Nishi Gjeto Dadës

Nga Ilir KADIA

Në burg të Burrelit në kohë të Enver Hoxhës komandanti pyeti të burgosurin:
-E si e ke emrin ti?
I burgosuri përgjigjet :
-Nishi Gjeto Dadës!
-Si?!
-Nishi Gjeto Dadës!
-E çfarë do të thotë kjo?
E i burgosuri i ri përgjigjet:
-Po Mao Ce Dun çfarë do të thotë?!
Tinka Kurti na e tregoi këtë histori gazmore dhe ne u shkrimë duke qesh.
-Po ajo tjetra Tinka ajo me Ramiz Alinë?! -i kërkuam megjithë Rezin dhe Bislimin ndërsa makina ngjitej malit drejt Liqeneve të Funarit përpjetë.
Dhe Tinka:”Kur ish gjallë Enver Hoxha fëmijët rimonin në parullë,
Parti-Enver e ke gojën me sheqer!
Kur u vu Ramizi, pasi vdiq Enveri,
Parti-Ramiz e ke gojën me oriz!
Ramizi u mërzit, e desh me sheqer.
Mos u mërzit, i tha një shkodran, 8 lekë e ka çmimin edhe orizi, sa sheqeri! Asgjë nuk ka ndryshuar! “
Kur mbrritëm buzë liqenit të Funarit, një mrekulli e Shqipërisë tonë mua nuk mu durua. Ju luta Tinkës të ma jepte një kujtim ta ndaja me miqtë anëekënd dhe e përqafova si Nënën, Zonjën e Madhe të Teatrit tonë!