NUK PASKËM KOHË TË VDES

Nga Zenun Hysenukaj

M’u dashka kohë të gjej poezisë vargun e fundit.
Të mjekoj krahun e thyer pëllumbit.
Të pastroj oborrin nga hithra e shtogje.
Të shkruaj një këngë për korin e zogjve.
M’u dashka të qetësoj qenin që rri pas fronit.
Ai qan për mua si qeni i Bajronit.
Më duhet të pres prillin me lule molle.
Sa të çoj mbesen në kopësht për dore.
Sa të zihem me palaçon me shpirtë si natë.
Që më thotë se malok ishte im Atë
Sa të korri arat me drapërin e hënës.
Të qaj në heshtje mbi varrin e nënës.
Më duhet të pres se më djeg si zjarri.
Të di nga ç’fis nusen ma merr djali.
Të shaj matrapazët që uthull për verë shesin.
Të njoh horoskopin e tërë unuversin….
Sa të shkoj në fshat ku pemët gjyshi mbolli.
Të caktoj një gështenjë për drrasa arkivoli.
Le të pres vdekja edhe një shekull.
Vertet,herë jam i gjallë herë jam i vdekur.