i mirë shpërfytyrohet brënda nate, duke i rënë ndesh paturpësisht drejtësisë; kur njeriu i krimit përulet brenda dite prapa hekurave për t’u bërë “bashkëpunëtor me drejtësinë”.

Pra, e thënë ndryshe, jetojmë një kohë kur njeriu don e nuk di çfarë don; kërkon e nuk din si ta lypë; lufton e nuk di për çfarë; udhëton e s’din se ku; ëndërron pa pasur shpresë; pikëllohet pa asnjë shkak; lutet në Zot e mëkaton në tokë: lutet në tokë e mëkaton në Zot. Jetojmë, pra, të pabesueshmen- humbjen e busullës së shenjtë që udhëheq jetën e njeriut që nga lindja te vdekja e më tutje në botën e amshuar. Njeriu është enigmë interesante në penën e Hasan Selimit…

”…njeriu në jetën e vet udhëton, -shkruan autori- bile edhe vrapon për të gjetur gjënë e tij më të shtrenjtë, më të bukur, më të domosdoshme, më të nevojshme. Kështu udhëton edhe besimtari…Ai udhëton, vrapon siç vrapon bleta…lule më lule deri në 20 kilometra në ditë. Kjo vrapon për të gjetur lulen më të bukur. Kur dikush thotë se një lule e bukur është me qindra kilometra larg, arrin të sakrifikojë edhe jetën e ëmbël për të gjetur lulen e luleve dhe lulja e luleve është ajo që qëndron sipër luleve të tjera…

Njeriu është i lindur me të mirat e të këqijat e veta. Në filozofi quhet lufta e të kundërtave. Njeriu gëzon, njeriu këndon nga gëzimi, njeriu qesh e dashuron, qan dhe vetësakrifikon, njeriu urren për nevojën ekstreme, njeriu ka arritur të shkojë në Hënë, në Mars, në Jupiter, por asnjëri nga këta njerëz që bënë këto udhëtime nuk arritën të kuptojnë se kjo është bërë me vullnetin e Zotit”. ( H. Selimi, vep., e cit. faqe 53-54)

Duke qënë një njeri me ndjeshmëri të lartë te parimet e shenjta dhe njëkohësisht jashtëmase korrekt me parimet e normat juridike me të cilat përballet çdo ditë të jetës së tij, Hasan Selimi trajton në faqet e tij filozofike edhe konceptin për njeriun e lirë. Mbi njeriun e lirë ka gjithfarë teorish. Edhe mbi dimensionet e lirisë ka mendime të ndryshme. Akoma më kontraverse janë dimensionet që ka liria njerëzore.

Dimensionin kompleks të njeriut të sotëm, Hasan Selimi, e trajton si një qënie njerëzore shumë natyrshëm. Kjo natyrshmëri buron në faktin se Hasan Selimi e vendos qënien njerëzore në mpleksjen e parimeve të shenjta dhe të parimeve juridike njëkohësisht. Duke definuar njeriun e lirë, Hasan Selimi, shprehet..:

”Gjithkush, dëshirat e veta i shpreh atje ku i pëlqen atij. Kjo është qyshse e ka krijuar Zoti njeriun e deri më sot, pra është fenomen historik, psikologjik e shoqëror. As ju, askush që ka ndërgjegje, që ka logjikë, që psikologjikisht i funksionon materia e tij, njeriu që nuk pranon që të përçmohet, në çfarëdo lloj kushtesh që ndodhet e aq më shumë ditën e vorrit, ai apo ndonjë i afërm i tij biologjik. çdo kush ka preferencat e tij, pranon bindjen dhe besimin që ai dëshiron. Askush nuk ka të drejtë të bëjë trysni që t’i imponojë kujt dëshirën e tij përveçse, kur ai e pranon me vullnetin e tij të lirë” (H. Selimi, vep. e cit. faqe 55)

Është padyshim një definicion shumë interesant për lirinë e njeriut, i thjeshtë, i qartë dhe shumë i saktë, në këtë periudhë kur konfuzioni rreth lirive të njeriut ka arritur monstruozitet të paparë në historinë njerëzore.

Duke dashur që të jem sa më realist në vlerësimin e Hasan Selimi kam intervistuar mjaft njerëz, nga më të ndryshmit që janë njohur me të në rrethana tepër të veçanta. Ajo që përputhet tek të gjithë opinionet për Hasan Selimin është një fakt, që do thoja unik për një gjyqtar, por shumë i dëshiruar për drejtësinë shqiptare: Hasan Selimi e sheh njeriun në kompleksitet. Ai gjykon fillimisht njeriun e pastaj çështjen e tij. Ai zbërthen psikologjinë, rastet, rrethanat, kushtet, mjediset, trashëgiminë, sfidat, hallet, shkaqet – e pastaj vesh togun e zi të gjyqtarit për të dhënë vendimin.

Për Hasan Selimin, kodet, proçedurat, ekspertët, prokurorët, avokatët, të pandehurit ose personat përpara drejtësisë – janë qënie që gëzojnë trajtimin më të arsyeshëm, më të drejtë e më të dobishëm për to, për familjet e tyre e për mbarë shoqërinë. Është rast unik në përvojën time të njoh një gjyqtar të tillë. Madje një ditë, ishte i trazuar e mbasi më tregoj disa raste studimore më tha…

”Shpesh, në jetën e përditshme e shndërroj veten në ndërmjetësues, për të mos i lënë njerëzit t’i shpien problemet fare në dyert e gjykatës. Një fukara, një hallexhi, një familje që shkon drejt divorcit për të lënë fëmijë jetimë, një padrejtësi prone, që shpie në gjakmarrje, një shkelje e lirive njerëzore, një njollë e zezë që shihet dritën për diell – për mua kërkojnë një punë shumë të madhe të gjyqtarit, sepse mund të zgjidhen mirësisht, me arsye, drejtësi e dobi, pa shkuar fare punët në trekëndëshin avokat-prokuror-gjyqtar”.

Kjo është një sjellje njerëzore për t’u admiruar. Nëse gjyqtarët do silleshin kështu, duke vënë njeriun përpara dosjeve burokratike, atëhere drejtësia do triumfonte në Shqipëri. Mjerisht, gjyqtarë me besim të shenjtë e formim profesional të lartë, si Hasan Selimi, janë fare-fare të paktë në këtë vënd, që aq shumë i mungon drejtësia.

Tani le të shkruaj disa faqe për librin që e kemi në duar. Botimi që ju paraqet autori Hasan Selimi është një tentativë e suksesshme e tij për të ndërmarrë një studim multi-disiplinor për diplomacinë, të drejtën publike ndërkombëtare dhe tendencat e zhvillimeve të sotme botërore.

Libri “E drejta Ndërkombëtare Publike dhe e Ardhmja Botërore” tregon kapacitetin ambicioz të Hasan Selimit.
Në kohën tonë vërehen dy prirje në fushën e studimeve ndërkombëtare: një prirje është orientimi një disiplinor gjithnjë e më i thelluar; prirja e dytë ka të bëjë me hulumtime shumëdisiplinore. Duke u bazuar te kultura, formimi personal, përvoja në studimet e tjera, autori Hasan Selimi në këtë libër ka ndjekur prirjen e dytë, atë të hulumtimit shumëdisiplinor.

Nga vetë dimensionet, natyra, kompleksiteti dhe dinamika që rrokin studimet diplomatike ndërkombëtare është gjithnjë e këshillueshme dhe në shumë raste e domosdoshme që autorët, pavarësisht prirjes një apo shumëdisiplinore, t’i qasen shumë fushave njëherësh. Kjo ndodh sepse diplomacia ndërkombëtare, nga vetë natyra e saj mpleks shumë fusha që kanë të bëjnë me forma të ndryshme të bashkëpunimit ndërkombëtar. Kërkon një rrjedhë të saktë të mbështetur te bazamenti historik, hapsira gjeografike, dimensioni kohor, natyra politike, struktura juridike, elementët strategjikë, karakteri ekonomik, ngjyrat kulturore. Përveç kësaj, këto disiplina shqyrtohen, për vet karakterin e ndërvarësisë së sotme globale, në nivele nacionale, rajonale, Evropiane, trans-kontinentale e globale.

Në mënyrë të veçantë, tre janë disiplinat që pashmangësisht lypet të konsiderohen nga studiuesit e diplomacisë e të rendit ndërkombëtar: marrëdhëniet ndërkombëtare, e drejta ndërkombëtare publike dhe dinamikat politike në terren. Marrëdhëniet ndërkombëtare kanë të bëjnë me teoritë, sistemet, parimet, vlerat e sfidat e rendeve të ndryshme botërore, që rregullojnë marrëdhëniet midis dy ose më shumë subjekteve të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të gjithë komunitetit ndërkombëtar përgjithëisht.

E drejta ndërkombëtare publike ka të bëjë me teoritë, parimet, aktet, normat juridike dhe vendimet e gjykatave ndërkombëtare sui generis, që rregullojnë marrëdhëniet juridike e zgjidhin paqësisht problemet midis subjekteve të së drejtës ndërkombëtare dhe janë garancia e paqes e sigurisë në botë. E drejta ndërkombëtare bartet nga një rend tek tjetri, por edhe evoluon në përputhje me zhvillimin e civilizimit botëror. Synimi i saj është që të vendosë rend botëror, të shmangë luftrat e krizat e mëdha dhe të krijojë një sistem me vlera juridike ndërkombëtarisht të pranuara, si dhe trupa gjykuese të paanshme ndërkombëtare për mbrojtjen dhe zbatimin e tyre.

Dinamikat politike në terren kanë të bëjnë me ndryshimet e përditësuara rast pas rasti, në mënyrë paqësore apo të dhunshme, evolutive apo revolucionare, progresive apo regresive, të shpejta apo të ngadalta, në nivele të ndryshme, nacionale, rajonale apo globale. Dinamikat në terren shkojnë herë për nga vlerat e rendit ekzistues të marrëdhëniëve ndërkombëtare, herë përkundër tyre; herë për nga normat juridike ndërkombëtarisht të pranuara, herë në kundërshtim me to. Por, çfarë është më specifike për dinamikat politike në terren është fakti, që ato janë gjithnjë sfidante, sepse përbëjnë një hap përpara parimeve të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe parimeve e normave juridike ndërkombëtare.

Duke qënë sfidante me rendet ndërkombëtare, të sistemit, marrëdhënieve apo të sistemit të së drejtës, dinamikat në terren, përbëjnë një objekt të veçantë dhe jashtëzakonisht të vështirë studimi. Vështirësinë e sjell fakti se ato në mjaft raste përbëjnë dukuri unike, sui generis. Duke qënë më së shumti sui generis, për to nuk kemi sistem referencash apo baza analizash krahasuese. Pra, si të tilla, në jo pak raste, dinamikat në terren nuk mund të analizohen dhe aq më pak të parashikohen vetëm duke u bazuar te parimet e marrëdhenieve ndërkombëtare dhe të së drejtës ndërkombëtare, sikundër nuk mund të analizohen bazuar thjeshtë në përvojat historike të së kaluarës. Dinamikat politike, referuar historisë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të drejtës ndërkombëtare, kanë qënë ato që i kanë dhënë shtysë ndryshimeve edhe në rendin botëror edhe në rendin juridik ndërkombëtar.

Studimi i Hasan Selimit është ndër përpjekjet e pakta në Shqipëri për të ndërmarrë një tezë multidisiplinore mbi diplomacinë, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe aspektet e të drejtës ndërkombëtare. Si i tillë ky studim ngërthen rëndësi të veçantë për diplomatët, politikanët dhe ekspertët e së drejtës ndërkombëtare publike.

Për hir të së vërtetës duhet të themi se në këto fusha Shqipëria ka vakum të konsiderueshëm edhe në teori, edhe në aplikim. Mund të thuhet pa kurrfarë hezitimi se edhe diplomacia, edhe politika, edhe e drejta ndërkombëtare publike ka në Shqipëri një mjedis mjaft diletant, amator, empirik e të fragmentuar. Prandaj unë e përgëzoj shumë autorin, Hasan Selimi për iniciativën dhe mendoj se me këtë libër ka mbështetur rrugën e studimeve tona që të ecin më gjërë e më thellë në orientimin multidisiplinor në aspekte që prekin politikën ndërkombëtare në kuptimin më të gjërë të fjalës.

Në tre dimensionalitetin që karakterizon studimin, mund të thuhet se autori është më fondamental në fushën e së drejtës ndërkombëtare publike. Prejardhja e tij nga fusha e së drejtës i jep Hasan Selimit përparësi në këtë aspekt. Natyrisht, kjo përparësi, nuk e ka lënë autorin që të bjerë në juro-centrizëm, pra në mbivlerësimin e aspektit juridik në dëm të fushave të tjera. Mendoj se autori është mbështetur dhe ka përdorur me sens mase kapacitetin e tij juridik për aq sa i është nevojitur karakterit shumëdisiplinor të studimit.
Personalisht, mendoj se libri është manual për diplomatët tanë. Shumica e tyre vuajnë mjaft nga mungesa e formimit juridik ndërkombëtar. Kjo duket në shumë raste negociatash, ku diplomacia shqiptare ka pësuar fiasko (siç janë rastet e bisedimeve të Mbretërisë Shqiptare me Qeverinë e Musolinit midis dy luftrave botërore, të Gjykatës Ndërkombëtare për Incidentin e Korfuzit mbas Luftës së Dytë Botërore, të rastit të mos përfitimit nga reparacionet e Luftës së Dytë Botërore në formë pensionesh mbas vizitës së Shtrausit në fillim të viteve ’80, rasti i delimitimit të kufirit detar me Greqinë etj).
Diplomacia shqiptare duket që vuan nga mungesa e formimit juridik ndërkombëtar edhe nga fakti se ajo nuk kërkon nga shtetet e huaja ose organizmat ndërkombëtare ku bën pjesë të drejtat e shqiptarëve në Rajon e botë, bazuar në Konventat e OKB, të KE, të OSBE, të BE etj. Për diplomacinë shqiptare, instrumentat juridik ndërkombëtarë, së paku deri tani, janë konsideruar më shumë si relike muzeale sesa si mekanizma për zgjidhjen e problematikave ndërkombëtare me të cilat përballet faktori shqiptar sot.

Në tërë kompleksitetin e librit që kemi në dorë, mendoj që të akcentoj kryesisht aspektet juridike të së drejtës ndërkombëtare publike. Në këtë fushë autori Hasan Selimi sjell një këndvështrim unik në shkencat tona. Për herë të parë kemi një ekspert të lartë të së drejtës që bën një analizë shkencore, duke ndërfutur në laboratorin analitik historinë, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe vendin e rolin e së drejtës. Kjo e bën librin të dobishëm si për studiuesit e diplomacisë e marrëdhënieve ndërkombëtare, po ashtu edhe për vetë juristët, sidomos ato të së drejtës ndërkombëtare publike.

Në libër, autori i kushton një hapësirë të konsiderueshmë historisë të së drejtës ndërkombëtare. Me njohuri mjaft të sakta historike, me fakte bazuar në shumë autorë, botime, dokumenta e media, autori na jep një vështrim historik, pa të cilin nuk do të mund të vijoheshin më tutje analizat e detajuara të lindjes e zhvillimit të së drejtës ndërkombëtare publike ndër shekuj. Për historinë shkruhet shumë. Por profesionalisht për historinë e fushave të veçanta shkruhet pak e aspak.

Aspekti historik i lindjes dhe i zhvillimit të së drejtës që nga pikpamjet për origjinën e së drejtës ndërkombëtare publike, lashtësia, mesjeta, periudha e absolutizmit, rrymat kryesore që lindën më pas nga fundi i shekullit 18-të deri në fillimet e shekullit 19-të, zhvillimi në periudhën midis dy luftrave botërore e kulmimi i së drejtës publike e kodifikimi i saj mbas Luftës së Dytë Botërore deri në ditët tona – dëshmojnë për një njohje të thellë të autorit si në aspektet historike ashtu edhe të shkollave, teorive e doktrinave të së drejtës ndërkombëtare publike ndër shekuj.

Mbas vështrimit analitik mjaft të detajuar historik, autori Hasan Selimi përqëndrohet gjithë e më ngushtësisht në aspektet e mirëfillta teoriko-juridike.

Në kapitullin mbi “Nocionin e së Drejtës Ndërkombëtare dhe burimet e saj”, autori zbërthen në mënyrë shkencore dhe njëkohësisht mjaft origjinale nocionin e së drejtës ndërkombëtare, veçoritë e saj nga fushat e tjera të së drejtës, burimet kryesore që krijojnë bazat e saj, duke nisur qysh me doktrinat e deri te vendimet sui generis, të praktikës së gjykatave ndërkombëtare. Shumë interesant është nën kapitulli ku autori bën analizë krahasuese midis të drejtës ndërkombëtare dhe të drejtës së brendshme.
Në fushën e së drejtës ndërkombëtare publike, problem nga më madhorët ka qënë kodifikimi i saj. Kodifikimi ka qënë një proçes i gjatë, me ulje-ngritje, me ngecje dhe kthime mbrapa. E drejta ndërkombëtare ngërthen shpesh ambiciet e ngushta të subjekteve ndërkombëtare, që për shkaqe shumë egoistike e kanë penguar e zvarrisur pambarimisht proçesin e kodifikimit të së drejtës ndërkombëtare.

Megjithatë, sidomos mbas Luftës së Dytë Botërore, me krijimin e Kombeve të Bashkuara, bazuar në Traktatin e San Franciskos në Qershor 1945, proçesi i të drejtës ndërkombëtare ka njohur më shumë se kurrë më parë një dinamikë intensive të kodifikimit të saj. Kjo e ka bërë rendin botëror gjithnjë e më shumë të udhëhequr nga parime e norma juridike sesa nga parime e taktika politike, që dallonin sistemet e vjetra ndërkombëtare.

Në këtë kapitull vëmë re se me shumë kujdes, në evoluim dhe me teori, akte e fakte autori na provon sesi janë zgjeruar subjektet e së drejtës ndërkombëtare, nga ato thjeshtë tradicionale, siç kanë qënë shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, tek përfshirja e popujve të paqeverisur (nën menaxhim të përkohshëm ndërkombëtar) dhe individi i lirë. Kemi të bëjmë këtu me fillimin e zbatimit të së drejtës së popujve për vetëvëndosje, çka prodhoi shumë shtete të reja (nga 45 themeluese të OKB në vitin 1945, sot kemi 193 shtete të tillë) deri me shpalljen e Kosovës shtet të pavarur e ndërkombëtarisht të njohur nga 106 shtete (2008) si dhe subjekti individ, me liritë e të drejtat e tij, që po bëhen shkak ndërhyjesh të komunitetit ndërkombëtar duke “thyer” kufijtë e sovranitetit të mbyllur shtetëror nga regjime diktatoriale.

Duke qënë i interesuar veçmas edhe për diplomacinë dhe veprimtarinë e saj konsullore, autori Hasan Selimi i kushton një kapitull të plotë, të detajuar dhe mjaft interesant lindjes dhe zhvillimit të së drejtës ndërkombëtare publike diplomatike e konsullore. Lexuesi jurist, por në mënyrë të veçantë çdo diplomat e punonjës konsullor nevojitet ta studiojë këtë kapitull, sepse rrallë herë gjen studime kaq të sakta dhe shumë të skriptuara, pra të ngjeshura për diplomatët e konsujt tanë. Në një kohë, kur vërehen gjithnjë e më shpesh shkelje të rënda në praktikën tonë diplomatike e konsullore pikërisht të konventave që rregullojnë veprimtarinë dhe statusin e diplomatit dhe të konsujve tanë. Amatorizmi, militantizmi, mediokriteti që ka molepsur në mënyrë të konsiderueshme administratën tonë publike nuk ka lënë jashtë “infeksionit” lokal edhe administratën tonë diplomatike e konsullore.

Natyrisht, në studim zë një pjesë fondamentale studimi i Kombeve të Bashkuara, sistemi shumë i komplikuar i tyre, vendi e roli që luajtën në zhvillimin, saktësimin dhe kodifikimin e të drejtës ndërkombëtare publike. Për herë të parë, në historinë e njerëzimit vëren me të drejtë autori, popujt krijuan një organizatë universale, e cila do të bëhej tribuna e popujve të lirë e sovranë, themeluan një familje kombesh, e cila do të parandalonte luftrat botërore nga vitit 1945 deri në ditët tona, do të pasuronte dhe do të kodifikonte tërësinë e akteve juridike ndërkombëtare ndër shekuj dhe do hidhte themele për akte juridike krejtësisht të reja që do i prijnë rendit të ri botëror.

Të tilla janë: aktet për parandalimin e prodhimit dhe përhapjes së armëve bërthamore; të armëve të dëmtimit në masë; të armëve kimike e bakterologjike; të minave kundër personit; limitimit të armëve konvencionale; liritë e të drejtat e njeriut (konventat përkatëse të OKB); tregtinë e lirë ndërkombëtare; konventa për mbrojtjen e mjedisit; për biodiversitetin; për efektet e ngrohjes globale etj. Pra, autorit nuk i ka shpëtuar asnjë aspekt, ku Kombet e Bashkuara kanë hedhur baza, ose edhe thjesht po hedhin hapa për fusha të reja të së drejtës ndërkombëtare, të cilat, sikundër shprehet autori Hasan Selimi, do i prijnë rendit të ri botëror përmes krijimit të vlerave të përbashkëta për globalizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Autori Hasan Selimi i vështron Kombet e Bashkuara në kompeksitetin e tyre. Pra, në këtë kuptim ai çmon lart çdo arritje të kësaj organizate për paqen e sigurinë, për zhvillimin ekonomik e social, për përparimin arsimor e kulturor, për ruajtjen e mjedisit e të trashëgimisë kulturore botërore. Por, këto arritje, nuk mund të mbulojnë edhe një sërë dështimesh që kanë karakterizuar Kombet e Bashkuara deri tani. Kështu, për shembull, me të drejtë thuhet se bota ka parandaluar Luftra Globale, por nuk ka arritur të parandalojë luftrat e konfliktet rajonale. Tërësia e këtyre luftrave e konflikteve rajonale, të marra së bashku, për nga dëmi njerëzor e kolateral ia kalon luftrave botërore.

Gjithashtu, autori vë në dukje edhe domosdoshmërinë që Kombet e Bashkuara të adresojnë më mirë problemet e zhvillimit ekonomik e social përmes instrumentave juridike ndërkombëtare. Bota e rendit të ri po bëhet shumë e polarizuar. Një grusht Kombesh (rreth 5 përqind), zotërojnë mbi 80 përqind të kapitalit global, ndërkohë që qindra kombe (95 përqind) të tjerë zotërojnë vetëm afro 20 përqind të këtij kapitali. Ky fenomen i polarizimit ndërkombëtar prodhon pashmangësisht kriza ekonomike e sociale. Krizat ekonomike e sociale destabilizojnë politikat e shteteve e Rajoneve. Destabilizimi i politikave të shteteve e Rajoneve provokon kriza humanitare e ndërkombëtare.

Kështu, hap pas hapi, rendi botëror mund të shkojë drejt destabilizimit të tij. Kombet e Bashkuara kanë mision që përmes rregullatorëve ekonomikë e financiarë të Bretton Wood-it dhe të Organizatës Botërore të Tregtisë të ndikojnë për lëvizjen e kapitalit nga Perëndimi në Lindje dhe nga Veriu në Jug. Kjo do të sillte një rishpërndarje më të mirë e më të harmonizuar të zhvillimit ekonomik e social botëror. Por, siç vëren me shumë të drejtë autori Hasan Selimi, këto zgjidhje nuk mund të bëhen vetëm me Samite e retorikat që ato prodhojnë, por në radhë të parë me akte juridike të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjithë subjektet e të drejtës ndërkombëtare.

Për mendimin tim, bazuar në përvojën, formimin dhe në analizën e bërë, kapitulli më kompleks dhe i dobishëm është “Rendi i Ri dhe reforma juridike e OKB-së”. Me thënë të drejtën është një kapitull që më ka befasuar me njohuritë dhe me multidisiplinaritetin që autori Hasan Selimi shpalos në dy aspekte: në analizën e dështimeve të derisotme të Kombeve të Bashkuara dhe në vizionin e tij për domosdoshmërinë e reformës së sistemit juridik të OKB në dobi të një rendi të ri, me më shumë paqe, më të sigurt, me një zhvillim ekonomik e social më të madh, me një mjedis më të pastër dhe me trashëgimi kulturore.

Puna personale shumë vite si diplomat nëpër disa shtete, organizata Rajonale, Evropiane dhe Kombet e Bashkuara në Nju Jork, më ka familjarizuar me problematikat e brendshme, me arritjet, dështimet e sfidat e tyre. Gjithashtu, duke punuar disa kohë në ingranazhet e brendshme të Kombeve të Bashkuara në SHBA kam pasur privilegjin të ndjek së afërmi dhe në dinamikë debatet formale dhe informale, publike dhe jo publike, të hapura e konspirative, të Kryetarëve të Shteteve dhe të burokratëve të OKB për domosdoshmërinë dhe për alternativat e mundshme të reformimit të Kombeve të Bashkuara, me qëllim hapjen e rrugës një Rendi të Ri Botëror.

Por, kur shumë nga përvojat personale i kam gjetur të analizuara nga një studiues shqiptar, që tërë jetën ia ka dedikuar së drejtës, siç është autori Hasan Selimi, jam gjetur përballë një befasimi të këndshëm. Pa punuar asnjë ditë në sistemin e Kombeve të Bashkuara, pa përjetuar asnjë përvojë personale në Pallatin e Qelqtë të OKB në Nju Jork, në Vjenë, në Gjenëve apo në Paris, autori i këtij libri, Hasan Selimi, bazuar në studime e analiza të një vëzhguesi profesional ka arritur në konkluzione dhe në sugjerime jashtë mase origjinale dhe të dobishme.

Shumë nga këto konkluzione e sugjerime i kam dëgjuar nga diplomatë e studiues të shquar nëpër botë. Me të vërtetë është për t’u admiruar një njeri kaq studiues i vëmendshëm, i palodhur, aktiv dhe mjaft analitik. Sikundër është për të ardhur keq, jashtëzakonisht keq, që qindra studiues e diplomatë tanë në Shqipëri dhe në Rajon nuk marrin mundimin të shkruajnë as edhe një artikull modest për çështje madhore globale. Kjo gjëndje vakumi në studimet tona ndërkombëtare do thotë dhe këtë do ta theksoj me shkronja bold, se: Shqipëria vetëm de jure ka dalë nga izolimi ndërkombëtar, sepse de facto ngelet e tillë edhe sot e gjithë ditën. E nëse izolimin deri në vitet ’90-të na e kishte prodhuar politika e diktaturës, tani na e prodhon politika e mendësisë. Pavarësisht ndryshimit të madh, produkti është i njëjtë – izolim nga bota. Izolimi i para ’90-tës ishte nga jashtë brënda. Izolimi i tanishëm duket të jetë më së shumti nga brenda- jashtë.

Hasan Selimi është studiues i thyerjes së izolimit. Pra, me fjalë të tjera është njeri me mëndje të hapur, për shoqëri të hapura, për vizione globale. Është kundërshtar i së keqes. Është armik i injorancës. Është besnik i vlerës, i besimit, i diturisë, i Atdheut dhe i Zotit. Më kanë thënë shumë njerëz së kështu ka qënë gjithnjë. Ndërsa nga koha që e njoh së afërmi edhe unë mendoj se plotësisht është i tillë.

Nuk mund ta mbyll parathënien pa konsideruar edhe burimet e analizës së autorit dhe stilin e qartë akademik të tij. Hasan Selimi nuk hamendson në këtë studim. Ai ka një bazë të gjërë referencash të mirëfillta shkencore nga gjithë bota akademike, autorë historikë, teoricienë, doktrinarë të njohur, studiues, publicistë dhe linke interneti kredibile për të dhënat e tyre serioze shkencore. Gjithë këtë material referencash, autori e ka përfshirë në një laborator personal analitik shumë të kujdesshëm përmes klasifikimit, seleksionimit, analizave krahasuese, duke arritur në konkluzione e prognoza mjaft interesante.

Edhe kjo është shumë e veçantë për t’u thënë, ndryshe nga librat e tjerë të autorit, të cilët dallohen për një stil narrativ, poetik, rrëfimtar, meditativ apo filozofik, në këtë libër, Hasan Selimi është mjaft rigoroz për të respektuar një stil të kujdesshëm e mjaft të kulturuar e të qartë akademik. Natyrisht, unë që i kam lexuar librat e tij, dalloj përmes stilit akademik edhe midis rreshtash, stilin individual e thuajse të papërsëritshëm të studiuesit, dijetarit, filozofit e juristit të paepur – mikut tim të shtrenjtë Hasan Selimi.

Dhe sërish e sërish…çdo ditë në mëngjezin romantik shkodran, një burrë i gjatë, i hijshëm, krenar dhe i buzëqeshur do dalë nga dera e shtëpisë së tij të kahershme dhe do niset për në Gjykatën e Shkodrës. Rruga si distancë mbetet e shkurtër, por përshëndetjet me njerëz, dashamirësia për secilin qytetar, përkushtimi ndaj çdonjërit veç e veç që e ndalon, e sidomos botimi i këtij libri do e bëjnë rrugën e tij gjithnjë e më të gjatë, por kurdoherë e më të këndshme.

Këtë herë atë do e ndalin edhe studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare, politikanë e diplomatë. Ai do shijojë nga njerëzit vlerën e studimit të tij të fundit, sepse Hasan Selimi për njerëz dhe për ajër ka nevojë. Ndonëse vjen nga Malësia e Gjakovës, ndonëse është shkrirë ngusht me qytetin e Shkodrës, tanimë Ai po bëhet natyrshëm edhe pjesë e botës akdemike. Unë jam i bindur që sërish Shkodra dhe shkodranët, por edhe mbarë shqiptarët nuk do të pajtohen për ta ndarë nga bibliotekat e shtëpive apo institucioneve të tyre veprën e studiuesit Hasan Selimi. Shkodra e shkodranët, Shqipëria e shqiptarët duan njerëz të vërtetë, me vlera, dije, besim e shpresë dhe jo snobë pa identitet dhe pragamtistë të rëndomtë vulgarë. Personalitetet me nder, me vlerë, besim e dituri i japin dritë e shpresë mbarë shoqërisë e Kombit Shqiptar. Hasan Selimi është një njeri i tillë.

Prof. Dr. Lisen BASHKURTI
Ambasador,
President i Akademisë Diplomatike Shqiptare