NJË PIEDESTAL, TRE BUSTE, NJË AUTOR

Nga Izet Duraku

Në sheshin kryesor të qytetit të Kukësit këto ditë u hoq busti i Enver Hoxhës.
Më shumë se gjysmë shekulli më parë në Kukësin e vjetër qe ngritur busti i Ahmet Zogut, i cili u rrëzua nga italianët fill pas pushtimit fashist të vendit.
Piedestali u ruajt. Mbi të u vendos busti i Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Pak ditë para përmbytjes së këtij qyteti kjo vepër arti u transferua në Kukësin e Ri, ku u vendos në një skaj të mënjanuar të qytetit. Më kot shpresuan artistët dhe dashamirët e shumtë të kësaj vepre arti, që ajo të vihej në një vend më të dukshëm. Shkuan kot dhe projektet për rregullimin e piedestalit të saj, për të cilën para 3-4 vjetësh qe organizuar edhe një konkurs. Skënderbeu, ashtu i shmangur, ishte dënuar të mos bënte shumë hije. Ballin e vendit e kish zënë Enver Hoxha.
Por me sa duket askush s’mund t’i ikë fatit të vet historik. Piedestalin e Enverit e zuri Skënderbeu, i cili i mbrojtur fuqishëm nga 500 vjet kujtesë historike, pavarësisht prej rrethanave të ndryshme, zëvendësoi kështu dy monarkë.
Monarku i parë, Zogu, ëndërronte t’i ngjasonte Heroit Kombëtar. Madje në emblemën e tij mbretërore zinte vend të dukshëm përkrenarja e Heroit.
I dyti për gati gjysëm shekulli e “dërmoi” të parin dhe i thuri gjithashtu lavde Skënderbeut.
Historia dëshmon se edhe vetë Skënderbeu ishte një mbret. Por kohës së tij i pat hije kjo mbretëri. Dy të fundit ishin shumë shekuj të vonuar për t’a ringjallur namin e mirë të monarkisë.
Të tre punimet skulpturore kanë një autor të përbashkët: skulptorin e Popullit Odise Paskalin. Edhe artistët e mëdhenj i kanë paguar haraç diktaturës.

15 korrik 1991