Nga përgatitjet për vitin e ri mësimor

LIBRAT PRANË NXËNËSVE

Viti mësimor që sapo është mbyllur në shkollat shqipe në Itali kishte disa arritje të veçanta në krahasim me vitet e mëparshme. Përveç rritjes së numurit të shkollave dhe të nxënësve që i frekuentojnë, për herë të parë u arrit që të zhvillohej edhe seminari me mësuesit e këtyre shkollave. Ky seminar, i cili u zhvillua në qytetin e Parmës, si rezultat i bashkëpunimit të komisionit të arsimit të Federatës FNAI dhe shkollës “Scanderbeg”, shënoi një hap të madh cilësor në aspektin organizativ dhe në atë të mësimdhënies.
Tani në të gjitha shkollat e hapura nga shoqatat anëtare të FNAI-t, por edhe ato jashtë saj, që u janë afruar e bashkuar të parave, po bëhen përgatitjet për vitin e ardhshëm mësimor që fillon në vjeshtë. Mësuesit dhe shoqatat përgatisin programin, prindërit dhe fëmijët pas festave për mbylljen e vitit që kaloi presin me kënaqësi festat e startit të vitit të ri.
Një shijim paraprak i kësaj atmosfere u bë dje në qytetin e Modenas, ku kishin ardhur disa kryetarë shoqatash, mësues e aktivistë të FNAI-, por edhe të shkollave të tjera. Presidentja e shoqatës “Nënë Tereza” në Modena, Danaida Delaj, ndonëse ishte ditë e diel organizoi mikpritjen e rastit për këtë moment të veçantë e të gëzuar, shpërndarjen e librave që ata të arrijnë që tani pranë shkollave dhe nxënësve.
Për të ardhur deri këtu librat kanë bërë një rrugë të gjatë e jo pa peripecira e pengesa absurde burokratike. Nëse vitet e tjera shoqatat dhe shkollat kanë shkuar deri në ambasadë në Romë për të tërhequr librat, këtë radhë u punua që librat të arrijnë sa më pranë shkollave, pa atë odise të gjatë udhëtimesh e shpenzimesh. Për këtë duhen falënderuar në mënyrë të veçantë drejtoresha e Ministrisë së Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Donika Hoxha, drejtoresha e arsimit për diasporën pranë Ministrisë së Arsimit, Anila Ferizaj Avdia dhe e palodhura Ariana Kosova, anëtare e komisionit të arsimit të Federatës FNAI, mësuese e shkollës shqipe në Macerata dhe presidente e shoqatës së re që ajo ka krijuar me studentë në qytetin e bukur të Macerates. Kontributi i kësaj intelektualeje të spikatur ka qenë i një rëndësie të veçantë. Ajo është marrë personalisht me tërheqjen e librave të rinj të shtypur për shkollat shqipe në diasporë. E nuk ishin një çantë me libra, por 2000 libra të sistemuar në dhjetra e dhjetra kuti kartoni, transportimi i të cilave deri në Itali paraqiste vështirësi jo të vogla. Por Ariana është nga ata njerëz me dashuri e pasion për profesionin e me ndjenja të thella atdhedashurie, që nuk ndalen përpara asnjë vështirësie. Ajo, ndonëse e vetme në këtë sipërmarrje, zgjodhi rrugën e sjelljes së librave me traget deri në Ancona. Secili nga ne që ka udhëtuar me traget i di praktikat e procedurat që duhen kaluar, qoftë edhe kur jemi me automjetin vetjak. Kurse Ariana kishte një ngarkesë jo me mallra e plaçka të zakonta, por një pasuri me vlera të veçanta, nga ato që të kujtojnë disi “Udhën e shkronjave”. Me ndjenjë të lartë përgjegjësie ajo i ka shoqëruar librat, duke i përballuar e vetme procedurat. E në portin detar në Ancona asaj i është dashur të verë në provë jo vetëm durimin, por edhe forcat e saj fizike, për shkak se një burokrate shqiptare po sillte pengesa absurde për kalimin e librave, ndonëse të gjitha pakot ishin shoqëruar me dokument dhe vulë të Ministrisë së Jashtme. Pesë orë nën diellin përvëlues të portit. Pranë saj edhe një mik italian, prind i shoqes së universitetit të Arianës, Maurizio Angeloni, i cili është ofruar të ndihmojë me furgonin e tij për transportimin e librave deri në Macerata. Madje jo vetëm kaq. Por pas shpërndarjes së librave që Ariana ka bërë për shkollat dhe shoqatat e zonës përreth Anconas, ai është ofruar të vijë me furgonin e ngarkuar me libra deri në Modena. E në këtë ditë gëzimi ka sjellë edhe vajzën e tij, Marien.
Në Modena arrijnë nga zona të ndryshme drejtues e aktivistë shoqatash. Nga Arco zbresin Fatmir Hoxha e Gentian Koçi, të cilët tërheqin librat për shkollat e zonës. Nga Rovereto vijnë kryetarja e komisionnit të arsimit të FNAI-t Cristina Xhakolli dhe bashkëshorti i saj Renzo Bonafini, dashamirës i përhershëm i aktiviteteve dhe arritjeve të federatës sonë, pjesëtar të së cilës ai e ndjen veten që në fillim. Nga Reggio Emilia vijnë presidenti i shoqatës “Shqiponja” Haki Maze dhe aktivistja e palodhur Valbona, nga Trento presidentja e shoqatës “Acdait Teuta”, Leonora Zefi, nga Modena edhe mësuesja dhe instrumentistja Monika Bekolli e aktivistja Elona Ze. Ja tek vjen nga Parma edhe drejtori i shkollës “Scanderbeg” i mirënjohuri e i palodhuri Durim Lika. Ndonëse ka patur disa fundjava të ngarkuara me një sërë aktivitetesh dhe me emocionet që sjellin ato, ai dëshiron të jetë në këtë moment kur shpërndahen librat e rinj për shkollat. Vijnë edhe nga Asti në Piemonte përfaqësues të asaj shkolle që ka bërë jehonë që në ditën e krijimit të saj.
Disa nga pjesëmarrësit tërheqin libra edhe për shoqatat apo shkollat që kanë afër territorit të tyre, por që nuk kanë mundur të vijnë në këtë ditë. Personalisht pata kënaqësinë që të takoja e të dorëzoja librat në Padova tek mikja dhe kolegia e nderuar, Erida Çela Perlala për shkollën në Montegroto Terme, e cila i tërhoqi librat edhe për shkollën e shoqatës “Lidhja e Prizrenit” në Treviso, si dhe tek mikja Ermira Kadia Parruca, e cila tërhoqi librat për shoqatën “Besa”. Lidhemi në telefon me Nertila Bashën në Rovigo edhe për dorëzimin e kontigjentit të librave për shkollën e shoqatës së tyre.
Një e diel e bukur, mes miqsh e kolegësh, që pati emocionet e saj, si prolog i vitit të ardhshëm mësimor të shkollave shqipe në diasporë.

Ndue Lazri