SHITËSIT E LIRISË

Nga Hamit ALIAJ

Formula e moçme e lirisë u vjetërua,
Liria mund të blihet në shitore e zyra
Ose nga shitësit endacakë , pa orare

Liri ditore, javore, mujore, vjetore,
Liri me qera, si shtëpitë pa banorë,
Në çdo blerje keni një hije falas
Që të mos ndjeheni të vetmuar

Ju që e patët të ndaluar të qani
Tani mund të shkoni e të bleni lot,
Lot sa për gjithë kohën e mosqarjes
Lot nënash, lot të uriturish, lot kurvash, lot krokodili, lot kaprojsh, lot zogjsh

E buzërreshkurit që s’u lejuan të flasin kurrë,
Tash mund t’i blejnë gjithë zërat e gjallesave
Sa për gjithë kohën e memecërisë
Në shitoret ku shiten lehjet,
Lehje minakësh, zagarësh, qensh,
Pëllitje, blegërima, hungërima, ulërima

Madje mund të blini pordhë të koduara,
Të minukëve, fendukëve, kopukëve,
bishtukëve, eunukëve,
Që janë në krye të shtetit të Lirisë

Se në vendin tim ka shitore gjithnaje:
Ku blihet loti,lehja,hija,liria !…

Lirinë mund ta blini me çmime të ndryshme:
Liri që e përdorën të tjerët dhe të mërzitur prej saj,
E shitën në dyqanin e vjetërimeve,
Ajo ka çmim më të lirë
Si rrobat e përdorura që vijnë prej Europe

Ka edhe liri falas:
Të vdekurit që shkojnë përtej,
Nuk marrin me vete lirinë,
Ua lënë të gjallëve ta japin për bamirësi,
Atë dhe teshat që i veshën dikur.

Pra,falas i keni:
Lirinë e të vdekurve, teshat e të vdekurve !

Në u grindshi me lirinē
E në u tutshi se ajo mund të ju ikë në arrati
Mund ta mbyllni në dry në shtepinë tuaj,
Madje mund ta lidhni e vet të shkoni
Në qejfe nate,striptiza a ballo me maska…

Fjalë e vjetëruar Atdheu !