Janar-qershor, 14.593 të punësuar të rinj nga zyrat e punës

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin e zhvilluar me drejtues të zyrave rajonale të punësimit:

Shumë faleminderit!

Mbledhja e fundmuajit për qershorin bëhet me disa ditë vonesë për shkak të disa angazhimeve të tjera. Megjithatë, kjo ka pak rëndësi përballë faktit që qershori rezulton muaji më pozitiv qysh se ne kemi filluar të operojmë me metodologjinë e re.Më vjen shumë mirë që për të disatin muaj rresht, të gjitha zyrat kanë realizuar objektivat, një pjesë e tyre kanë tejkalime të rëndësishme dhe një pjesë tjetër kanë tejkalime që kanë kaluar çdo parashikim. Që do të thotë se potenciali në terren është i madh, por edhe që puna e bërë prej jush është serioze dhe meriton të vlerësohet.

Më vjen mirë që për të disatin muaj rresht nuk ka arsye që askush prej jush të largohet nga detyra, përderisa e kemi bërë të qartë që kush realizon objektivin e muajit, jo vetëm që është i sigurt në punën e tij, por meriton të gjithë vlerësimin për punën e tij.

Përgëzoj në mënyrë të veçantë zyrën e Beratit, zyrën e Skraparit, po ashtu, pavarësisht se në numra absolutë janë numra më të vegjël, por në realitet rezultatet janë qartësisht të dukshme në raport me numrin e kërkuar, zyrën e Gramshit, zyrën e Librazhdit, zyrën e Peqinit, zyrën e Gjirokastrës, – për të disatën herë Gjirokastra mbetet në listën kryesore të zyrave me arritje të larta, – zyrën e Përmetit dhe të Tepelenës, që këtë herë kanë arritje vërtet për t’u përgëzuar, zyrën e Korçës, të Kolonjës dhe të Pogradecit, zyrën e Kukësit, që ka një rezultat jashtëzakonisht pozitiv dhe meriton respekt për punë e kryer, të Hasit, po ashtu, të Lezhës, zyrën e Mirditës, zyrën e Pukës, që ka ndikuar ndjeshëm edhe në performancën e përgjithshme për Shkodrën, zyrën e Delvinës dhe zyrën e Sarandës. Këto janë zyrat që kanë rezultatet më të larta, por edhe të tjerat, janë jo vetëm brenda objektivit, por edhe me kapërcim të objektivit. Shpresoj që kjo të konfirmohet si tendencë edhe në muajt në vijim.

Më vjen shumë mirë po ashtu, që duke iu referuar sistemit tonë të taksave, pra, emër për emër për çdo person të punësuar nga maji i vitit të kaluar në këtë qershor, ne kemi 28 324 të punësuar më shumë, formalisht dhe në sektorin jobujqësor.

Kjo është një shifër që, jam i bindur, në atë rrjetin e komentatorëve të ERTV-së do të përqeshet, do të shikohet si gënjeshtër, etj., por është realiteti, siç është realiteti edhe fakti që vetëm përmes zyrave të punës janë punësuar 14 593 persona në këtë 6-mujor. Ky është fakt. Për të gjithë ata që nuk duan të mbeten thjesht te pasqyra e kazanit dhe nuk duan thjesht të jenë në anën e llogores së baltës dhe të përqeshjeve, por duan të bëjnë verifikimin e këtyre shifrave është shumë e thjeshtë, mjafton t’i referohesh regjistrit të Sigurimeve Shoqërore, mjafton t’i referohesh regjistrit të Tatimeve të Republikës së Shqipërisë dhe gjithçka është e lexueshme. Kush ka durim mund të numërojë deri në 641 657 emra.

Qershori ka qenë muaji më pozitiv. Besoj se ka një ndikim të drejtpërdrejtë edhe sezoni, patjetër. Por vlen të theksohet roli i zyrave të punës në cilësinë në rritje të ndërmjetësimeve, ashtu sikundër vlen të nënvizohet edhe ajo që ne kemi folur në çdo takim, se, pavarësisht progresit të bërë me individët e dalë nga ndihma ekonomike dhe pavarësisht vështirësive të mëdha që hasni me individë, të cilët janë mësuar me një “status quo” dhe me një inerci në atë lëmoshën e ndihmës dhe refuzojnë vazhdimisht punë, është detyra jonë, është puna juaj që të këmbëngulni e të këmbëngulni, sepse nuk është faji i tyre për një situatë psikologjike, që, dihet botërisht, jo vetëm në Shqipëri, por kudo, është e ndikuar nga krijimi i një stereotipi për vite të tëra në pozicionin e të mjaftuarit me atë lëmoshën e ndihmës ekonomike.

Në 6-mujor kemi 31 237 vende pune të shpallura. Pra, nëse vendosim bazën krahasuese mes punësimeve të bëra prej nesh dhe vendeve të punës së shpallura, ka akoma hapësirë për të shtyrë fort dhe për të thithur më shumë njerëz në tregun e punës. Edhe pse, ju e dini më mirë nga të gjithë, e jetoni përditë, ndryshe nga unë, ndryshe nga zëvendësministrja apo vetë drejtoresha që e ndjekim këtë situatë, që tregu i punës ka një hall të madh me mungesën e kualifikimeve të caktuara për nevojat e tij. Këtu kemi punë për të bërë për programin e nxitjes së punësimit.

Duhet që programi të ketë transparencë. Duhet që programi të jetë në dijeni të plotë të të gjithë drejtuesve të zyrës së punës, pavarësisht rolit të tyre në përcaktimin e ndarjes së fondeve për këtë proces dhe duhet që të gjithë ju ta ndiqni zbatimin e programit. Është një pjesë e punës që ka rëndësinë e vet.

Thënë të gjitha fjalët e mira, se nuk mblidhemi këtu për t’i bërë qejfin njëri-tjetrit, fjalët e mira duhen thënë, por duhet vënë gishti tek problemet dhe tek nevoja që ta përmirësojmë në vijim performancën e zyrave të punës.

Përtej rezultateve pozitive, së pari, duhet të përcaktohen – kjo është detyrë e zëvendësministres, që dua ta falënderoj shumë për ndryshimin e madh që po udhëheq në këtë sektor, gjë që tanimë vihet re dhe nënvizohet edhe nga partnerët dhe donatorët dhe nga drejtoresha, po ashtu, bashkë me ju, – indikatorët e qartë të suksesit që duhet të lidhen jo vetëm me normën, pra, të gjetjes së punës, por dhe të mbajtjes së punës. Kjo është një pjesë tjetër tani, që është hall më vete dhe prandaj është e nevojshme që zyrat e punës ta kenë këtë në indikatorët e suksesit të tyre.

Së dyti, ka nevojë për qartësim nga ana e zyrës qendrore për procedurat e punësimit, me qëllim që të reflektohen në listëpagesat e bizneseve. Kjo është shumë e rëndësishme dhe këtë besoj edhe ju e keni të qartë. Sfida më e madhe dhe dobësia më e madhe e zyrave të punës sot është në masën, por edhe në suksesin e kontakteve të bashkëpunimit me vetë biznesin. Ju e dini shumë mirë që janë mesatarisht 5%-6% të bizneseve me mbi 5 të punësuar që i referohen zyrës së punës. Që do të thotë nga njëra anë, se është problem për ne, por, nga ana tjetër, që mundësia aty është e jashtëzakonshme. Janë 93%, 94%, 95% e bizneseve që janë të paprekura, të patrokitura nga zyra e punës, ose të trokitura, por pa suksesin e domosdoshëm, që duhet të jetë pjesë e indikatorëve të performancës.

Roli juaj duhet të forcohet në raportet me Inspektoratin e Punës dhe me Drejtorinë e Tatimeve, në funksion të garantimit të një shërbimi sa më të mirë nga këto të dyja për biznesin. Zyrat e punës duhet të jenë të parat të interesuara që biznesi të mos cenohet as nga Inspektorati, as nga tatimet. Nga ana tjetër, edhe për të garantuar punonjësit në raport me kushtet, në raport me rregullat. Nëse ne si shtet, përmes zyrave të punës, bëhemi ndërmjetës për punësimin, arrijmë punësimin, duhet të marrim dhe përgjegjësinë e garantit që po i punësojmë njerëzit në kushte ligjërisht normale, që është një tjetër pjesë e vështirë, sepse ne e dimë shumë mirë që në shumë biznese nuk respektohen rregullat ligjore, nuk iu jepen punonjësve të gjithë ato të drejta që u takojnë me ligj.

Këtu është një rol i dyfishtë, nga njëra anë, mbështetja e biznesit dhe të qenit të hapur për të marrë e për të përcjellë tek ne në qendër ankesa të biznesit për sjelljen, apo për veprimet e Inspektoratit, ose të Tatimeve dhe nga ana tjetër, për të qenë në krah të punonjësve dhe për të garantuar që bizneset të respektojnë të drejtat e tyre.

Bashkëpunimi i zyrave me universitetet dhe me shkollat e mesme profesionale ka nisur, por ka shumë vend për t’u përmirësuar. Ka bashki që nuk kanë mbulim me shërbime punësimi. Atëherë Shërbimi Kombëtar i Punësimit duhet të jetë më pranë tyre dhe duhet ta ndërtojë bashkëpunimin në një sens më proaktiv. Në disa zyra pune, të jemi të vërtetë, ka akoma probleme me standardizimin e procedurave. Zyrat rajonale duhet të jenë më bashkëpunuese, më të përfshira, më orientuese, më transparente me zyrat vendore, për mbarëvajtjen e punës së përbashkët, gjë që jo gjithmonë rezulton se bëhet.

E fundit, lidhet me nevojën që të bashkëpunojmë, por këtë duhet ta udhëheqë zëvendësministrja, për krijimin e një website kombëtar të vendeve të lira të punës. Na duhet patjetër ky mekanizëm, i aksesueshëm nga i gjithë publiku, transparent për të gjithë publikun, i detyrueshëm për kompanitë që t’i publikojnë vendet e lira të punës në website-n kombëtar dhe në këtë mënyrë të krijohet edhe një mekanizëm më shumë, që është edhe ndihmës për zyrat e punës, edhe ndihmës për biznesin, edhe ndihmës për ata për të cilët ne ekzistojmë si Shërbim Kombëtar, punëkërkuesit. Kjo është një ide që duhet çuar tani përpara dhe duhet implementuar. Nuk do të jetë e lehtë, por është e domosdoshme.