New York, 23 qershor 2018 – Ishte këmba e djathtë e Xherdan Shaqirit që bëri titujt para ndeshjes të premten, por ishte këmba e tij e majtë dhe duart e tij, për të cilën shkruan gazetat pas përfundimit të ndeshjes, raporton ‘The New York Times’.
Goli i Shaqirit në minutën e 90-të, në një fitore 2-1 kundër Serbisë ishte akti përfundimtar i një ndeshjeje dinamike. Ishte gjithashtu një lojë e dominuar nga çështjet e identitetit dhe përkatësisë, të luftës dhe të paqes.
Tre lojtarë të formacionit fillestar të Zvicrës, duke përfshirë edhe të dy golashënuesit e të premtes, kanë lindur ose kanë rrënjë në Kosovë, një krahinë etnike shqiptare që luftoi për pavarësi kundër forcave jugosllave të mbizotëruara nga serbët në fund të viteve 1990.
Shaqiri nuk ishte shmangur kurrë nga rrënjët e tij. Para Kupës së Botës, ai postoi një foto në llogarinë e tij në ‘Instagram’ duke treguar atletet që do t’i mbathte gjatë turneut. Në thembrën e atletes së majtë ishte flamuri i Zvicrës. Në të djathtë flamurin e Kosovës.
Pra, pasi Shaqiri u lirua nga kurthi i pozitës jashtë loje të Serbisë në minutat e fundit të lojës e goditi topin me këmbën e tij të majtë, me atleten zvicerane, nën këmbën e portierit të Serbisë, Vladimir Stojkoviç, ai u largua dhe me dy duart e tij bëri simbolin e shqiponjës.
Është një simbol nacionalist që shumë shqiptarë e bëjnë – Granit Xhaka e bëri atë pasi shënoi golin e parë të Zvicrës në fillim të pjesës së dytë, për të imituar shqiponjën e zezë në Flamurin e Shqipërisë.
I pyetur për gjestin pas ndeshjes, Shaqiri tha: “Në futboll ju keni emocione. Ju mund të shihni se çfarë kam bërë. Ishte thjesht emocion”.
Ndikimi më i madh i golit të Shaqirit në minutat e fundit ishte për të forcuar garën për dy vendet e para në Grupin E, që sjell vazhdimin në raundin tjetër. Brazili, i cili mundi Kosta Rikën më parë gjatë ditës dhe Zvicra kanë nga katër pikë, kurse Serbia ka tre, duke e bërë ditën e fundit të ndeshjeve në grup të mërkurën, një dramë të jashtëzakonshme. Serbia dhe Brazili do të përballen në Moskë në të njëjtën kohë kur Kosta Rika dhe Zvicra do të takohen në Nizhny Novgorod.
Ndërsa, Serbia dhe Zvicra luftuan në fushë të premten, lidhjet me të kaluarën ishin kudo që shihnit. Shaqiri dhe Valon Behrami, mbrojtësi zviceran, kanë lindur në Kosovë. Ata ikën me familjet e tyre kur situata ekonomike dhe politike u përkeqësua.
Behrami ka një tatuazh të madh të flamurit të Kosovës, për dallim nga ai i dekoruar i Shaqirit. Xhaka ka folur në mediat sociale rreth identitetit të tij shqiptar-kosovar. Lojtari i katërt zviceran, Blerim Xhemaili, ka lindur në Tetovë, një qytet me shumicë shqiptare në kufirin Maqedoni-Kosovë.
Secili prej lojtarëve kishte dhënë mbështetje për një ekip kombëtar të pavarur të Kosovës, Shaqiri në një moment madje sugjeroi se mund të luante për të, nëse kjo do të ndodhte ndonjëherë, duke i zemëruar shumë në Zvicër, të cilët e pyetën për besnikërinë e tij ndaj vendit të tij adoptues.
“Nëse ai e do Kosovën aq shumë dhe nuk humbet kurrë një shans për të valëvitur flamurin, pse ai refuzoi shansin për të luajtur për ekipin e tyre?”, tha sulmuesi i Serbisë, Aleksandar Mitroviç, kur u pyet për atletet e Shaqirit.
Kur ekipi kombëtar i Kosovës u njoh zyrtarisht në vitin 2016, FIFA njoftoi se kushdo që kishte luajtur në një turne dhe që përfaqësonte një komb tjetër nuk mund të largohej, duke përjashtuar lojtarët kosovarë të Zvicrës.
Sa për dy trajnerët në ndeshjen e së premtes, ata u lindën 70 milje larg, në Bosnje dhe as nuk dukeshin të interesuar që të diskutonin për tensionin nacionalist në përballjen e ekipeve të tyre.
“Siç e kam thënë njëqind herë, më lejoni të them atë për herë të 101-të”, tha Mlladen Krstajiç i Serbisë para ndeshjes, “Nuk jam në politikë”.
Megjithatë, politika nuk ishte larg të premten, dhe Kosova, edhe pse nuk po lunate, mbetet një çështje e vazhdueshme. Serbia e sheh Kosovën si pjesë të territorit të saj dhe historisë së saj. Kur Serbia fitoi ndaj Kosta Rikës në ndeshjen e parë të turneut, ministri i jashtëm i vendit, Ivica Daçiq, vuri në dukje faktin se vendi i Amerikës Qendrore ishte një nga të parët që njohu pavarësinë e njëanshme të Kosovës në vitin 2008.
“Fitorja ndaj ekipit të Kosta Rikës ishte një hakmarrje e vogël, e ëmbël”, tha ai.
FIFA kishte potencuar potencialin për polemika në ndeshjen e së premtes, dhe potencialin për momente kritike mbi himnet dhe parullat. Serbia u gjobit me 10 mijë franga zvicerane këtë javë pasi mbështetësit e saj shfaqën atë që FIFA tha se ishte flamuri i një “lëvizje nacionaliste paraushtarake serbe” në lojën me Kosta Rikën.
Ndëshkimi nxiti Federatën Serbe të Futbollit që të lëshojë një deklaratë duke u bërë thirrje tifozëve që në “lojën me rrezik të lartë” të premten të mos shfaqin parulla politike.
“Mos u përgjigjni provokimeve eventuale dhe tregoni botës se ne jemi njerëz që nuk e keqpërdorim këtë lojë për qëllime politike apo ndonjë qëllim tjetër”, shkruanin zyrtarët e federatës.
Ndërsa fillimi i ndeshjes afrohej të premten, qendra e Kaliningradit u mbush me tifozët serbë, si dhe rusët që e kanë mbështetur Serbinë si ekipin e tyre të dytë, kryesisht për shkak të lidhjeve të gjata fetare dhe kulturore.
“Rusia, Serbia, vëllezër, përgjithmonë” këndohej pasi mbështetësit ecnin në stadium si një grup.
Kishte pak shenja të ndonjë ndjenje antishqiptare, megjithëse flamujt me slloganin “Kosova është Serbia” u shumuan. Vetëm më vonë, tifozët zviceranë, në numër shumë më të vogël, u mblodhën pranë stadiumit.
“Ne kemi shumë emigrantë në ekipin tonë, por Shaqiri dhe Xhaka janë të dy zviceran dhe nga Kosova”, tha Andreas Podolak, një mbështetës zviceran. “Ne jemi krenarë që ata kanë zgjedhur ekipin tonë”.
Brenda stadiumit të Kaliningradit nuk kishte dyshim se kush do të ishte fokusi i turmës dërrmuese pro-serbe. Ishte Shaqiri, i cili u fishkëllye sa herë që fytyra e tij shfaqej në ekranin e stadiumit dhe çdo herë që ai prekte topin. Që nuk ishte shumë në minutat e para.
Serbia është rinovuar nën Krstajiç, i cili ka ndërtuar ekipin e tij për të nxjerrë maksimumin nga mesfushori i ri i Lazios, Sergej Milinkoviç-Saviç. Në hapje të ndeshjes, mesfusha prej tre lojtarëve, Milinkovic-Saviç, Dushan Tadiç dhe Filip Kostiç vërshoi mbrojtjen e Zvicrës dhe u deshën vetëm pesë minuta për Aleksandar Mitroviçin që të shënojë me kokë golin pas një pasimi nga Tadiç, për t’i dhënë epërsinë Serbisë.
Megjithatë, Zvicra u ktheu presionin dhe tri herë, Xhemaili kishte raste të pastra për gol. Tri herë, ai i humbi. Ishte Serbia që shfaqte forcën dhe lëvizjen më të mirë.
Por, ishte Zvicra që filloi të dominonte, ndërsa Serbia ishte e lodhur. Në fund, Shaqiri shpërtheu qartë për t’i dhënë ekipit të tij një fitore dhe për të bërë simbolin me duart e tij.
Ndërsa loja përfundoi, shiu i fortë filloi të binte, dhe Shaqiri ua tregoi gishtin e madh të drejtuar lart tifozëve serbë kur u largua nga fusha. Në atë moment, askush nuk po e fishkëllente atë.
(Dorentina Kastrati, Kallxo.com)