Nga Dorian Koçi
Rruga e integrimit evropian dhe bashkëjetesa e nesërme në Evropë ka marrë një komfirmim të rëndësishëm me nënshkrimin e marrëveshjes midis Greqisë dhe Maqedonisë në takimin e djeshëm në Prespë. Kjo marrëveshjë krijon shumë premisa që në bazë të kritereve të Kopenhagës dhe traktateve të tjera të B.E e gjithë problematika midis dy vendeve të sheshohet duke krijuar një bashkëpunim më të mirë dhe aderimin e Maqedonisë në NATO dhe B.E. Po përse u zgjodh Prespa si një vend i nënshkrimit të marrëveshjes? Historia në Ballkan si gjithmonë nuk mund të anashkalohet. Gjithçka shkon mbrapa në kohë në fillimet e Luftës Civile greke ku territori i Maqedonisë së sotme dhe kufiri maqedonas-grek i sotëm u shndrrua në një teatër luftimesh midis forcave të djathta dhe të majta, forcave qeveritare greke dhe atyre të partizanëve komunistë grekë. Duke marrë parasysh pikërisht ndihmën e Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, gjenerali Markos, komandanti i ushtrisë komuniste greke, e vendosi shtabin e tij afër liqenit të Prespës, aty ku takohen kufijtë e Shqipërisë, Jugosllavisë dhe Greqisë. Kjo zonë e cila ishte e lehtë për t’u mbrojtur dhe e vështirë për t’u pushtuar u quajt, “qoshja kufitare”. Gjatë dimrit të viteve 1946-1947, Jugosllavia dhe Shqipëria i dhanë UDG-s ushqime, municione, eksploziv, armë të vogla, disa mortaja dhe lehtësi stërvitore. Kështu, në mars të vitit 1947, Markos dispononte 13.000 ushtarë të armatosur e të stërvitur në mënyrë të mjaftueshme. Mirëpo gjithë kjo ushtri e armatosur dhe e stërvitur në mënyrë të mjaftueshme dhe ndihma e dhënë nga Vendet Ballkanike u panë nga Bashkimi Sovjetik si një rast i mirë presioni dhe shantazhi kundër Perëndimit. Edhe Jugosllavia i dha rëndësi të veçantë kësaj ushtrie, pasi ajo ishte ende në traktativa me Perëndimin për të përfituar territoret sllovene e kroate, që kishin qenë nën administrimin e Italisë, por edhe sepse ekzistenca e saj fare afër me Jugosllavinë i jepte kësaj së fundit më shumë mundësi për të predominuar në Maqedoninë Greke, – një territor lidhës me Bullgarinë aleate dhe shtet pjesëmarrës të Federatës së ardhme. Për këto arsye nga pranvera e vitit 1947, shtabi i përgjithshëm jugosllav u kushtoi kujdes të madh veprimeve dhe organizimit të UDG-së dhe gjenerali jugosllav Dapçeviç, me staf të vogël, iu atashua shtabit të përgjithshëm grek.
Në të njëjtën kohë, gjatë ofensivës ekonomike të Perëndimit nëpërmjet Planit Marshall që Bashkimi Sovjetik dhe vendet satelite të tij e refuzuan, Stalini e aprovoi krijimin e UDG-së dhe i kërkoi Jugosllavisë dhe Bullgarisë t’i jepnin asaj ndihmë dhe mbështetje klandestine. Ai premtoi gjithashtu njëfarë ndihme, por prej Bashkimi Sovjetik në këtë kohë nuk erdhën furnizime ose armë për UDG-në, ndërsa Shqipëria dha një ndihmë të vogël. Përveç ndihmave materiale dhe në armatime, kontributi më i madh i Shqipërisë që nga fazat e para të fillimit të Luftës Civile Greke ishte ofrimi i territorit shqiptar si vend stërvitjeje, të paktën, në dy kampe, – në Rubik dhe Nikolicë, por edhe duke u dhënë liri të pakufizuar gueriljeve komuniste për të hyrë në territorin shqiptar sa herë që ndiheshin të kërcënuara nga forcat e Ushtrisë Kombëtare të Greqisë. Këto veprime e komprometuan rëndë asnjanësinë e pretenduar të qeverisë shqiptare dhe Shqipëria u rrezikua të përfshihej në konfliktin civil grek.
Të dyja vendet dje triumfuan mbi ethet e nacionalizmit etnik dhe po ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe të rajonit nën diskursin e ri të patriotizmit kushtetues të shoqërive post moderne. Patriotizmi kushtetues mbështetet tek parimet e drejtësisë dhe të demokracisë. Sipas Habermas , ky nocion do të transformojë idenë e një Bashkimi Evropian federalist(të përbërë nga qytetarët evropianë dhe jo qytetarë të kombit), në një koncept politikisht të zbatueshëm. Habermas argumenton që bashkimi politik i kombeve evropianë nuk mund të mbështetet tek tradita, kultura dhe gjuha e përbashkët që karakterizojnë komb-shtetet e suksesshëm. Përkundër qytetaria evropiane mund të varet nga një patriotizëm kushtetues “paskombëtar”, që duhet krijuar në vijim.
Sfida në vazhdim është një rrugë e gjatë për tu bërë. për të pasur një afrim të sinqertë dhe sa më pak problematik për të ardhmen. Për fat të mirë që e gjithë problematika midis dy vendeve të sheshohet duke krijuar një bashkëpunim më të mirë jo vetëm në atë qeveritar që për hir të së vërtetës nuk ka munguar por një afrim midis dy popujve nën shembullin e miqësisë franko-gjermane. Në fakt , më tepër se një integrim ekonomik dhe politik i gjithë Ballkanit në B.E , krijimi i një bashkëpunimi si ai franko-gjerman midis popujve të tij mbetet sfida më e madhe në Ballkan.