Nga Taulant DEDJA – Kanada
Nuk e di nëse është e vërtetë që qeveria shqiptare i ka thënë po pritjes së 600 mijë sirianëve. Nëse është e vërtetë do të ishte e turpshme dhe e paimagjinueshme. Nuk mund të hiqen paralele mes 600 mijë sirianëve dhe 600 mijë vëllezërve kosovarë në vitin 1999. Të bësh një paralelizëm të tillë është më shumë se absurde. Shqiptarët e Kosovës i priti populli shqiptar, sepse bëhej fjalë për gjysmën e kombit në rrezik. Si ish–zëvendësministri përgjegjës për krizën e ’99-tës, e di shumë mirë se ishte populli ai që e shpëtoi qeverinë shqiptare nga turpi i mungesës së kapaciteteve.
Disa media e pohojnë, të tjera nuk kanë shkruar gjë për këtë çështje. Megjithatë, ku ka zë, nuk është pa gjë- thotë populli. Idetë janë hedhur qoftë edhe si teste në publik, për të provuar rezistencën apo pranueshmërinë.
Vitet e fundit janë shtuar rastet e emigrimit të shqiptarëve. Duket si një lloj emigrimi i sforcuar, gati-gati si një spastrim etnik i qëllimshëm nga politikat e ndjekura kundër atdhetarëve. Krijohet përshtypja e përsëritjes së historisë, si në kohët kur Naimi me shokë, e më vonë Noli, Konica e të tjerë merrnin rrugët të sforcuar prej politikave anti-shqiptare.
Është e dukshme si po intimidohen intelektualët, artistët më së shumti nisur nga rasti i një teatri, i cili në vetvete nuk është thjesht një godinë, por një simbolikë qëndrese dhe nënshtrimi njëkohësisht. Nëse teatri bie, loja është fituar nga ata që po spastrojnë vendin, terminatorët politikë.
Janë po këta, në bashkëpunim me terminatorët mediatikë që po masakrojnë kulturën kombëtare, ashtu si pafajësisht me telenovelat lindore. Nuk është rastësore, përkundrazi është një politikë e pastër pushtimi modern, pa shpata e jataganë, por me gjuhë, rite, besime, veshje, kulturë.
Shihni shkollat shqiptare si i kanë degraduar me reformat mediokre e të dështuara. Shihni ndërkohë si lulëzojnë shkollat e shitura e të blera nga të huajt. Rrënimi i kombit fillon nga shkollat dhe rilindasit e vërtetë këtë e dinin prandaj luftonin për mbrojtjen e gjuhës shqipe. Po rilindasit e sotëm, a po e mbrojnë kombin apo po e shesin?