Një shqiptar është konsideruar si hero në Itali, pasi i ka shpëtuar jetën e një nëne bashkë me vajzën e saj të mitur, teksa banesa e tyre ishte përfshirë nga flakët.
Ngjarja ka ndodhur në Livorno, kur shqiptari Nertil Qato u zgjua nga gjumi pas thirrjeve për ndihmë, pasi kishte rënë në zjarr në një banesë në katin e parë të një ndërtese. Ai mori shkallën që ndodhej në pjesën e pasme të furgonit të tij dhe u ngjit në banesë, ku shpëtoi fillimisht vajzën 14-vjecare dhe më pas nënën e saj.
“Dëgjova një shpërthim dhe dola jashtë. Pashë banesën që ishte shembur pjesërisht, flakë dhe tym të zi. Dëgjova një thirrje për ndihmë dhe nxitova. Vendosa shkallën dhe u ngjita në katin e dytë. Aty nuk dukej gjë për shkak të tymit të zi dhe flakëve. Por dëgjova zërin e një vajze, e mora në krahë dhe e zbrita poshtë. Më pas mora edhe nënën e saj” – ka treguar shqiptari për mediat italiane.
Veprimi i 31-vjecarit nga Berati ka tërhequr vëmendjen e komunitetit si dhe të kreut të bashkisë së Livornos, Filippo Nogarin që i ka dorëzuar atij një çmim special dhe i ka premtuar përshpejtim të procedurave për t’u pajisur me leje qëndrimi apo edhe për të marrë shtetësinë italiane.
“Nertili ndodhet këtu prej 6 vitesh. Është mjaft punëtor dhe ende nuk ka nënshtetësinë sepse ligjet parashikojnë se duhet të ketë të paktën 10 vite leje qëndrimi. Më kujtohet veprimi i presidenti francez që vendoi t’i japë shtetësinë një qytetari nga Mali, pasi shpëtoi një fëmijë. Do doja dhe unë të bëja diçka të ngjashme”- ka thënë kreu i bashkisë së Livornos./lapsi.al