Një anketim i kryer nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, nxjerr në pah se papunësia, korrupsioni dhe varfëria vazhdojnë të jenë tri problemet më të mëdha për qytetarët e Kosovës.
Këto të dhëna janë pjesë e anketimit me emrin Pulsi Publik i kryer nga ky program me 1 mijë e 305 qytetarë në të gjitha komunat e Kosovës.
Anketa tregon një rënie të përgjithshme të kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e shumicës së institucioneve kryesore ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore në Kosovë, me përjashtim të punës së parlamentit dhe të presidentit që nuk kanë shënuar ndryshime nga matjet e vitit të kaluar.
Udhëheqësi i projektit, Atdhe Hetemi, tha se rënia e kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e institucioneve kryesore, pasqyrohet edhe në perceptimet e të anketuarve për drejtimin aktual politik të Kosovës.
“Rreth 50 për qind e qytetarëve të anketuar janë të pakënaqur ose shumë të pakënaqur me orientimin politik që ka Kosova, ndërsa vetëm 12 për qind e tyre kanë thënë se janë të kënaqur me orientimin politik që ka marrë vendi”, tha zoti Hetemi.
Raporti vë në pah se gati 80 për qind e qytetarëve nuk besojnë në meritokraci kur bëhet fjalë për t’u punësuar në institucioneve të ndryshme.
“Nga të anketuarit, 78 për qind besojnë se lidhjet familjare, ryshfetet, aleancat partiake dhe faktorët tjerë jo meritorë janë më të dobishmit për sigurimin e punësimit në sektorin publik. Vetëm rreth 22 për qind e qytetarëve të anketuar besojnë se edukimi, trajnimet e ndryshme apo përvoja në punë luajnë rol në punësimin e tyre”, tha zoti Hetemi.
Raporti vë në pah po ashtu se qytetarët në Kosovë nuk ndihen të fuqishëm për ta ndryshuar situatën në vend. 43 për qind e të anketuarve besojnë se vota e tyre nuk mund ta ndryshojë situatën dhe vetëm 32 për qind besojnë se vota e tyre ka ndikim.
Anketa e UNDPO- së mbledhë të dhëna mbi mendimet e qytetarëve për institucionet e Kosovës, me përqendrim në çështjet politike, ekonomike, të sigurisë, dhe ato zhvillimore. Anketa e publikuar të martën përfshinë periudhën ndërmjet tetorit të vitit 2017 dhe prillit të këtij viti.