EMRI JETËPËRTËRITËS

(Iu dua sa gjithësinë o nënat e fshatit tim.)

Nga Ndue LLESHAJ

Atje
përditë
kacafytej
jeta me skamjen
se kodrat qenë të thata
e, prej kohësh terrtonte nata.

Ama
me thonj
me dhëmbë
jetën e mbajtën në këmbë
e nuk shterroi.

Aleatët,
male përqark,
nga moti në mot
e sajdisnin me dhurata
si zana, zana mali,
lule e flutura
sojnike,
punëtore,
të pastra e të bukura.

Ata
fruta dhanë,
fruta të shëndosha mbushur me farë,
ndaj jeta kurrë s’shterroi
ringjallej pandarë.

Jeta,
që s’ shterroi
s’i përfilli dimrat
shpërtheu, sythëzoi
e i rinoi breza.

Breat
përparuan
ngado që shkuan.

E,
brez pas brezi,
zanat, lulet a fluturat
që jetën rinuan
u falëndruan
u nderuan
u respektuan
aq sa u hieshuan
e hieshimi shkëlqim dha,
shkëlqim diellor e përarim hënor,
sa kujtdo në kujtesë i ra
emri jetëpëtrirës
emrin hyjnor
nënë.
Emri nënë,
që,
çdo vend,
si vendin ti,
a, sado i vështirë
e bën të begatë
e bën të mirë.