Nga Namir Lapardhaja
Bashkim Hoxha vijon rrugëtimin e tij si shkrimtar krejt në heshtje dhe pa shumë zhurmë. Tingujt mbytës dhe të çrregullt, të përzier me hallet dhe problemet e njerëzve, çdo mëngjes në emisionin e tij në “News 24” duket sikur venitin një anë tjetër të gazetarit Hoxha, atë të shkrimtarisë.
Pavarësisht këtij angazhimi, vetëm në tre vitet e fundit, Bashkim Hoxha ka botuar tre romane, duke e shndërruar atë në një shkrimtar jo vetëm prodhimtar, por edhe cilësor: “Në kohë tallavaje gruaja e shiut” (2016), “Histori me Njerëz dhe Kafshë” (2017) dhe, së fundmi, “Një ditë si Skënderbeu” (2018), duke e konsoliduar pjekurinë artistike nga vepra në vepër.
Pa shumë zhurmë, me një qetësi dhe urtësi të admirueshme, që e karakterizon Hoxhën në ekran dhe në jetën e përditshme, vetëm pak kohë më parë, u promovua në Prishtinë romani i tij i fundit “Një ditë si Skënderbeu”, një roman që vjen në një kohë kur atdheu mëmë me Vendim të Këshillit të Ministrave e ka shpallur vitin 2018 si “Vitin e Skënderbeut”.
Romani karakterizohet nga një natyrshmëri në rrëfim dhe nga vërtetësia e ngjarjeve. Lexuesi e ndjen se ajo që po rrëfehet është e vërtetë, ngjarja që po zhvillohet po ndodh diku afër tij, saqë duke vijuar më tej realizohet edhe përfshirja në vepër: të duket sikur je duke jetuar një realitet që nuk i përket vetëm personazheve, por edhe ty si lexues.
I gjithë rrëfimi është ndërtuar mbi nota të thella ironie, që, ashtu siç do ta shohim edhe në fund, shkon në shkallën më të lartë të saj, në autoironi, duke mos lënë pa shpotitur as vetveten.
Subjekti i romanit është i thjeshtë: personazhi kryesor, Besnik Bejto, një aktor në profesion, merr një telefonatë nga kryeministria, ku ai është i ftuar në një mbrëmje jubilare me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, Skënderbeut.
Fill pas kësaj telefonate, nëpërmjet retrospektivës, autori hidhet prapa në kohë për të treguar historinë e personazhit të tij kryesor, si aktor i rolit të Skënderbeut.
Gjatë rrëfimit, personazhi i tij-aktor, na sjell një hero njeri, larg frymës heroike të Barletit dhe larg idealizimit të tejskajshëm të Naimit: “Desha të sillja një portret më të plotë të heroit, paksa larg monumentit, sepse unë do të jem i gjallë në skenë dhe do të marr frymë para spektatorëve dhe ata tek Skënderbeu duhet të ndjejnë njeriun…”
Teksa na paraqet një personazh-aktor që përpiqet të luajë dhe të na rrëfejë për një hero sa njerëzor aq edhe të prekshëm prej gjithsecilit, autori nëpërmjet shpejtësisë së rrëfimit dhe nëpërmjet asaj se “në çdo rast tregimi është një veprim mbi kohëzgjatjen, një magji që vepron mbi rrjedhën e kohës, duke e tkurrur ose duke e zgjatur atë” (I. Calvino), rikthehet sërish në rrjedhën kronologjike të ngjarjes: “Nuk e zgjas shumë. Nuk ka kohë. Është vetëm një javë dhe duhet të ringre Skënderbeun me të gjitha elementet. Në ora 11 e 40 minuta kërkoj në rekuizitë objektet që i takojnë atij….”
Gjithçka në rrëfim më tej ka lidhje me shfaqen e rolit të Skënderbeut, duke treguar edhe për shfaqet dhe rolet e tjera të aktorit-personazh. Mirëpo, si për të na kujtuar se ngjarjet zhvillohen në aktualitetin e Shqipërisë së përditshme, duke u shkëputur për një moment nga magjia e shfaqes së Skënderbeut dhe duke na paraqitur një rrëfim sa më real dhe autentik, një shpërthim eksplozivi tërheq vëmendjen e lexuesit: “Tamam kur po mbarojmë, dëgjohet një shpërthim i fortë që trondit gjithçka… Një manekinë rrëzohet me zhurmë në tokë…Unë dal në dritare për të parë se çfarë bëhet…Petriti, punëtori i skenës së teatrit, që merr vesh i pari të gjitha çfarë ndodhin, thotë se ka shpërthyer një eksploziv. “Tek ata. Vëllezërit”, tregon ai me gisht nga shtëpia përballë. Ngjitur me teatrin banojnë dy vëllezër që bëjnë sherr gjithmonë me njeri-tjetrin. Banojnë në dy shtëpi të vjetra. Hyjnë në të njëjtën portë druri të përbashkët… Sherri bëhet për pronat…” Nuk mungojnë ndërfutje të ngjarjeve të tilla të historive tipike shqiptare, njëjtë si në kronikat tona të shumta mediatike.
Për ta ndërthurur këtë pauzë me rrëfimin, ai rikthehet në tregimtari: “Më bëhet sikur shoh thuprat e Skënderbeut që më mungojnë në rekuizitë, janë aty poshtë, të hedhura në erë…”
Pasi e ka tjerr materien e tij letrare në avlëmendin e mjeshtërisë, rikthehemi sërish në atë që pritet të jetë ngjarja kulmore e veprës: në luajtjen e rolit në sallën e Pallatit të Brigadave, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Besnik Bejto ka përgatitur monologun e tij dhe është duke e interpretuar përpara pasqyrës: “Mos qani, them unë si Gjergj Kastrioti (pjesë e monologut). Unë nuk e vajtoj jetën time. Nuk jam penduar për mënyrën se si e kam jetuar atë. Në fund të fundit kam jetuar, pa ka ardhur kjo ditë për të ikur. Në qoftë se trishtohem, nuk trishtohem pse iki unë. Trishtohem sepse ajo që le unë pas nuk më bind…”
Teksa është në përgatitje e sipër për monologun e famshëm, mbi bazën e të cilit është ngritur e gjithë vepra, një telefonatë, një numër fiks i panjohur, i ndërpret hovin. Ngre telefonin. Është i njëjti zë që e mori në fillim të romanit. “Desha të sigurohesha që nuk jemi keqkuptuar për ftesën, – i thotë zëri nga matanë. – Në mbrëmjen protokollare nuk jeni ftuar të interpretoni Skëndërbeun. (por) Si aktor. Si një personalitet i shquar që keni interpretuar mjeshtërisht Skëndërbeun. Madje, është ftuar edhe kolegu juaj që ka luajtur Hamzain dhe do të uleni pranë njëri-tjetrit… Nuk do të ketë interpretime. Nuk do të ketë fjalime. Do të flasë vetëm kryeministri. Një, i vetëm, është Skëndërbeu.”
Në këtë fragment, ironia e autorit duket se ka kapur kulmin. Në momentin që lexuesi pret shfaqen e shumëpritur në hollin e Pallatit të Brigadave, vjen sërish një telefonatë, por jo siç e priste lexuesi, madje as siç e priste edhe vetë personazhi kryesor, por ashtu siç e ka gatitur me mjeshtëri dhe me nota të thella ironie autori.
Pasi ka ironizuar të tjerët, notat e autoironisë, si shkalla më e lartë e ironisë, prekin edhe vetë rrëfimtarin-personazh, i cili shprehet se “paskam kaluar një ditë huq si Gjergj Kastriot Skëndërbeu”.
Por e gjithë kjo përgatitje prej Skëndërbeu personazhit nuk i ikën kot. Nëpërmjet një zgjidhjeje mekanike autori i ofron atij në faqet e fundit të romanit të performojë përpara një grupi turistësh të huaj si Skëdërbe i vërtetë, prej ku merr shumë duartrokitje dhe shumë bravo. Madje, një fëmijë sy bojë qielli dhe me quka, i afrohet me një celular në dorë dhe i thotë: “Xhaxhi Skëndërbeu, a bëjmë një selfi?”
Romani “Një ditë si Skënderbeu” me autor Bashkim Hoxhën është një vepër lehtësisht e lexueshme, por që në fund të lë një shije të mirë estetike. Rekomandohet në fundjavë si kjo e sotmja.