Nga Nikollë Loka
Në hovin ëndërrimtar,
drejt Lindjes ike Ti,
Lindja kishte etje
për ditë,
hingëllin
ëngjëllori dori
dhe trokun e ndal
në të njëzet Aleksandritë.
Hingëllin ëngjëllori kalë,
ëndërron mbi malet
kreshpëruar,
Ti në vend të shpatës
mban pishtar,
një pishtar të ndezur
mban në duar.
E djeg në pishtar
atë errësirë lanete,
dhe dritë shpërndan
para diellit,
në njëzet Aleksandritë
dritë çove me vete,
veç ëndërrën e ruajte
dhe s’ia fale as qiellit.
Brenga e Olimpias
Ty vrullin ta përpin
e një vegim ta shton
hovin ëndërrimtar.
Tejkalove kohën,
kapërceve njeriun,
se në vend të shpatës
në duar mban pishtar.