Çështja ‘’Teatri’’ dhe sinqeriteti i rremë i Kryetarit të Bashkisë

Nga Gëzim ZILJA

Në dëgjesën e fundit të organizuar nga kryetari i bashkisë së Tiranës kishte të ftuar gjithandej, madje dhe një arkitekte-gjinkallë që kishte studio private e fliste kodra pas bregu, por vetëm përfaqësues nga Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK) nuk kishte. Është institucioni, që duhet të shprehet i pari ( të paktën formalisht) nëse Teatrit Kombëtar me të gjitha godinat e ndërtuara në projektin italian para vitit 1944, gjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit janë Objekte të Trashëgimisë Kulturore ose jo? Mirpo ashtu si dhe në rastin e Stadiumit Kombëtar, IMK-ja mungoi dhe nuk e tha fjalën e saj. Problemi po trashet çdo ditë dhe palët po kthehen në ‘’armiq për vdekje’’ me sulme e kundërsulme, me fyerje, sharje e mallkime. Shumë aktorë dhe qytetarë mendojnë, që po në atë truall të ringrihet godina e vjetër me ndonjë plotësim, pa i humbur identitetin, e pa i falur as një cm2 privatit. Nga ana e qeverisë dhe përkrahësve të saj mendohet të ndërtohet një godinë e re moderne, por bashkë me të edhe disa kulla në territorin e teatrit. Dje doli kryetari i bashkisë dhe tre përfaqësues të aktorëve dhe thanë se jemi dakord të ndërtohet teatër i ri, pa cenuar sipërfaqen e të vjetrit. Si nën zë kryetari theksoi se projekti tashmë është i caktuar nga bashkia, pa kulla. Nëse nuk do të ketë kulla atëherë nuk ka dhe partneritet privat publik (PPP). Rrjedhimisht financimi do të bëhet me para publike! Këtu fle lepuri!
Në një shtet normal ku puna pret, (nuk jemi në luftë) fillimisht parashtrohet ideja e ndërtimit të një teatri të ri. Organizohet një diskutim i gjerë ( dëgjesa, thonë) me palët e interesuara, me përfaqësues të spikatur të kulturës, artit, historisë, urbanistë e arkitektë. Madje edhe organizimi i një referendumi do të ishte shumë mirë. A flasim për kulturë, për dije, për teatër? Atëherë le të dëgjojmë me dashuri e gjakftohtësi njëri-tjetrin e të mos urrehemi kaq shumë. Le të mendojmë se është rënë dakord për ndërtimin e një teatri të ri sikundër u tha dje?! Pastaj të shikohet mundësia e financimit. Por jemi para faktit që projekti është gati dhe P.P.P-ja është gati. Po kujt i hyjnë në punë atëherë këto dëgjesa as mish e as peshk, të llojit ma çorre ta çorra, këto marrëveshje të pjesëshme, ku fshihet diçka e frikshme dhe sigurisht jo e ndershme? Me ligj në Republikën e Shqipërisë paratë publike tenderohen në çfarëdo shume që të jenë caktuar. Vetëm në rastet e objekteve të rëndësisë së veçantë, ose që kanë të bëjnë me Sigurimin Kombëtar përdoret prokurimi i drejtpërdrejtë. Teatri Kombëtar nuk është Objekt i Sigurisë së Veçantë dhe ndërtimi apo ristrukturimi i tij nuk cenon Sigurinë Kombëtare! Sjellja e projektit të gatshëm nga kushdo qoftë (Edhe nga Zeusi vetë!) është në kundërshtim të hapur me Ligjet e Shtetit Shqiptar për Prokurimet Publike. Paraqitja vetëm e një projekti (si u veprua me stadiumin) dhe dalja e një arkitekti të huaj pambarim nëpër TV, që të na mbush mendjen se paska bërë një kryevepër është abuzim! E kush do të ishte ai arkitekt që do të shante krijesën e tij, kur bëhet fjalë për të mbushur xhepin pa konkurrent? Këmbëngulja nga ana e Kryetarit të Bashkisë me lloj-lloj sofizmash se ky është arkitekti më i madh në botë, se ka bërë aq e kaq projekte, është sa abuziv aq dhe qesharak. Sepse unë do të mendoja: Si ia bëjnë në Australi, Europë, Amerikë, Afrikë e Azi ku çdo vit ngrihen me qindra e mijëra teatro të cilët, nuk kanë fatin e madh të njohin këtë austriakun? Në vendet demokratike as që bëhet bëhet fjalë që të caktohet nga Kryetari apo Ministri, firma që do të bëjë projektin (aq më shumë ta ndërtojë) e një vepre me para publike. Përndryshe ai veprim përbën vepër penale! Shqiptarët e interesuar duhet të kishin në dorë të paktën pesë e gjashtë projekte dhe komisioni i ngritur posaçërisht të zgjidhte atë më të mirin, me më pak shpenzime, duke zbatuar rigorozisht ligjin për prokurimet publike. Por procesi nuk përfundon këtu.
Pasi të mbarojë tenderi i projektit dhe të shpallet fituesi, duhet të organizohet tenderi tjetër për ndërtimin e Teatrit të Ri. Caktimi i firmës ndërtuese pa tender, është sërish në kundërshtim të hapur me Ligjet e Shtetit Shqiptar për Prokurimet Publike. Eksperienca tregon se me prishjen e Stadiumit Kombëtar dhe rindërtimin e tij, janë shkelur Ligjet e Prokurimit Publik të Republikës së Shqipërisë. Caktimi i projektuesit dhe ndërtuesit nga qeveria pa asnjë tenderim dhe shpallja e arkitektit italian,‘’hero ndërkombëtar’’ si i vetmi në botë, që mund ta bënte projektin e Stadiumit Kombëtar nuk ka kuptim. Ose ka kuptim por mban sërish erë të keqe. A thua në botë nuk ndërtohen stadiume se këto i bën vetëm ‘’kapedan’’ Monti!? Edhe me rrafshimin e pronës publike te ‘’Rruga e Elbasanit’’ (Shtatë Xhuxhat) ka shumë anë të errëta. Grykësia e privatit ka arritur sa të rrëmbejë edhe gjysmën e trotuarit, duke i detyruar këmbësorët kryeqytetas të ecin qindra metra në rresht për një, si milingona e buburrecë.
Teatër të ri nuk ka shqiptar që të mos e dojë, të mirë, të bukur, funksional dhe koha për një e më shumë të tillë ka ardhur. Por ligjet nuk ka të drejtë t’i shkelë asnjë! Më keq ende do të ishte hartimi dhe miratimi i një projektligji të ri në parlament vetëm për ta favorizuar privatin, që paska ardhur me para në dorë ‘’për të mirën’’ e bashkisë e të Tiranës. Dhe më tej: gjithë ajo Qendër e Re Urbane, vetëm dy kilometra më tej, në vazhdim të Bulevardit Zogu i Parë, që po trumbetohet si sukses i paparë a nuk do të mund të zbukurohej me një teatër modern me drita, xixëllonja me kate e mbikate, madje edhe me tollumbace? Agresiviteti, arroganca, nxitimi e fjalori i përdorur nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, ndaj kundërshtarëve politikë ose jo, nuk shkon. Sa për P.P.P-të e trumbetuara nga qeveria, janë si historia e gomarit të Nastradinit. Por sa tu dalë tymi, o ka ngordhur gomari o i zoti!