Në Shqipëri një tërmet me intensitet 5.1 gradë të Shkallës Richter u rregjistrua sot në orën 11.01 minuta, me epiqendër në zonën e Hamallajt dhe Gjirit të Lalzit, 31 kilometra në veriperëndim të Tiranës. Lëkundja e parë u shoqërua me dy të tjera të një intesiteti pak më të ulët, ndërkohë që sipas sizmiologëve shqiptarë janë regjistruar mbi 22 lëkundje deri 45 minuta pas së parës.
Tërmeti u ndje jo vetëm në Tiranë dhe Durrës, por dhe në qytete të tjera të vendit, ku janë rregjistruar dhe dëme të lehta në disa banesa. Ndërkohë që lëkundjet shkaktuan panik mes qytetarëve. Ishin të shumtë ata që zgjodhën të braktisnin shtëpitë apo zyrat për të qëndruar jashtë në mjedise të hapura.