I veçanti Estref Kaçi, një fuqi alegorike e Lurës

Nga Ramiz Lushaj

1.
Kacët janë të ardhun në Lurë. Kryehere. Në mesin e mijëvjeçarit të kaluar. Tash pesë shekuj kalendarik. Kjo kohë kaq e gjatë vendbanimore mjafton me thanë dhe ndryshe: Kacët, tashma, janë vendali të atyhit. Ata, në gjithçka të tyren, ndihen e mbeten lurjanë.
Kacët, në fshatin e sotëm Borie-Lurë, fillimisht ngulën rrënjë jete në të majtë të lumit Malla, në një truall livadhor në pronësi të priftit të atyhit, Gjon Llesh Hoti. Vendasit ma të hershëm, Hotët e Borie-Lurës, i pranuan Kacët për “vlla trojesh”. Kjo ka ndodh, sipas dokumentimit të Jashar Kacit, aty nga shek. XVII, rreth vitit 1620. E, Kacët, vllaznia genetike dhe e Istref Ali Kacit, prej kësaj kohe hodhën themele e kulme banimi jetik në Lurën Dheu, Bajrak e Krahinë etno-historike.
Borie-Lura është trualli i pesë vllaznive (fise) të saj lurjane: Hotët, Kacët, Dodëgjini, Bruci, Loka, secili ma trojenik se tjetri e të gjithë të vendosur me toka, banesa e pasuni mbi një truall të lashtë të qytetërimit iliro-arbnor. “Qyteza e Borie-Lurës”, përndryshe “Maja e Qytezës”, e ngritur mbi një kodër shkëmbore konike gjeostrategjike, përballë “Livadhit të Xharrit”, mendohet se i përket antikitetit ilir. Ajo, ndër shekuj, u dëmtua nga pushtuesit e rrënuesit, prej nga muri rrethues i “Qytet-zës” deri tek inventari i enëve, aq sa historia e lashtë ka mbetë veç në legjenda e vizione bashkëkohore.
Aty, në afërsi të fshatit Borie-Lura, nja dy kilometra në jug të Fushë-Lurës, në mbi 1.200 metra mbi nivelin e detit, gjendet “Qyteti i Livadhit të Xharrit” në mbi 10 ha sipërfaqe, në një pozicion mjaft gjeostrategjik vëzhgues e mbrojtës nga çdo sulm eventual i pushtuesve. Ende duken rrënoja të mureve të dikurshme mbrojtëse dhe banesa të shumta të popullatës së atëhershme të ndara në “lagje”, me disa rrugë tërthore në trajtë koridoresh të drejta me gjerësi 3 deri 5 metra, etj. Aty ka pasë dhe kullë vrojtimi, etj. Në qendër të qytetit është një çukë e ngritur në trajtë tume, e thirrun “Çuka e Pashës”, në jug të së cilës ruhen gjurmë të një rruge mesjetare me kalldrem që të udhanis tek Fusha e Pelave, ku sipas legjendës Heroi Kombëtar Shqiptar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu i stërviste kuajt e ushtrisë së tij luftarake. Në jug të vendbanimit, përtej përroit të Mallës, gjendet nekropoli i qytetit. Aty janë gjetë fragmente enësh të ndryshme, që e datojnë këtë “qytet” nga shek. XII-XIV. Faktet, se aty u zbuluan shumë pjesë zgjyre hekuri, se aty ka rezerva natyrore të hekurit, dëshmon se kemi të bajmë me veprimtari metalurgjike të punimit të hekurit në periudhën mesjetare, se legjenda “lurasit ishin farkëtarët e Skënderbeut” është një realitet i asaj kohe i provuar nga ana arkeologjike shkencore në dy shekujt e fundit.
Pas vdekjes së Skënderbeut, pas shkatërrimit nga pushtuesit otomanë të “Qytetit të Livadhit të Xharrës”, shumica e banorëve qëndrestarë lurjanë të atyshëm nga fundi i shek. XV deri në fillim të shek. XVII, u larguan në afërsi territoriale (Brezhdan, Kandërr, Pesiakë, Sheher-Rahonik, Tiranë) deri në treva të jugut të Shqipërisë, por emigrojnë në Greqi e deri Kalabri të Italisë. Mendohet se Giara (Xhara) në Kalabri (afër Katanias) të jetë themeluar nga lurjanët, ku një pjesë e tyre ikën prapë drejt Francës, Anglisë, Irlandës e deri në Amerikë.
Istref Kaci i Borie-Lurës, një nga banorët afër “Qytetit të Livadhit të Xharës”, i ka rrëfyer arkeologut të botës akademike, prof. dr. Adem Bungurit, se në vite të Luftës së Dytë Botërore, oficerë italianë me origjinë arbëreshe kishin ardhë aty me harta në duar për të parë nga afër e në gjithanshmëri vendin e të parëve të vet. Ky është një fakt i njohur dhe nga të moçmit e Lurës në moshë jetese e kujtese asokohe.

2.
Kacët mendohet se prejardhjen rrënjase e kanë nga Koci, një fshat në Lugun e Kojës së Kuçit, nji trevë iliro-arbnore në afri të Medunit, kryeqëndra ardiane e mbretit ilir, Genti. Një trevë e përmendun dhe në defterët otomanë të vitit 1497. Një trevë e sprovuar si “Spartë” e vogël shqiptare në luftërat për mbrojtjen e viseve kombëtare shqiptare nga sulmet aneksuese e asimiluese të malazezëve. Një trevë me klimë mesdhetare mjaft bujare për prodhimtari e me dimna të butë.
Kocët, një pjesë e tyne, thuhet se e kacnin mirë rrushin, pasi ishin të dhanun pas pregaditjes së venës. Njiheshin si tregtarë të mirë. Ndaj, mendohet se kjo degë e shpërngulun pakthim e mbarti dhe mbiemrin e ri: Kaci, i prejardhun nga ky profesion e biznes i tyre dhe formuan në unitet e vazhdimësi vllazninë-fisin e vet të Kacëve.
Kacët, përgjatë shekujve, u larguan nga Koja e Kuçit drejt Ulqinit e Tivarit, drejt Shkodres e Mirditës, drejt Plavës e Gucisë e, së vonit, deri në Amerikën e largët (Detroit e Neë York), tue mbetun fshati shqiptar Koci, sipas ma të fundit rregjistrim malazez të vitit 2011, vetëm në 52 banorë, nga të cilët 48 shqiptarë etnik të besimit katolik.
Në vitin 1571, kur otomanët e pushtuan me luftë të përgjakshme Ulqinin e Vjetër, bregdetar e portual, një nga qëndrat e zhvillimit ekonomik e kulturor të Arbërisë Venedike e të krejt Veriut Shqiptar, një degë e madhe e fisit të Kacëve (Kocëve) pati një shpërngulje të detyruar drejt Shkodrës.
E, pas disa dekadave kryen një tjetër shtegtim të dytë: kësaj here për në Mirditë. Ndalën në Domgjon të Fanit. Aty ndejtën pak. Dikush thotë rreth dy dekada. Ndoshta ma shumë. Gojëdhana thotë se Gjon Kaci në Mirditë i kishte pasë shtatë djemë në truallin e ri. Secili ma i zoti se shoqi. Të shtatë ikën prej andej. A thue, pse…?!
Kolë Gjon Kaci, së bashku me vëllain e tij, Gjinin, qëndruan në Lurë.
Ndreu nuk ndejti gjatë në Lurë po shkoi e nguli jetë vendbanimore në Selishtë të Dibrës, në Llukan. Ata mbajnë mbiemrin e sotëm – Ndregjoni (Ndre+Gjoni). Katër vllaznve të tjerë nuk iu dihet fati i udhës së jetës së tyre shtegëtimtare ndër vise shqiptare.
Barku i Kolës krijoi rremin genetik – Kolkacët, të cilët banojnë në anën e majtë të rrjedhës së Mallës. Aty janë të vendosuna familjet-brezni të Hasan Kacit, Han Kacit, Islam Kacit e Ibrahim Kacit.
Barku i Gjinit krijoi tjetrin rrem genetik – Gjikacët, që banojnë në të djathtë të rrjedhës së Mallës. Aty janë familjet-brezni të Istref Ali Kacit, Dullë Abazit, Sali Osman Kacit.
Në vitet e Demokracisë shumë familje nga Kacët e Borie-Lurës janë shpërngulë në Tiranë. Edhe sot e kësaj dite në Krajë (Mali i Zi) dhe në Shkodër (Shqipëri) ka vllazni me mbiemrin Kaci. Pra, Kacët, nuk kanë ikë pa lanë rrënjë, pa u mbetur gjurmët genetike e historike në trojet e tyre të moçme.
E thamë kryerradhë se Kacët, aty në Borie-Lurë, në dy anët e lumit Malla, gjetën fisin e Hotit, të cilët iu banë vend për truall, për zjarr e tym, për udhë. Për besatim. Po çështja shtrohet ndryshe: Pse gjithë kjo lidhje në mes Hotëve e Kacëve?! E para: e kanë origjinën e vet të vjetër tek e njëjta trevë: nga Hoti e Koja (Koci) në komunën e sotme urbane të Tuzit (Podgoricë), e cila përfshin Hotin, Grudën, Triepshin e Kocin (Kojën). E dyta: këta kanë pasë të njëjtin besim: katolik. Vetëm tetë breza ma herët Kacët në Lurë nisën me i kthye breznitë e veta në fenë muslimane. E treta: Kacët e Hotët kanë pasë armiqë të përbashkët: sllavët dhe otomanët. Hotët e Borie-Lurës janë një fis i madh, me shtrirje të hapët, në shumë barqe: ata të Metës, Baftjarit, Halimit, Selmanit në lagjen Arth; Sulhotët, Alhotët, Cenët në anën e djathtë të rrjedhës së Mallës; të Ramadan Hanit, Xhetan Beshirit, Ramadan e Abas Aliut, Ibrahim Hasanit në të majtë të rrjedhës së Mallës, në përrue të Bories; të Xhemë Xhilit midis Bruçit e Livadheve të Zogjve.

3.
Kacët e Borie-Lurës i kanë disa emra të mirënjohur në historinë e Lurës e atë të Dibres, të Matit e Mirditës, në germa e hapa të Kombit.
I veçojmë dy prej tyre: babë e djalë: Selman Kaci (1820-1892) ma i moçmi, ishte nip i Menëve në Fushë-Lurë e, këta Menët, ishin bajrak i Lurës. Hasan Kaci (1855-1917) ishte një ndër katër djemtë e tij e i bamun dy herë dhandërr – tek Kolë Bibë Doçi në Lurë të Vjetër dhe tek Stafë Ajazi në Arrëmollë të Lurës. Çika e Doçëve ishte katolike po kur hyni në derën muslimane të Kacëve ndrroi emrin e saj nga Ruta në Hava.
Borje-Lura ka dhe një martire qëndrestare, heroinë e flijuar, Xhemile Xhogjega (Kaci), vajzë e Kacëve, e martuar në Gurë-Lurë, të cilën e vranë barbarisht austro-hungarezët në Masakrën e vitit 1916.
Njëherash, Borie-Lura, është dhe vendlindja e Istref Ali Kacit, që shumkush flet mirë për personalitetin, veprimtaritë, alegoritë e tij. Ing. Bardhok Lekë Rajta nga Krejë-Lura e portretizon Istrefin si “luras fisnik, i veçantë, i këndshëm…”. Nipi i tij, Hajri H. Kaci, atdhetar e qytetar emblematik shqiptar, emigrant i suksesshëm në Itali, më thotë se e ka idhull gjyshin e tij.

4.
Lura shquhet për ekuilibra dhe intelekt të veçantë, për një sistem të mrekullueshëm e të sofistikuar për të zgjidhur mirë, besueshëm e me autoritetin e mekanizmave të pleqnarëve e burrave të mençur mosmarrëveshje e konflikte gjithfarësh përgjatë shekujve. Këtë e mirëbanin dhe me ligjet e tyre: “Pesë Kararet e Lurës” të bekuara nga Teqeja e Murat Dedës të Cerenit, nën ndikim të fortë shumëshekullor nga norma të kanuneve të Skënderbeut, të Lekë Dukagjinit, të Maleve të Dibrës, të Has Përnezhës.
Oda lurjane gjithnjë ka qenë një lloj institucioni i rëndësishëm, i paprekshëm, filozofik, popullor, rregullator i marrëdhanieve e problematikave ndërkrahinore, një vend i tubimit farefisnor, miqësor, kulturor. Një rol e peshë të veçantë kanë pasë konaktarët dhe njerëzit e odave, të cilët kanë dalë nga familjet e mira, me vijimësi historike të mirë, që kanë vërtetuar cilësi e kontribute shoqërore për fshatin apo krahinën, që kanë bërë vepra të mira dhe të pëlqyeshme nga njerëzit.
Një ndër këta ishte dhe Istref Kaci i Borie-Lurës. Një burrë i ditur. Shtatëlartë si pishnaja e vendlindjes. I pashëm si bukuria e Lurës së tij.

5.
Në të drejtën zakonore të Lurës ka dhe një kod familjar të mikpritjes. Ai është tepër korrekt dhe veprues. Mikpritja është thelbi i çdo dere, që pret dhe përcjell miq në shtëpi, qofshin të afërt, qofshin të largët. Miku duhej respektuar dhe duhet respektuar dhe sot e kësaj dite. Miku është një nga gjërat më të shenjta të odës së Lurës, ashtu siç është një lloj zoti në Kanunin e Lekë Dukagjinit…Për ta nderuar sa më shumë mikun e shtëpisë, ka pas raste që familja që nuk ka pas një konaktar, një njeri që mundej me i dhënë muhabet mikut, ka kërkuar “plak muhabeti”, qoftë larg apo afër. Gjithmonë në skenë të kohës e në sofër të kullave luriane janë thirrë njerëzit e saj të mendjes.
Një nga këta ishte dhe Istref Kaci i Borie-Lurës. Fjalë të tij mbeten si margaritar të kohës në odat luriane, në brezat e Lurës, në udhët e kohnave shqiptare. Kur ndokush i keqav, i llurbë, a i dreqanon visaret e traditës, punët e shtetit e dertet e popullit të vet, si dje dhe sot, e përdorin shpesh për referencë postulatin:” E ka thanë Istref Kaci…”!

6.
Në këtë udhëtim konstatues e vlerësues për zakonet më bazike në Lurë vërejmë se dyert e njohura, me prijës të mendjes, me fuqi alegorike – janë të shumta. Një ndër ta dhe fisi Kaci, vazhdues të të cilit ka sot në Lurë, Tiranë dhe jashtë Shqipërisë Londineze, është në kryerradhë të krahinës së vet, pra është një nga dyert që ka udhëhequr nëpër ngjarje e rrjedha të ndryshme të zhvillimeve të shumta e të shtrira në kohë në Lurë. Ashtu siç ndodh, të themi me zakonin dhe traditën e këngës, që në treva të Veriut të Shqipërisë Etnike iu këndohet nga rapsodë popullorë me lahutë apo me çifteli këngës trimërore dhe burrërore për njerëz të veçantë të cilën nuk ta këndonte njeri pa e merituar atë, dhe në traditën e respektimit të derës dhe mendjes së njohur i jepej vendi i vet kur e meritonte.
Në këtë kuptim, në këtë linjë, Istref Kaci hyn ndër ata njerëz meritor të mendjes rrezatuese e të fuqisë alegorike në Lurë e jashtë saj.
Kaherë, një kuadër i lartë i shtetit monist të djehit, Neki Leskaj nga Kurveleshi, mik i mirë i Istrefit, e thoshte shpesh gjithandej e për të gjithë: “Sikur një kërcu t’i mbetet Istref Kacit në votër, atij nuk i bjen’ vlera kurrë”.

7.
Sigurisht, patjetër, për ta përfituar titullin moral popullor, për të arritë nderimin e mendjes është një nga gjërat më të vështira, sepse ka një kompleks praktik dhe veprues në situata, ngjarje dhe përplasje të fortë inteligjence dhe mençurie, të cilat kanë vepruar dhe veprojnë ende në trevën etno-historike të Lurës. Jashtë këtij konteksti të njohur dhe shumë emblematik nuk ka qenë kurrë e mundur që të marrësh nderimet dhe vlerësimet, as si derë e parë, as si kanun-ndarës, as si konaktar alegorik, as si burrë i Dheut.
Në konsideratat e njerëzve të shquar të kohënave dhe udhëtarë të huaj, marrëdhënia inteligjente dhe e mençur e socialitetit të Lurës apo të Dibrës është konsideruar një lloj universiteti, aq sa thuhej: “kam mbaruar Universitetin e Lurës (Dibrës)”. E, dihet: në këtë universitet nuk shkohet astenjiherë me pagesë monetare dhe as me rekomandime miqësore. Aty nuk mund të jepen diploma për të gjithë. Aty nuk mund të hyje pa pasë diçka në mendje, pa lanë diçka aty trashëgimi nga mendja jote dhe pa marrë diçka të thesartë me vete, për veti e për të tjerët.
Istref Kaci i Lurës e ka krye shumëfish këtë universitet tue dhanë kontribute e marrë merita, e ka lanë emrin e vet aty dhe e ka mbajt’ lart emrin e këtij universiteti popullor të përjetshëm. Ai, nga ky universitet kishte dhe një “akreditim” të heshtur, pasi ishte një përfaqësues i tij – “ambasador” kulturor e filozofik i tij, në gjithato krahina e rrethe të Shqipërisë Londineze nga brigjet e Drinit e të Vjosës, nga Lura në Tiranë, Vlorë, Shkodër…Gjithkahit.

8.
Për herë të parë për Istref Kacin kam ndie në Lurë në gushtin dhe në tetorin e kaluar, 2014. Në këto data, për mue, ishin hera e parë dhe e dytë që shkoja në Lurë. Ai, atje, përmendej për mirë. Ia kujtonin historitë me humor, krejt filozofi, plot mesazhe. Si përherë, e nderonin këtë njeri atdhetar, të zgjuar, që iu vinte rreth e iu dilte në kryet punëve të tij, që kishte kontribute shoqërore për vendlindjen e kombin e tij.
Në nëntor 2014, para Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, tek stacioni i autobuzit të Laprakës, po rrija me Haziz Istref Kacin kur po e shohim tue ardhë drejt nesh i qeshur Bardhok Lekë Rajta prej Krejë-Lure, një lurjan simbol. Sipas traditës, pasi përshendeti vllaznisht, kuvendoi – ndër të tjera dijenoi: “… për Istref Kacin kam me të fol me shkrim…”. Nuk e kishim para bisedue ndërveti këtë temë, po fjala flatri e nistova me bletue për figurën e Istref Kacit.
Pas disa ditësh, më 16 dhjetor 2014, punëkryemi e fjalëmiri Bardhok Rajta m’i përcjelli me e-mail shenimet e tij, që po i botoj tekstualisht disa fragmente plotore: “…Nuk më ka bashkuar mosha (megjithëse i kam kaluar 65 vitet) me lurasin fisnik Istref Kaci, por në veçanti ka qënë lidhja ime e pandërprerë dhe krenaria e të qënit Lurjan. Pa dashur që të ngrejmë atje ku nuk duhet vlerat e krahinës së Lurës dhe të banorëve të saj, ne – me të drejtë ndjehemi krenarë për historinë e Lurës, për mrekullitë e natyrës së saj (megjithëse të dëmtuara tejskajshëm edhe për përgjegjësi të madhe të çdo lurasi). Në veçanti krenohemi për lurasit me gjurmë në historinë e saj, të Dibrës dhe gjithë Shqipërisë, të cilët kanë qënë, janë dhe do të jenë vlera më e madhe e këtyre trevave për të cilët ka shkruar, shkruan përditë dhe do të shkruajë edhe në të ardhmen historia. Megjithëse që në vitin 1956 kam jetuar në qytetin e Peshkopisë lidhjet me Lurën nuk i kam ndëprerë asnjëherë dhe çdo tre muaj verë i kaloja në fshatin tim Krejë-Lurë pranë gjyshit tim Zef Preng Rajta dhe axhallarëve të mij të paharruar Gjergj e Jak Rajta së bashku me lal Franin e dashur. Meqë ishja djalë dhe fëmijë i vetëm i Lek Rajtës kishja privilegjet e në çdo qëndrim e veprim timin pothuajse isha i paqortueshëm për të mos thënë i përkëdhelur jashtë mase. Në Lurë të Vjetër kisha tezen, Dilën e Mark Ndrec Vladit që megjithëse i kishte rritur tre djemtë jetima mua më vinte mbi ta, me një dashuri të veçantë e them pa cënuar aspak të vërtetën; kështu që unë një pjesë të madhe të pushimeve verore e kaloja pranë tezes time dhe djemëve të saj, Ndrecës që u bë mjek dhe Leninit e Dedës që u bënë oficera. Përshkrimi sa më sipër ka të bëjë me faktin se unë që fëmijë e kishja njohur figurën simpatike të lurasit fisnik Istref Kaci dhe më kishte lënë mbresa veçanërisht kostumi lurjan që mbante veshur me tirq e xhurdinë, me brezin e leshtë; xhamadanin e kësulën e bardhë dhe veçanërisht ato mustaqet tipike të malësorit lurjan që ishin më të bukura dhe të paraqitshme se mustaqet e kajzerit gjerman, sipas meje. Me ecjen përpara në jetë dhe aty nga përfundimi i shkollës së mesme, duke mos i shkëputur lidhjet me Lurën, u njoha edhe personalisht me Istref Kacin, sepse ai ishte një njeri që komunikonte me çdo brez të lurasve dhe veçanërisht me ata me shkollë kishte më shumë dëshirë se duke qënë një tip shumë gazmor i vinte në provë si për fushën e dijeve dhe për faktin në se i ruanin karakteristikat e Lurës. Mua, siç përshkrova më sipër, më kishte hyrë në zemër, shto dhe faktin që unë në Peshkopi kisha njohur edhe Dalip Kacin dhe Llan Kacin, dy vëllezër të veçantë nga njëri-tjetri, por burra shumë të nderuar të fisit Kaci dhe të Lurës. Dhe simpatia e marrdhanjet e mija me Istrefin erdhën duke u bërë më të ngrohta. Pasi mbarova studimet e larta për inxhinieri elektrike (dega elektro-energjitikë) puna më lidhi me zonën e Lurës edhe më shumë, kështu që Istrefin e takoja më shpesh dhe shfrytëzonim këto takime për biseda të ngrohta që atij nuk i mungonin asnjëherë veçanërisht ato hokat e tij thumbuese e plot mirësi…”.

9.
Mendjet e zgjuara në istikame të kohënave dhe me pushtet të lartë moral të shumanshëm në familje dhe në shoqëri si Istref Kaci nuk lindin në terren bosh dhe jashtë traditës, jashtë zhvillimeve dhe praktikave që kanë kërkuar mençuri dhe gjykim të ftohtë dhe të qëndrueshëm. Në këtë kuptim Lura e shpjegon mrekullisht vetveten. S’ka njeri të respektuar si njeri i zgjuar, nëse ai nuk “prodhon” ekuilibër, zhvillim dhe harmoni në shoqëri, në krahinën e vet dhe jashtë saj. Çdokush duhet të ruaj mendjen e vet, genet e tij, sytë e hapat e tij, kohën e vet e ardhmërinë e breznive. Ky ka qenë dhe ka mbetur një rregull i rreptë në Lurë dhe tek njerëzit e saj.
Në shekullin tjetër, dekada ma herët, në Lurë gjallnonte fushata për grumbullimin vjetor të prodhimeve të kooperativës. Të gjithë ishin në kambë. Shtabi i aksionit në krye. Drita i gjente në punë. Nata i çonte në shtëpi. I ngarkuari i Partisë e i Pushtetit për me i ndjek ritmet e frytet e këtij aksioni stinor në Lurë ishte caktue Skënder Dema, kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Dibres. Një njeri që donte të bante punë të mira. Si shkodran e kishte qejf humorin. Si kuadër i lartë i rrethit të Dibrës po mësohej me alegoritë dibrane. Ky, prej kohësh ia kishte ndie zanin Istref Kacit të Lurës. Iu thotë atyne që i kishte me veti në ballë të punëve të ditës se një natë po don me shkue në Borie-Lurë, tek kulla e Istref Kacit, me ndejt kambkryq, gotëzuar e kuvendtar në odën e burrave.
-Kam ndigjue se Istref Kaci e ka fjalën me nënkuptim dhe pse shumë njerëzve ua ka lanë në derë muhabetin, mbasi nuk e kanë marrë vesht` çka iu ka thanë – po u kumton Skënder Dema.
I mirënjoftuni Ahmet Kaçorri, i’ luras, i cili ishte pjestar i grupit (ndërkohë shef i Seksionit të Organizimit në Komitetin Ekzekutiv të rrethit të Dibrës) e njofton Istref Kacin, se nji natë do të vijë kryetari i Komitetit Ekzekutiv në shtëpinë tande. Istrefi gëzohet e i thotë Ahmet Kaçorrit: mirë se të vijë! Ai, Istrefi, kishte një shtëpi me ekonomi të mirë, të ngritur me dije e djersë. I kishte djemtë punëtorë dhe mjeshtër të punës. Ishte një nga shtëpitë më të mirëndërtuara në krahinë, të suvatuar, të mobiluar ma së mirit. Me bukë në arë, në kthina të kullës, në magje, në sofër. Mikëpritës i fortë. Alegorik i rrallë.
Zakonisht në Odën e Lurës kur kishte mysafir miq të largët shkonin dhe njerëz të tjerë të mençur dhe të zgjuar për muhabet në dritë të syrit e në maje të gishtave, në filxhan të kafes e kupolë të shtetit. Sëbashku me kryetarin e rrethit, Skënder Dema, në odën e Istref Kacit të Borie-Lurës shkojnë dhe Gjon Dedë Moriseni, Nezir Buçi, Ahmet Përleka- kryetar i koopertivës në Reç të Dibrës (vjen enkas nga Reçi), Ahmet Kaçorri… Dhe shumë njerëz të tjerë. Gëzimi i mirëseardhjes së tyre dukej sikur ia rriste katet kullës.
Në odën e burrave, si gjithmonë, rrinte e varur çiftelia…Aty, në rrjedhë bisede, Skënder Dema i drejtohet Istref Kacit: -Kush i bjen atij karadyzenit, o Istref? Istrefi po i rrinë gati fjalës së tij e ia kthen përgjigjen logut të burrave të atyhit: -I bjen djali i vogël. -A po na e bjenë këtu e t`i bien njëherë- i thotë Skënder Dema tue e pa në dritë të synit. -Jo nuk bjen ajo çifteli- iu kthye Istref Kaci. -Po pse?!- e dveti Skënder Dema tue u mundue me ia kap fjalën në ajër… -Nuk është akordue mirë. Njëri tel bie në dyzen të epër e tjetri në dyzen të poshtëm…-ia ktheu përgjigjen alegorike Istref Kaci.
Në odën malësore ra një heshtje luriane, universitare luriane, unike. Nga ato heshtjet që fjalën e përkthejnë shqip-shqip, që fjalës i apin udhë, i lëshojnë dritë.
Si gjithmonë, në derën e Istref Kacit këndon gjithçka: fjala e puna, zemra e shpirti, themelet e kulmet e kullës. Jo ma veglat muzikore, të cilat rrijnë plot stoli e melodi, nga çiftelia tek lahuta, nga fyelli tek sharkia…Vet, qëllimisht, arsyeshëm, e kam rendit një foto me ngjyra në kit` libër timin për Lurën e lurjanët. Aty është djali i Istrefit – është Hazizi me lahutë. Aty është dhe nipi i Istrefit – është Hajriu me sharki… Kjo dëshmon se kjo kullë e Istref Kacit ishte e është një orkestër më vete, se ne kit` kullë përcillet tradita brez pas brezi. Po çka ngjau atë natë? A thue nuk mujti me këndue çiftelia në atë kullë, në atë odë, atë natë…?!
Në natje e nesërme, herët, kur kryetari Skënder Dema me të tijët dalin nga shtëpia e Istref Kacit po e dvet troç Ahmet Kaçorrin: -A ma ka fut në ndonjë llaf Istref Kaci?
-Po, disa herë – iu përgjigj Ahmet Kaçorri. Unë po ta them njanin: atë të çiftelisë. Si kujton ti, se nuk binte vërtet’ çiftelia? Po ai të tha me atë fjalë se nuk janë në dyzen “Qeveria” në rreth – në Dibër, me këta vendorët – në Lurë, dhe prandaj nuk ecën ekonomia. Istref Kaci të ka thënë dhe shumë gjana të tjera…

10.
Një herë tjetër në Lurë, zyrtarë të ardhun aty nga Qëndra, si të deleguarit, veç tjerash, po kuvendin edhe për dërgimin e fëmijëve bursista, për shkollimin e tyne në auditoret e dijes së pafundme.
Aty e merr fjalën dhe Istref Kaci i Lurës. Një burrë i zgjuar. Fisnik. Zemërgjerë. I matur. I njohur për alegoritë e tij në përgjati të rrjedhës së Drinit e deri përtej lumit të Shkumbinit: -Djalin tim do ta çoj në shkollë për pilot – iu tha ai të deleguarve të asaj dite, të këtij rasti.
Ai e hodhi fjalën. Ata, në kryevend, s`po dinin me e pritë. Fjala ishte nisë me shkue deri në fund. Ata s`po mujshin me ia lidh kryet muhabetit qyshse në fillim.
-Pse o xhaxha?!- i thotë ai ma kryesori në presidiumin mexhlisor.
-Të bombardojnë disa nëpunës që sillen keq e spiunojnë popullin…
Istref Kaci e hodhi bombën. Dikush apo shumkush nuk po gjejke gropë me u mshef prej këtij bombardimi alegorik.
Ai kuvend, edhe atë ditë, e vuni Istref Kacin në kryevend të ditës.
Pra, në Lurë, si dhe në Dibër, muhabeti alegorik është mjaft i përhapun. Gati në të gjithë hapësirën dibrane në dy anët e Drinit, në shpate të Korabit, në hapësira dibrane në dy shtetet e sotme: Shqipëri e FYROM.
Alegoria është shprehëse e intelektit njerëzor, dëshmi e njerëzve të shquar në Lurë e në Dibër. Pra, muhabeti alegorik është test zgjuarësie dhe intelekti. Nëse do të kërkohej një interpretim i filozofisë popullore, me të cilën gjykohen dhe vlerësohen gati të gjitha dukuritë dhe fenomenet njerëzore në mënyrën e njohur klasike të përbotshme ezopiane, është pikërisht treva e Lurës dhe e Dibrës që e kanë ba ma mirë se kushdo tjetër. Alegoria e Lurës dhe e Dibrës, e cila vjen po përmes muhabetit dhe intelektit të zgjuar, kreativitetit për të përshkuar mjeshtërisht lakonizmin, ironinë dhe groteskun, kanë qenë dhe mbetur një model i përkryer publicistik dhe shoqërorë. Alegoria dhe ezopizmi lurian dhe dibran ka krititikuar ashpër veset e këqija, ngjarjet e pandershme. Gabimet e përsëritura, vjedhjen, gënjeshtrën, pabesinë, imoralitetin, varfërinë, ngatërresat, dasitë dhe shpifjet.
Një interpret i shkëlqyer i të drejtës zakonore, i odës dhe alegorisë së Lurës dhe të Dibrës, ka qenë Istref Kaci, një burrë i njohur, i respektuar dhe i vlerësuar jo vetëm në Lurë, por në Dibër, Tiranë, Vlorë, Skrapar.. dhe në shumë troje shqiptare.

11.
Një shofer kamioni po udhëtonte në rrugën disi të vështirë drejt Lurës, e cila po mbijeton e keqmbajtun në dy sisteme, në komunizëm e në kapitalizëm, e prej kohësh duket sikur të ketë dalë nga bombardimet e një lufte të tretë botërore. Kësaj rruge, në kambë, po ecte dhe Istref Kaci, në moshë të madhe, me trup të drejtë, me hap të shpejtë. -Ku do të shkosh-po e dvet shoferi. -Në Komunizëm?!- ia ktheu Istref Kaci tue e kqyr drejt e në sy. Pritke me iu gjegjë. -Ku është ky “komunizëm”, or shok?!- i tha me përnguti e habi shoferi udhëtarit bashkëfolës. Istref Kaci e pa se shoferit i “iku” për nji çast “timoni i fjalës” ndaj nuk priti kohë me ia porogaç alegorinë e tij. -Në Lurë. Atje njerëzit jetojnë në fresk, punojnë pak e hanë shumë. … ia tha Istrefi përfundin e bisedës po ecë e merre vesht` shoferi e ndokush tjetër filozofinë e saj.
Në fakt komunizmi nuk e ban hisenik të përveçëm kërrkend, as një fshat borie-lurian kaq lart e larg, pasi ky sistem eci me shtetëzimet deri në tepri e nganjëherë deri në çmenduri politike, ekonomike, etj. Po, në koft se komunizmi do t`i jepte Istref Kacit një “parcelë” vetjake për ta ndërtue atë, atëherë duhet me thanë se Istref Kaci e kishte ndërtue kaherë “komunizmin”. Po flasim për komunizmin si koncept, për atë “komunizmin” klasik e ideal, për të cilin dyshja e klasikëve Marks-Engels patën thanë: “të mirat materiale i rrjedhin si lumë”…
Kullat e Istref Kacit në të djathtë të lumit Malla ishin ngritë prej punës së mashkujve e femnave të tyne. Kishin mjaft begati. Plot lumturi. Jo pak krenari. Nuk kishin ndonjë malli për me i përnga dikujt tjetër, përveçse vetëvetes. Ai, Istref Kaci, mirë-diti në gjallje të vet me i mbajtë në kambë kullat e breznive të veta të gjakut e pragut. Mos me iu plasaritë muret. Mos me iu rrëzue gurët. Ai, Istref Kaci, diti e mujti më i rritë katet e kullave e të udhëve të tij. Ai e kishte mendjen e vet të mprehtë, xhepin e vet të randë, sofrën e vet të shtrueme…
Thonë, nëse ma mirë duhet të jesh i ditun apo i shëtitun. Realisht, Istref Kaci i kishte të dyja, njëherësh, përgjithmonë.
Në koft se ndokush do të thotë sot apo nesër se Istref Kaci ishte disi kundër kapitalizmit me kit` thanien e tij alegorike, ai nuk do të ishte i saktë. Përkundrazi: i pa vërtetë. I veçanti Istref Kaci nuk ishte aspak i vonuar në ndërtimin e kapitalizmit praktik, në ndërtimin e “kapitalizmit të tij” në Borje-Lurë, tek kullat e veta, në oborrin e tij, në udhët e tij, në lartësinë e tij.

12.
Nderimi për Istref Kacin, këtë burrë të njohur, vazhduesin e emrit të mirë të Derës së Kacit, është i madh, i jehonshëm, jo vetëm nga familja, po dhe kushdo që e ka njoft atë, kushdo që ka ba muhabet dhe ka kërkue mendime prej tij. Dhe sot e kësaj dite, pavarësisht jetës urbane që po arrijnë të bajnë njerëzit në të gjithë vendin, kujtesa dhe rrëfimet mbi mençurinë inteligjencën dhe cilësitë e Istref Kacit nuk janë harruar. Ato dhe sot e kësaj dite gëzojnë nderimin dhe vlerësimin e njerëzve.
Istref Kaci ishte vizionar. Ai nuk ishte as në kular e as në pazar-e të politikës. Ai, një herë, kah vitet ’80, tue i koknue e kokrrue gjanat e kohës po i thotë përtej merakut të vet një mikut të tij, i pushtetshëm i shtetit, Neki Leskajt: -A thue mbas 40 vitesh do të jetojë emri i Enver Hoxhës?” Neki Leskaj iu përgjigj atij menjëherë, me brumin e mendjes e farën e kohës: -Enver Hoxha do të jetojë gjithmonë!
Istref Kaci i për-jetoi me intensitet dhe mendim të vetin të gjithë ngjarjet politike dhe ato atdhetare të Shqipërisë dhe të Kosovës dardane.
Në një rast tjetër, teksa po flisnin me mikun e tij, Neki Leskaj, për Demonstratat e Vitit ‘81 në Kosovë, ky i thotë se “po i kërkohet ndihmë Shqipërisë” Istrefi ia kthen përgjigjen flaktë: -Një herë të ngrihet vetë Kosova…!
Istref Kaci e ka pasë një shprehje të veten e leksion për të tjerët: Problemin zgjidhe herët kur nyja është e hapët, pa u lodh ajo ngusht e fort”.

13.
Në kujtesen time, tregon Bardhok Rajta, janë shumë por unë do të përmend njëren që nuk e harroj asnjëherë. S i ndihmes mjek në Lurë shërbente një Bilbil Kaca që ishte nga Kishaveci i Dibres. Krahas punës dhe përpjekjeve të tij por edhe për t’u ngacmuar me lurasit që i pranonin edhe shakatë, në një rast kur ishte sëmurë një fëmijë duke mos gjykuar për mjekim iu kishte thënë prindërve: “Jepni çaj mali të zjerë, por pa sheqer” kur këtë mentalieti i zonës nuk e pranonte.
Istefi e dëgjon këtë ndodhi dhe në një rast kur ndihmësmjeku Bilbil i vjen në shtëpi i porosit pjestarët e familjes që të mbushin një gjym të madh me çaj të ngrohtë dhe të mos sillnin sheqer në tavolinë. Dhe kështu u veprua nga familjarët. Kur pas gotës së dytë Bilbili kërkoi sheqer Istrefi i thotë: -Jo doktorr, çajin do ta pish pa sheqer se të ban dam,sepse keshtu ke thanë edhe vetë.
Historite e bisedave dhe humorit dhe hokave të Istrefit janë pa fund por unë dhe shumë moshatarë të mij’ e shumë e shumë luras do të kujtojnë përherë me respekt e nderim fisnikun Istref Kaci për jetën e tij dhe familjen e nderuar që la pas me djem e vajza dhe nipër e mbesa të cilët kudo që janë nderojnë familjen e Istref Kacit, por edhe Lurën tonë të dashur e të shtrenjtë.

14.
Oda e Lurës dhe e Dibrës ka një rregull të fortë, në mexhiliz të gjithë respektohen pavarësisht hierarkisë që ajo ka. Kur njëri flet të gjithë të tjerët e dëgjojnë. Istref Kaci e ka gëzuar gjatë gjithë jetës këtë respekt të odës së Lurës dhe kudo ai ka shkuar dhe ka dhënë e prit muhabet. Atij burri i ka zënë gjithmonë vend fjala, pavarësisht alegorisë së hollë që ai përdorte për dukuri dhe fenomene shoqërore të kohës, që nga ekonomi, mikpritja, veset, politika e çdo gjë tjetër. Tregojnë se kur fliste Istref Kaci oda e burrave heshtëte dhe nderohej prej saj.
Istref Kaci kishte miq të mirë gjithandej. Në rrethet fqinjë me Lurën, pothuaj në të gjithë Shqipërinë. I mikpriste ata në kullën e tij në Borie-Lurë. I kujtonte ata tue ba qindra kilometra e ditë të tana rrugëtime për me ndejtë me ta. Ai kudo që shkonte çonte gëzim. Shpërthenin të qeshurat. Vet Hipokrati, babai i mjekësisë, e ka lanë një thanie të përbotshme: Ma mirë të ban një orë me të qeshura se sa një shportë me ilaçe.
Një mik i tij, vendali i atyhit, borie-lurasi Xheladin Tollja, në monografinë e tij për Lurën fjalathotë për Istrefin: “…Ishte humorist me satirë. Batutat e tij sillnin zgjuarësi e humor në mexhlise burrash. Njerëzit harronin brengat”.

15.
Istref Kaci, shkon një herë për mik në Perlat të Mirditës. Tek një mik i veti. Ai, që e pa nga larg, u gëzue shumë, duke thirrë: -Hajde, bujrum Istref Kaci! Aty, përpara Istrefit, ishin disa pata. Ai i kthehet mikut të vet: -Jo, nuk vi’ dot! -Pse?- e pyeti miku i tij. -Më hanë pata – i thotë Istrefi. Miku i përgjigjet me atë drejtësinë e tij: -S’kam dëgjue se han’ pata njerëz! -Jo, për nder, më ha pata, – i vazhdoi dialogun Istref Kaci. Miku i Istrefit e kuptoi çfarë bëhej fjalë. Tue qeshë, me dorën mbi supe, iu drejtue: -Hajde Istref Kaci se do ta hamë patën! -Atëherë po vij – ia ktheu Istref Kaci.
Një herë tjetër Istref Kaci po shkon në Çidhën të Dibres. Atje kishte mjaft miqasi të kahershme e të reja. Shumë çidhnas donin ta mbanin gjatë në kullat e tyne, në odat e tyne. Ai po don me ikë për në Lurë. Gjen një shteg me dalë: -Nuk mund të rri se vjen xhebraili e më merr se kujton se jam çidhnak.

16.
Familja e Istref Kacit, pasardhësit brezanik, kanë qenë dhe vazhdon të jetë në rradhën e mirë të familjeve të dëgjuara të Lurës, pasi ajo ka pasur dhe vazhdon të ketë njerëz të aftë për të shembëlluar në Lurë dhe më gjërësisht. Emrat e dëgjuar të saj nga Istref Kaci e deri tek nipi i tij, Hajri Kaci – emigrant në Itali, na afrojnë dhe një mundësi të mirë për të pasur një vlerësim të drejtë dhe korrekt për cilësitë që kanë pasur dhe kanë njerëzit, familjet dhe fiset e dëgjuar të Lurës.
Lurasit shquhen për zgjuarsi dhe intelekt për të kuptuar zhvillimet e brendshme dhe më gjerë në kontekstet dhe konditat e arsyeve thelbësore pse dhe si shoqëria krijon konflikte, keqkuptime dhe mosmarrëveshje. Realisht ky është thelbi i çështjeve më të rëndësishme për të cilat ka pasur nevojë shoqëria nëpër kohët kur nuk kishte as ligje dhe as shtet.
E kam njohur njanin prej katër djemëve të Istref Kacit, ma të madhin, Lazamin, një burrë i mirë, i thyer në moshë, i rinuar në shpirt. E njoha atje në Lurë, në tetor 2014, në përurimin e Kishës katolike Shën Maria – vepër bamirëse e biznesmenit lurjan Dod Llesh Doçi, i Derës së Parë të Lurës, një nga biznesmenët shqiptarë më të shquar në të gjitha shtetet e trevat etnike shqiptare në Ballkan. Kësokohe, në këtë rast, Lazam Kaci i dha me zë e figurë një intervistë “Zërit të Amerikës”, gazetarit të saj në redaksinë e Shkodres, Pëllumb Sulo. Bash aty tek kisha e re mbi themelet e asaj të vjetrës para epokës Skënderbegiane. Bash atë ditë kur ipeshkvi i Rrëshenit, imzot Cristoforo Palmiere e bekoi këtë kishë të Lurës. Ai, Lazam Kaci, me diturinë e oratorinë e tij e vlerësoi këtë kishë si një vlerë të shtuar për krahinën e Lurës, si një ripërtëritje e re e traditave e vlerave të përhershme të bashkëjetesës fetare në Lurë, etj.
Në nëntor 2014 po më kallxojnë në bar-kafe “Ulqini” në Tiranë dy djemtë dinjitarë të Istref Kacit, Hazizi e Alia, një histori alegorie të babës së tyne, të ndodhur në fundvitet ’70 të shekullit të kaluar.
Në Lurë, tue iu ngjit malit për lart, Istref Kaci po i fjalaflet djalit të vet:
-Lazam, shko e dorëzoje tezgën (kështu i thoshte teserës së antarit të PPSH) se do të vijnë koha që shumkush do të urrehet pse ka qënë komunist!…
Ai nuk po i thoshte kësisoj djalit të vet për të dëshmue disidencën e tij po prej zemres së plasun kur i shihte disa qëndrime e veprime të padrejta e të padenja të gjithë atyne antarëve të PPSH në krahinë të Lurës, në rreth të Dibrës a të Mirditës, në kryeqytetin e Tiranës, e kudo tjetër në Shqipërinë e asaj kohe. Ai kishte përcjellë gjithato regjime në jetën e tij dhe po e shihte se dhe ky rregjimi komunist i huajtun nga të huajt e i përbaltun nga të vetët po i vinte oroku e dekika me e përcjellë si të tjerët përgjatë shek. XX. Lazami, me atë ndershmërinë e tij, me drejtësinë e besimin e tij, i thotë të atit: -Ç’ka të vijë nga unë asht faji im, ç’ka të vijë nga Allahu nuk asht faji im!
E ky Lazami e kishte mik Llesh Zef Doçin e Lurës, të cilit ia besonte fjalë e djalë, ndaj po ia rrëfen krejt bisedën me të atin dhe po e dvet në vijim të alegorisë babë e bir: -A më ka mujt baba apo e kam mujtë? -Të ka mujtë…- i tha Lleshi tue qesh e i rrahu shpatullat tue e dit’ se të dy kishin në zemrat e tyre rezervat e veta, kritikat e tyre të hapta në publik e të mbyllta në shpirt, për qeverisjen e shtetit monist, të partisë-shtet e në pushtet.
E, po, fjalën e kisha për Lazamin, kur u takuam sëbashku në Lurë, në tetor 2014. Ai, aty tek hotel “Hoti”, në një drekë bujare të rrallë të shtruar nga biznesmeni bamirës Dod Doçi i kompanisë “Lura Group”, ngriti dolli e foli me plot krenari e mirësi. E kishte të duktë mirënjohjen. Ai nuk e la pa i faleminderue dy kryeministra shqiptar të dy shekujve: Mehmet Shehun e Ilir Metën, të cilët e kishin gëzuar Lurën me vizitat e premtimet e tyre. Ai, edhe kur mbaroi dreka e po i pijshim kafet përjashta hotelit, kur shumkush po ikte me makinat e veta drejt Tiranës apo diku tjetër, rrinte në kambë e nuk largohej andej. Ai donte të merrte me veti mysafirë për tek shtëpia e tij e fisme, bujare, bereqetare. Edhe një natë ma para ishte përgadit më i prit mbi njëzet vetë. Ai po rrinte aty në kambë derisa të iknin dhe të fundit miq të ardhun në Lurë për përurimin e kishës Shën Maria. Tungjatjeta e t’u rrit’të ndera o Lazam Fisnikëria, o djali i madh i të madhit Istref Kaci.

17.
Për filozofin popullor, Istref Kacin (1906-1995) kanë një nderim të madh dhe njerëzit e familjes, të cilët e kanë një lloj shembëllimi të domosdoshëm, një lloj orientimi të tyre në jetë. Djali i tij, Haziz Kaci mbi 70 vjeçar e që duket sikur të jetë mbi njëzet vjet ma i ri, na thotë se baba i tij, Istref Kaci, “ka pas konsideratë të lartë për Zogun si shtetar”. E argumenton dhe pse-në? Se bani ligje të mira, se mbajti nderen e Kombit…
Istref Kaci që gëzonte vlerësime e nderime për Mbretin Zog nuk do të thotë se lindi apo ndrroi jetë si zogist. Jo. As për ndonjë tjetër. Jo.
Istref Kaci lindi e ndrroi jetë si Istref Kaci dhe mbeti i tillë edhe sot e në motmote si Istref Kaci.
Në të gjithë cilësitë e Istref Kacit ishin skalitë cilësitë e vetë Lurës, me të gjitha ato që ajo kishte treguar dhe kishte përfituar nëpër kohë.

18.
Istref Kaci ishte një luras tipik. Ishte një burrë i mençur, një i parë shtëpie i zoti, i cili e nderonte mikun dhe nderohej nga miqtë e tij të shumtë në Lurë, Dibër, Mirditë, Tiranë, Vlorë, Skrapar, Shkodër… dhe gjithë ku shkoi dhe këdo priti në shtëpinë e tij.
Istref Kaci kishte një kujdes të madh për edukimin dhe trajtimin e fëmijëve, për t’i përgatitur ata për familjen dhe jetën. Ai ka lënë katër djem dhe tri vajzë, gjithashtu ka lënë pas dhe 23 nipër e mbesa. Përveç djalit të madh, Lazamit, të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes janë me banim të ri në Tiranë. Një pjesë kanë emigruar jashtë Shqipërisë.
Në nderimin dhe vazhdimin e traditës së familjes Kaci është dhe Hajri Kaci, nipi i Istref Kacit, një vazhdues dinjitar e i fismë i punës së ndershme të familjes, një vazhdues tribunal i atdhetarizmit të kullës e trevës së vet, i traditës së një familje të punës dhe ekonomisë së mirë, një mbështetës i shquar i aktiviteteve kulturore artistike, të librave dhe kulturës shqiptare.
Dera e njohur Kaci, nga Istref Kaci deri tek Hajri Kaci, ka një histori të gjerë dhe të rëndësishme për Lurën dhe Dibrën. Ajo i vjen në vlerë të kaluarës dhe të sotmes së familjes, Lurës, Dibrës. Shqipërisë. S’ka si të ndodh ndryshe: genet nuk hupin në kohë, ato mbeten në histori, bajnë histori.

Tiranë, janar 2015