Nga Albert Abazaj
Vlorë, 6 korrik 2018: Kam shkruar dhe, natyrshëm, do të shkruaj sa të kem mundësi për historinë, etnokulturën, folkorin, për marrëdhëniet e mira dhe antropologjinë e ngjashme të banorëve të dy krahinave të mëdha etnografike jugore: Labërisë dhe Çamërisë, pjesë vitale e Toskërisë, njërës nga dy pjesët përbërëse të Shqipërisë etnografike. Krahinat përbëhen nga njerëz, që kanë jetën e tyre dhe bëjnë historinë apo kulturën e bashkësisë lokale deri në rang kombëtar. Ky shkrim është histori kulturore dhe realitet nderimi për dy personalitete të njohur. Kujtojmë emrin dhe veprën e folkoristit të devotshëm, Fatos Mero Rrapaj, që ka 6 vjet që i përket paharrimit. Po ashtu, vlerësojmë fototekën e gjallë kombëtare, artistit atdhetar, klasikut Skënder Beqiri. Këtij shkrimi për dy emra të përveçëm të kulturës kombëtare i dha impuls një letër e daktilografuar, që mban datën 31 korrik 1982, nënshkruar nga 30 artistë çamë, banorë të qytetit të Vlorës, që përbënin Ansamblin Folkorik “Çamëria”, shumë i njohur qysh në atë kohë. Letra përbëhet nga dy fletë A4 me tekst të shkruar me makinë shkrimi dhe i drejtohet Drejtorisë së Institutit të Kulturës Popullore Tiranë (Sot Instituti i Antroplogjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit). Para se të njihemi me tekstin e letrës, që për lexuesin tonë do ta sjellim dhe me faksimile, po paraqesim në një ravijëzim esencial portretet e dy studiuesve artistë atdhetarë: dy miq të vjetër: Fatos Mero Rrapaj nga Gumenica e Vlorës, Skënder Beqiri nga Gumenica e Çamërisë- të dy kanë punuar për etnokulturën, Fatosi për Vlorën e Çamërinë, Skënderi për Çamërinë e Vlorën; të dy për Shqipërinë.
Labi Fatos Mero Rrapaj – djali i Çamërisë. (Gumenicë, Vlorë: 6 korrik 1930-Vlorë, 2 prill 2012) është një folklorist i shquar shqiptar me origjinë nga fshati Gumenicë i Labërisë së Lumit të Vlorës (sot bashkia Selenicë), që falë kontributeve të tij madhore për etnokulturën dhe folkorin e krahinës së Çamërisë, shumë e shumë e mendojnë se Fatos M. Rrapaj është çam. Ndërkohë, ky punëtor i palodhur i gjurmimit të kulturës popullore të Çamërisë, në hierakinë e vogël gjenetike, është lab Gumenice, jo çam Gumenice… Ndërkohë, vepra e tij, këtë lab idealist, më kuptimin më të mirë të fjalës, e bën më çam se çamët dhe jo vetëm për përkushtimin e tij titanik si mbledhës i folklorit shqiptar të Çamërisë. Arsimin fillestar e mori në fshatin e lindjes. Që në moshë të vogël doli partizan, por pas çlirimit të vendit, u arrestua dhe u burgos nga regjimi komunist për qëndrimin dhe pikëpamjet e tij nacionaliste. Kjo e bëri të punonte në punë të rëndomta deri sa doli në pension.
Të njohur në qarqet akademike dhe artistiko-letrare shqiptare e bëri vëllimi 800-faqësh “Këngë popullore të Çamërisë” i botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në vitin 1983, me recensë dhe parathënie të shkrimtarit Ismail Kadare. Ka bashkëpunuar me shumë nga organet letrare shqiptare për botimin e shkrimeve të tij, veçanërisht me revistën “Krahu i shqiponjës” si dhe gazetat “Drita”, “Kosova” e “Çamëria”. Ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (LSHA). Pjesa më e madhe e veprës së tij ka mbetur në dorëshkrim: “Proza popullore e Çamërisë”, me rreth 3000 faqe, “Fjalori onomastik i Epirit në zhvillim”, “Këngë e prozë popullore nga Kosova, Mirdita, Kruja, Kosturi e Follorina”, “Doke e zakone nga Çamëria”, “Fjalë të urta nga Korça e Dibra”, “Anekdota popullore” në pesë vëllime etj. “Te Sheshi i Flamurit”, me këngë popullore labe, Tiranë, 1972
– “Këngë popullore të Çamërisë”, Tiranë, 1983;
– “Këngë popullore të Labërisë”, vol. 8, Tiranë, 1991, 1383 f.: 1 fl. Portr, Bibliogr.: f.1359.- Indeks;
– “Rënkimet e Çamërisë”, tregime pellazgo-ilire e këngë çame, (Folkor: legjenda, këngë të epikës
historike dhe të lirikës popullore came), Tiranë, 1995, 460 f. : me il. ; 20 cm, me bibliografi e indeks;
– “Fjalori onomastik i Epirit” I, Tiranë, Eurorilindja, 1995, V. 1, 563 f. ; 21 cm, me aparat bibligrafik, me fjalë kyçe Gjuha shqipe, Onomastika, Etimologjia, Studime sociale
Fjalorë ;
– “Këngë popullore të ndaluara”, Tiranë, 1997, 219 f. : me il. ; 20 cm, me indeks, etj.
Qysh nga viti 1953 e në vijim, Fatosi ishte jo mysafir, por djalë shtëpie në shtëpinë e Damin Nuhut, njësoj si Skënderi, Fabiti e fëmijët e tjerë të derës bujare çame të Beqire në Vlorë. Ai e voli mirë plakun me kujtesë të rrallë, e shfrytëzoi maksimalisht në shërbim të detyrës kombëtare që i kishte ngarkuar vetes, për të mbledhur e botuar prozën dhe poezinë popullore të Çamërisë së begatë, por martire. Skënderi i mban mend këngët që i tregonte i ati Fatosit. Ja një nga ato që këndonte në Luftën e Janinës: “Filipjadha hane-hane,/ strëlinat në portokalle,/ komandanti me valinë/ vendë me para e shinë” [e shitën]. Një tjetër: “Ishin djem, andaj e dhanë,/ po të pjesin atë plaknë [Ali Pashën],/ Nuk e di sulltan Mahmuti/, që ësht’ gjallë Ali baruti!”. Tri herë ishte plagosur në luftën e Janinës luftëtari dhe bartësi Damin Beqiri. Më shpëtuan Labët, tregonte plaku. Nga Zenel Troqe e kam jetën. E përse luftuam? Për vete? E thotë bukur një këngë labe: “Shqipëri, o shkëmb, o gur/ vritesh, pritesh për flamur,/ ata hiq e tinë vur!”… Xha Damini vdiq në vitin 1967, më moshën 106 vjeç dhe Fatosi s’iu nda deri në fund të frymës së tij dhe plaku ia fali të gjitha thesaret e kujtesës shpirtërore me besim që atdhetari lab do ta realizonte, siç e realizoi shkëlqyeshëm, aktin e madh të fisnikërisë humane jo vetëm për komunitetin çam por për mbarë kulturën popullore të popullit shqiptar.
Çami Skënder Beqiri – Marubi i Vlorës. Ndërsa Skënder Beqiri ka lindur më 15. 05. 1929 në Vrohona të Çamërisë dhe, fare i ri, vetëm 14 vjeç emigroi, në Vlorë, ashtu si mijëra çamë të tjerë që u përzunë nga vatrat e tyre prej shovinistëve grekë. I lindur dhe i edukuar në një familje me tradita kulturore e atdhetare, u rrit e u burrërua fjalëpak e punëshumë, i heshtur e serioz, por gjithnjë me zemër të madhe e bujar, një jetë të tërë, Skënder Damin Nuh Beqiri punoi dhe veproi për Çamërinë, Labërinë dhe Vlorën si një atdhetar i vërtet, që e sheh të vërtetën në sy dhe ashtu e flet, e shkruan, e pasqyron, e fotografon. Ka patur dhe ka miq me vlera, intelektualë dhe veprimtarë të shquar si Muin Çami, Skënder Luarasi, Mustafa Suljoti, Fatos Arapi, Viron Koka, Nermin Vlora Falaschi, Nasho Jorgaqi, Petrit Kume, Bardhosh Gaçe, Llambi Durolli), Ibrahim D. Hoxha, Xhebro Gjika, Abaz Dojaka, Selman Sheme, Haxhi Dalipi, Petrit Velaj, Liljana Gjika, Halim Halimi, Bardhosh Gaçe, Fadil Zeqiri (njëkohësisht dhe kunat), Fatos M. Rrapaj, etj. E shoqja e Skënderit, e ndjera Resmie Mane Beqiri ka lindur në sarajet e Alizot Dinos, në fshatin Lopës të Filatit dhe ishte mbesë e Dinejve të mëdhenj të historisë kombëtare (15. 05. 1935-7. 12. 2014). Përherë i palodhur e me shpirt të gjerë artisti, serioz e korrekt në punë, me përgjegjësi të lartë profesionale dhe ndërgjegje kombëtare të pastër, S. Beqiri është vlerësuar me mjaft çmime e diploma: nga revista “Ylli”, 1964 me çmimin e parë Eksopozita Vlora sot”, si dhe shumë çmime nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Shoqata Patriotike “Çamëria” e ka shpallur “Nderi i Çamërisë” me motivacionin “Për punën e palodhur dhjetra vjeçare në dokumentimin e aktivitetit dhe vlerave të popullsisë çame (Tiranë, më 19.04.2009)”. I lartë e i merituar është vlerësimi nga Këshilli i Qarkut të Vlorës, me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, më 28 Nëntor 2012, kur u nderua me titullin “Personalitet i shquar i Qarkut të Vlorës” me motivacionin: Për kontribut të çmuar në ruajtjen dhe zhvillimin e traditave kulturore e historike të Vlorës dhe të Çamërisë”. Skënder Beqiri ka dhe një emër tjetër në qytetin bregdetar, i flasin “Marubi i Çamërisë dhe Vlorës”. Sipas Halim Halimit, regjisorit të mirënjohur të Qendrës kulturore Vlorë, ish – Drejtues Artistik i Ansamblit “Çamëria”, qysh në krijimin e tij në vitin 1978, pesë personalitetet e shquar të Çamërisë në kohën historike që po kalohet janë Fadil Zeqiri, Shyqyri Zeneli, Bajram Hajrullai, Mustafa Suljoti dhe Skënder Beqiri. Në fonotekën e Skënderit, e cila zë një vend të konsiderueshëm në shtëpi, përfshihen mbi 25 mijë fotografi, negative, dhe filma ku janë fiksuar figura të shquara intelektualësh e atdhetarësh, çeta luftëtarësh e kryengritje për pavarësinë e Shqipërisë, ngjarje e veprimtari të ndryshme historike e kulturore, institucione ekonomike e shtetërore, qendra muzeale e objekte të tjera me vlera monumentale. Veprimtaria e tij e gjerë si artist dhe mjeshtër i fotografisë është shfaqur në mbi 30 ekspozita fotografike në Vlorë, Fier, Durrës, Tiranë, Sarandë etj., deri në Holandën e largët. Me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1978), pasi u bë nismëtar i ngritjes së Ansamblit “Çamëria”, çeli një ekspozitë etnografike, që la gjurmë të thella në kujtesën e kohës dhe ka ardhur si stafetë e gjallë etnokulturore dhe historike e brezave deri më sot. Në ekspozitën vetiake “Gjenocidi i Çamërisë” me 350 foto në 40 stenda, që çeli këto ditë në Pallatin e Kulturës “Labëria” në Vlorë pasqyrohet dhuna, vrasjet, persekucioni i pashembullt shoven dhe shtegtimi i mijëra çamëve të përzënë nga vatrat e tyre. Skënder Beqiri dhe Mustafa Suljoti kanë meritën se qysh në vitin 1969 e nxitën folkoristin Fatos M. Rrapaj të mblidhte folkorin e Çamërisë, duke e botuar në një libër voluminoz më vete. Nuk lanë derë çame pa trokitur, që qytet e në fshat, në Vlorë, Fier, Rrogozhinë, Elbasan, Durrës, Tiranë për të mbledhur këngët, ritet, mitet, baladat doket, zakonet e traditat e pasura që familjet çame i praktikonin në jetën e tyre, në dasma e vdekje apo ceremoni të tjera familjare, shoqërorore etj. Edhe pse me 90 vite mbi supe, Skënder Beqiri e flak tutje pleqërinë si ta ketë një pelerinë të grisur, dhe punon me aq vitalitet, si dikur në krah të Fatos M. Rrapajt.
Për lexuesin tonë, po paraqesim tekstin e letrës së datës 31 korrik 1982, ku 30 artistë çamë të Vlorës, i dërguan Drejtorisë së Institutit të Kulturës Popullore Tiranë (Sot Instituti i Antroplogjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit). Ju lutemi ta lexoni letrën dhe ta kuptoni në kontekst, në kohën që është shkruar dhe mesazhet me dritë që përcjell brezave. Teksti i pacensuruar dhe i pa redaktuar (në respekt të parimit fonetik) është sa më poshtë:
“Kemi mësuar nga gazeta “Bashkimi” e datës 18 janar 1982 se gjatë këtij viti është në proces botimi dhe do të botohet vëllimi me këngë popullore nga treva e Çamërisë, mbledhur e pregatitur nga Fatos Mero Rrapaj. Ne jemi dëshmitarë për punën e madhe e vetmohuese që ka bërë shoku Fatos Mero Rrapaj,i cili është i njohur pothuajse nga të gjithë çamët, prej më se tre dekadash dhe që populli i krahinës tonë e thërret me emrin “djali i Çamërisë, ky ka punuar me një durim jashtëzakonisht të madh e me një pasion patriotik të theksuar, duke shkuar në të gjitha qytetet e fshatarat ku janë vendosur familjet çame. Ky duke biseduar me gjyshërit e baballarët tanë si dhe me gjyshet dhe nënat tona për të bërë me të vërtetë një punë kërkimore e shkencore, në kohën që ky vëllim do të dalë nga shtypi, shumica e këtyre njerëzve që kanë dhënë këto të dhëna nuk jetojnë, mbasi mosha e bën të sajën, porse ne bijtë dhe nipërit e tyre duhet ta njohim këtë të vërtetë që paraardëhsit tanë kanë kontribuar me thëniet e tyre. Ne i kemi dëgjuar ata me dhjetra herë nga goja e tyre por do të kënaqemi jashtë mase kur ato thënie do t’i lexojmë në atë vëllim. I jemi mirënjohës për jetë të jetëve Partisë tonë që në çdo kohë dhe për asnjë moment nuk ka lënë mënjanë çdo gjë që ka të bëjë me edukimin patriotik e revolucionar të popullit tonë. Gjithshtu nëpërmjet kësaj letre falënderojmë Organizatën Bazë të Partisë dhe Drejtorinë e Institutit të Kulturës Popullore që planifikoj për ta nxjerrë këtë vëllim sivjet me rastin e 70 vjetorit të Shpalljes së pavarësisë. Kemi besim se edhe tirazhi I saj do të jetë I bollshëm, mbasi që tani njerëzit e kësaj treve pyesin se: “Kur do të dalë vëllimi dhe a do të ketë me bollëk që të marrin të gjithë?”. Gjithashtu falënderojmë autorin e kësaj vepre shokun Fatos Mero Rrapaj i cili është treguar largpamës; jo lokalist që të punonte vetëm për Labërinë ku ka lindur, por edhe për Çamërinë dhe se e nisi në kohën e duhur këtë aksion patriotik, duke e quajtur këtë si jë detyrë të përbashkët kombëtare. Fatosi e ka studjuar dhe e njeh në thellësi e në gjerësi gjithë trevën e Çamërisë nga ana folkorike, gjuhësore dhe historike. Mbas këtij botimi jemi të bindur se ai Institut do të botojë edhe vëllime të tjera folkorike dhe etnografike, për të njëjtën krahinë nga i njëjti autor dhe se shëmbullin e këtij Instituti kemi besim se do ta ndjekin edhe Instituti i Gjuhësisë dhe Historisë. Edhe njëherë duke falënderuar të gjithë ata që ndihmojnë për daljen e këtij vëllimi, i cili padyshim do i shërbej edukimit patriotik dhe revolucionar të popullit tonë nën udhëheqjen e Partisë dhe të Shokut Enver Hoxha. Përshëndetje revolucionare [Në letër shkruhet me emër, mbiemër, vendlindje firma çdo person]: 1. Skënder Beqiri, (Vrohona – Gumenicë), 2. Hajredin Shabani, 3. Jasin Bala, 4. Nuredin Isufi (Arpicë – Margëlliç [të tre]), 5. Servet Iljazi (Volë – Gumenicë), 6. Veli Shabani, 7. Galip Alushi (Arpicë – Margllëç [të dy]), Eqerem Beqiri , (Vrohona – Gumenicë), 9. Mustafa Suljoti, 10. Subi Cano (Arpicë – Margllëç [të dy]),11. Eqerem Iljazi (Aril-Margëllëç), 12. Isa Nuhu (Vrohona-Gumenicë), 13. Osman Zeneli, 14. Nuredin Resuli (Mazrek – Margëllëç [të dy]), 15. Nuh Aliu (Shulash – Gumenicë), 16. Mustafa Muhameti (Arpicë – Margllëç), 17. Vjollca Beqiri (Vrohona – Gumenicë), 18. Gjyslime Hasani(Margllëç), 19.Valentin Ibrahimi (Smokovinë), 20. Ashim Bajrami (Arvenicë – Gumenicë), 21. Mehmet Kalo (Koskë – Filat), 22. Rahmi Telushi (Varfanj – Gumenicë), 23. Sali H. Pirro (Paramithi), 24. Ashim Çukani, 25. Izet Hasani (Aripcë – Margëllëç [të dy]),26. Abaz Nuhu (Varfanjë – Gumenicë), 27. Tefik Suljoti, 28. Gëzim Bala, 29. Hajrie Bala (Arpicë – Margëlliç [të tre]),30. Veli Geraj (Vrohona- Gumenicë)
Vlorë, më 31.7.1982
[Dhe më poshtë, shkruar me shkrim dore: Skënder Beqiri. Përgjegjës i Ansamblit Folkorik “Çamëria”, firma e tij]. Ky dokument që po botojmë ka shumë vlera etnokulturore, jo vetëm se është një material shkrimor original, por për mesazhet me dritë që jep për bashkëpunimin e koordiniminim e punëve të mira të bukura e të dobishme në rrafshin lokal dhe atë kombëtar. Skënderi kujton me mall ato vite bashkëpunimi me Fatosin lab, që puna titanike në shërbim të foklorit e bëri dhe djalë Çamërie. Natyrshëm më lindin këto vargje: “Çamëria – Labëria,/ Lule dege, gjak në rrënjë./ Labëria – Çamëria,/ Janë dy motra bërë një nënë”.
Albert HABAZAJ,
studiues i Etologjisë dhe Folkorit.