Çdo katër vjet ka një top të ri për Kampionatin Botëror dhe ndryshimet në aerodinamikën e topit mund të ndikojnë në mënyrë legjitime në performancën e një ekipi.
Topi zyrtar, Adidas Telstar që po përdoret në ndeshjet e Kampionatit Botëror 2018 në Rusi, me sa duket po krijon probleme për portierët e skuadrave pjesëmarrëse. Adidas ka shpenzuar tre vjet dhe miliona paund për të krijuar atë që është cilësuar si ‘topi më i përsosur që është përdorur ndonjëherë në lojë.’
Megjithatë, me sa duket ai nuk është pritur mirë nga lojtarët dhe sidomos ngaportierët. Kritikët më të mëdhenj kanë qenë portieri i Spanjës, Pepe Reina dhe David de Gea, së bashku me Ter Stegan të Gjermanisë dhe portierin veteran egjiptian, Essam El Hadary.
Sipas tyre, topi po bëhet gjithmonë e më i vështirë për t’u pritur, pasi krijon vështirësi në mbajtjen e tij.
“Vë bast se do të shohim të paktën 35 gola në Rusi, sepse është e pamundur të punohet. Është i mbuluar me një veshje plastike që e bën të vështirë mbajtjen e tij. Portierët do të kenë shumë probleme me këtë top”, shprehet Reina për ‘Evening Standard’.
Ndërkohë, De Gea duke e cilësuar topin ‘të çuditshëm”, shton se ai mund të ishte bërë shumë më i mirë.
“Po, ne jemi viktima të FIFA-s dhe futbollit gjithnjë në zhvillim. Sa herë që ka topa të rinj ne duhet të jemi në gjendje të praktikohemi më shumë. Ky top ka disa probleme dhe të gjithë portierët po përballen me këtë problem”, shprehet portieri egjiptian, Essam El Hadary.
Ndërkohë, ekspertët shprehen se portierët duhet të mësohen me topin e ri, pasi sipas tyre ata ankohen në çdo Kampionat Botëror për këtë, duke shtuar se dizajni i topit nuk ndikon në performancën e tyre. (G.D.SCAN)